Ndërlidhjet

ANDERSON: LOJA KRYESORE E RUSISË ËSHTË VONESA


Alex ANDERSON, shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, si e komentoni qëndrimin e fundit të Rusisë sa i përket statusit final të Kosovës. Zyrtarët rusë kanë kërkuar negociata shtesë si dhe një të dërguar tjetër të OKB-së?

ALEX ANDERSON
Është e qartë se vendet tjera në Grupin e Kontaktit, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nuk do ta përkrahin një kërkesë të tillë. Nëse ju kujtohet, ishte mjaft e vështirë për shqiptarët e Kosovës, që të pranojnë idenë e konsultimeve shtesë për dokumentin e Ahtisaarit, pasi që u prezantua në fillim të shkurtit. Ahtisaari e ka bërë të qartë, se procesi i negociatave është shterrur, prandaj edhe e dërgoi dokumentin në New York.

RADIO EVROPA E LIRË
Martti Ahtisaari pritet të paraqesë planin para Këshillit të Sigurimit. Cilat janë parashikimet tuaja? A do të ketë një rezolutë të re?

ALEX ANDERSON
Mendoj se ka gjasa, që të ketë një rezolutë të re, por kjo do të marrë më shumë kohë, sesa kemi supozuar më parë. Mendoj se Rusia me paqartësinë dhe gjestin e zotit Curkin të disa ditëve më parë, sinjalizoi se kjo do të zgjasë më shumë, se priten vonesa. Veprimet e Rusisë në këto ditë dhe javë, kanë qenë më shumë përpjekje për të ndryshuar kushtet e marrëveshjes, sesa për të përdorur veton. Mendoj se loja kryesore e Rusisë tani për tani, është vonesa. Sa i përket përmbajtjes së rezolutës së Këshillit të Sigurimit, përmbajtja ideale të cilën e duan vendet e Quint-it, është që të shfuqizohet Rezoluta 1244, që të përmirësohet dhe të nënshkruhet pakoja e Ahtisaarit dhe në mënyrë të qartë të mandatohet një prani e re ndërkombëtare. Duke marrë parasysh qëndrimin e Rusisë, mendoj se do të jetë një luftë për të miratuar një rezolutë të tillë ideale në Këshillin e Sigurimit. Sa i përket vendeve të Quint-it, ato janë të interesuara që të shfuqizojnë Rezolutën 1244, sepse nëse ajo mbetet në fuqi, do të jetë shumë vështirë për Bashkimin Evropian, që të angazhohet në një Kosovë të pavarur, meqë kjo do të ishte në kundërshtim me rezolutën ekzistuese të Këshillit të Sigurimit, e cila mandaton një qeverisje tranzitore të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe e cila ende e njeh sovranitetin e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po thoni se do të marrë më shumë kohë, sesa qe menduar. Sa do të zgjasë kjo?

ALEX ANDERSON
Unë nuk do të befasohesha, nëse kjo zgjat deri në gjysmën e dytë të vitit. Kjo është diçka që ne edhe e kemi parashikuar në raportin që e publikuam në dhjetor.

RADIO EVROPA E LIRË
A është Grupi i Kontaktit i bashkuar, siç kanë theksuar deri tash anëtarët e këtij grupi?

ALEX ANDERSON
Në njërën anë Rusia në të vërtetë nuk ka bllokuar asgjë. Por, nga ana tjetër, Grupi i Kontaktit nuk është më në gjendje që të prodhojë koherencë, siç ka bërë me parimet e përgjithshme të shtatorit të vitit 2005, ose me deklaratën ministrore të Londrës të janarit të vitit 2006. Ndërkaq, ne tash shohim përpjekjet e Rusisë për të riinterpretuar këto dokumente. Mendoj se Grupi i Kontaktit, si një makinë që përpiqet të ruajë koherencën e komunitetit ndërkombëtar për Kosovën, është lënë pak në hije. Mendoj se çështja më e madhe që do të shtrohet në javët dhe muajt e ardhshëm, do të jetë aftësia e BE-së për të artikuluar një qëndrim të fortë, të përbashkët, në favor të pakos së Ahtisaarit dhe të konkluzioneve të Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, shumë kanë tërhequr vërejtjen për mundësinë e dhunës, nëse vendimi për statusin final shtyhet. Çka mendoni ju rreth kësaj?

ALEX ANDERSON
Mendoj se është me rëndësi që shumica në Kosovë, shqiptarët dhe liderët e tyre politikë, ta ruajnë besimin në proces, dhe që bashkësia ndërkombëtare t’i sigurojë ata, se do të ketë rezultate koherente dhe domethënëse. Mendoj se disa analiza të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare e lokale, ndoshta kanë supozuar se ka rrezik për ndonjë trazirë, si ajo e 17 marsit 2004. Unë për më shumë se një vit, në shoqërinë kosovare kam parë shumë përmbajtje, një hezitim të madh për t’iu kthyer një situate, që do të rikujtonte marsin e vitit 2004. Mendoj se rreziku më i madh që shohin liderët politikë në Kosovë, është pavendosmëria e bashkësisë ndërkombëtare, prandaj kemi parë deklarata të politikanëve të caktuar për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, që do ta ndante Kosovën dhe do të çonte në rezultate të paparashikueshme. Por, në mesin e vendeve të BE-së, të SHBA-ve, po theksohet me të madhe nevoja për të nxjerrë një rezolutë të re të KS-së. Krahasuar me vitin e kaluar, tash po flitet shumë më pak për planin B, për të shpallur një formë të pavarësisë pa përkrahjen e Këshillit të Sigurimit. T’i kthehem prapë Bashkimit Evropian, do të jetë thelbësore për këtë union ruajtja e koherencës. Kjo është çështje e interesit jetësor të BE-së, është në oborrin e saj. Është jetësore, që Kosova të jetë pjesa përmbyllëse e ristrukturimit të Ballkanit Perëndimor. Nëse do të ketë ndarje të mundshme të Kosovës, kjo do të çojë në ndryshimin e kufijve në shtetet përreth. Dhe, kjo është një situatë, ku njerëzit në rajon e edhe më gjerë në Evropë, nuk do të lejojnë që të ndodhë kjo përmbyllje.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka indikacione se vendet e BE-së nuk do të jenë koherente?

ALEX ANDERSON
Është një lëvizje drejt koherencës. Por, mendoj se, krahasuar me vitin e kaluar, kur kemi pasur shumë shtete të rëndësishme që jepnin idetë e tyre rreth asaj se çfarë do të duhej të ndodhë me Kosovën, tash të paktën në takimet formale të BE-së, po shohim një mbështetje unanime për planin e Ahtisaarit. Unë shpresoj, se kjo mbështetje do të vazhdojë, kur Ahtisaari të jetë më i qartë në ditët dhe javët e ardhshme, për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe të shkëputjes së lidhjes kushtetuese me Serbinë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG