Ndërlidhjet

KUVENDI ME REZOLUTË DO TË RIKONFIRMOJË MBËSHTETJEN PËR PAKON E AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës do të ketë një punë shumë më dinamike muajve të ardhshëm, me qëllim të përmbushjes dhe zbatimit të obligimeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. Kosova, si një vend që e ka pranuar tashmë pakon e Ahtisaarit, pret që Këshilli i Sigurimit të miratojë edhe rezolutën e re, me të cilën do të shënohet faza finale e definimit të statusit të saj mbi bazën e propozimit për një pavarësi të mbikëqyrur, dhe më pas, mëton t’i marrë mbi vete të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja për statusin. Alush Gashi, deputet i partisë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Kuvendi si dhe institucionet tjera kanë obligime ndaj qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të zbatojë marrëveshjen me një dinamikë të shtuar të punës. “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që dalin me pakon apo propozimin e presidentit Ahtisaari. Tash është koha jonë dhe ne duhet t’i përmbushim të gjitha obligimet me kohë dhe me një punë shumë kualitative”, thekson Gashi. Në anën tjetër, deputeti i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se autoritetet kosovare duhet të përgatiten edhe për një formë të mbështetjes së pakos së Ahtisaarit. Ndonëse Kuvendi e ka mbështetur në parim pakon e Ahtisaarit, tani pas kalimit edhe në Këshillin e Sigurimit, Hoxhaj mendon se kjo mbështetje duhet të shprehet sërish në Kuvend përmes një deklarate apo rezolute. “Ka nevojë që Kuvendi ta rikonfirmojë përsëri, mbi të gjitha përmes shefave të grupeve parlamentare dhe anëtarëve të Ekipit të Unitetit, mirëpo një përkushtim i tillë duhet të ndodhë edhe përmes një rezolute me shkrim apo përmes dokumenteve të natyrës tjetër”, thotë Hoxhaj. Po në lidhje me rikonfirmimin e Kuvendit në mbështetje të pakos së Ahtisaarit, deputeti i LDK-së, Alush Gashi, thotë se deklarimi duhet të jetë qëndrim i përbashkët, që do të reflektojë unitetin kosovar në çështjen e statusit, siç është vepruar tërë kohën në kuadër të Ekipit Negociues. “Të gjitha veprimet e nevojshme do të jenë me kohë, do të jenë të koordinuara dhe do të jenë të tilla, që do të prodhojnë rezultate të pranimit ndërkombëtar”, theksoi Gashi. Me deklarimin e Kuvendit se e mbështet pakon e Ahtisaarit, ky institucion merr përsipër edhe zotimin për zbatimin e obligimeve, që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. Në këto çështje, sipas deputetit Enver Hoxhaj, bien shumë ligje e vendime që Kuvendi duhet t’i miratojë brenda një afati prej 120 ditësh, sa parashihet të zgjasë faza e tranzicionit. “Mbi të gjitha do të duhej, që të ketë takime të punës, seanca shumë të shpeshta dhe mënyrë aktive të angazhimit të të gjitha komisioneve, meqë hapësira kohore prej 120 ditësh është skajshmërisht e shkurtër. Mbi të gjitha, Kuvendin e Kosovës duhet ta përcjellë rezoni politik, meqë çështjet të cilat shtrohen janë të karakterit shtetëror dhe në përputhje me këtë rezon politik duhet t’i përmbushë të gjitha detyrat”, pohoi Hoxhaj. Faza prej 120 ditësh, apo faza e tranzicionit, parashihet se fillon nga dita e nxjerrjes së rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Gjatë këtyre katër muajve, pritet që UNMIK-u të përmbyllë gradualisht misionin e vet, duke i dorëzuar kompetencat dhe përgjegjësitë te kosovarët dhe te prania e ardhshme civile ndërkombëtare. Ndërkohë, që pas 120 ditësh, sipas propozimit, parashihet të fillojë faza e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën me një prani civile ndërkombëtare dhe me vazhdimin e pranisë së NATO-s, përkatësisht KFOR-it.
XS
SM
MD
LG