Ndërlidhjet

MAURING: BEOGRADI STËRMADHON RREZIKUN PËR TË KTHYERIT NË KOSOVË


Albana Isufi

”Beogradi duhet të nxisë dhe me mjete financiare të ndihmojë të zhvendosurit serbë, që të kthehen në Kosovë, dhe jo të stërmadhojë rrezikun”, tha për radion Evropa e Lirë, shefi i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Frode Mauring. Ai thotë se jeta e të zhvendosurve në qendrat kolektive në Serbi, është e rëndë dhe se në mënyrë aktive, duhet ndihmuar kthimi i tyre. “Konsideroj se Beogradi duhet të trimërojë kthimin e numrit sa më të madh të të zhvendosurve në vendin e tyre të lindjes. Mënyra tjetër është, që të ndihmojë me mjete financiare dhe ashtu të shndërrohet në donator. Në këtë mënyrë, Beogradi duhet të punojë më shumë, pasi që me këto probleme po ballafaqohet populli i tij”, tha Mauring, duke shtuar se në këtë proces, UNDP-ja mund të luajë rolin ndërmjetësues, për shkak të problemeve aktuale politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai vlerëson se bashkëpunimi në relacionin Prishtinë-Beograd është thelbësor, pasi që numri më i madh i të zhvendosurve gjendet në Serbi, ndërkohë që bëhet fjalë për projektet e kthimit në mjediset kosovare. Ministri për kthim dhe komunitete, Branislav Gërbiq, thekson se nuk ka pasur kontakte të mjaftueshme në mes të zyrtarëve ndërkombëtarë dhe kosovarë me qeveritë serbe. “Vitin e kaluar ka pasur kontakte në nivel të grupeve punuese, por nuk ka pasur kontakte të tjera. Por, shpresoj se me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të zyrës së UNMIK-ut, ky kontakt shpejt do të krijohet në interes të të gjithë qytetarëve, dhe mendoj se çdo zgjidhje që ndihmon kthimin, është e mirëseardhur”, tha Gërbiq. Por, që kthimi të ketë rezultat, të zhvendosurve duhet t’u tregohet pasqyra reale në terren. Shefi i UNDP-së konsideron se Beogradi duhet të ndalet nga keqpërshkrimi i gjendjes në Kosovë. “Në njërën anë Beogradi, siç e kemi theksuar edhe ne, thekson të drejtën e të gjithëve për t‘u kthyer në shtëpitë e tyre, por në anën tjetër, tenton që të paraqesë një fotografi të errët të Kosovës”, tha Mauring, duke shtuar se Beogradi stërmadhon problemet, me të cilat përballen njerëzit që kthehen. Megjithatë, ai thekson se UNDP-ja nuk dëshiron të zvogëlojë sfidat, por konsideron se sot ka më pak probleme të sigurisë. Sipas Mauring, kushtet për kthim janë çdo ditë e më të mira. ”Shumica e njerëzve që kthehen janë pranuar nga fqinjët, kështu që nuk bëhet fjalë për rrethana të pasigurta. Është interesante, se nga 2006-ta e deri sot, kemi pasur numrin më të madh të të zhvendosurve, që na kanë kontaktuar dhe kanë shprehur dëshirën për kthim spontan”, tha shefi i UNDP-së në Kosovë. Të gjithë pajtohen se Beogradi luan rol të madh në kthimin e serbëve të Kosovës. Rrjedhimisht, sipas ministrit Branislav Gërbiq, gjatë këtij viti është i domosdoshëm intensifikimi i bashkëpunimit. ”Të gjitha palët, edhe ministria, edhe qendra koordinuese, janë në kontakt me politikanë, me institucionet e përkohshme dhe me Serbinë. Në këtë kontekst, konsideroj se bashkëpunimi i këtij viti duhet të sjellë rezultat. Besoj se shumë shpejt, do të kemi rezultate që do të sjellin zgjidhje konkrete, sepse vitet kalojnë, ndërsa bëhet fjalë për objekte që mund të ndërtohen për 3-4 muaj, dhe nuk duhet humbur vite e mos të krijojmë kushte për njerëzit, që duan të kthehen”, tha Gërbiq. UNDP-ja, së bashku me Qeverinë e Kosovës, punon në realizimin e projektit të kthimit individual dhe të organizuar. Përveç ndërtimit të shtëpive, punon po ashtu edhe në krijimin e mjedisit të sigurt për kthimin e qëndrueshëm të familjeve. Megjithatë, të zhvendosurit, sipas vlerësimit të zyrtarëve, tani po ballafaqohen me dilemën shtesë, e kjo është e ardhmja e tyre në momentin kur po vendoset për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG