Ndërlidhjet

(MOS)DEKLARIMI I PASURISË NGA UDHËHEQËSIT E INSTITUCIONEVE


Nadie Ahmeti

Rreth 33 për qind e zyrtarëve të lartë institucionalë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit. Deklarimi i pasurisë është obligim sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ndërkaq afati i fundit ka qenë 31 marsi. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, pohon se nëse këta persona nuk e deklarojnë pasurinë deri më 4 maj, ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore, duke filluar me kërkesën për të hequr 20 për qind nga paga mujore e këtyre zyrtarëve. “Kjo është një masë, masa parë. Ndërkaq, edhe kjo e ka afatin e vet. Kjo masë mund të zgjatet, nuk mund të jetë vetëm 3 muaj. Dhe, pas tre muajsh mund të iniciojmë procedurat tjera, që këta zyrtarë të lartë të largohen nga detyrat të cilat i realizojnë”, ka theksuar zoti Preteni. Mirëpo, ekspertë vendorë për çështje ekonomike thonë, se mosdeklarimi i pasurisë nga disa zyrtarë institucionalë, ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës së tyre zyrtare. Sabri Kadriu, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se pas kësaj çështjeje fshihen edhe shumë dobësi të tjera. Sipas tij, disa udhëheqës të institucioneve vendore janë pasuruar shumë shpejt, pasuri kjo e cila nuk mund të përputhet me pagat e tyre dhe realitetin ekonomik në Kosovë. “Janë pasuruar dhe kjo është evidente. Nuk ka nevojë të bëhen hulumtime të mëdha, sepse situata në Kosovë është mjaft e vështirë dhe mundësi për të ardhur deri te ajo, që ne e quajmë pasurim të shpejtë, kanë vetëm ata që janë në burim, siç është fjala për tenderë, çështja e prokurimeve publike e kështu me radhë. Një pjesë prej tyre, definitivisht janë të korruptuar”, pohoi zoti Kadriu. Arsyetimi i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, emrat e të cilëve agjencia nuk i ka bërë publikë, ka qenë se ata nuk kanë qenë të njohur më herët me këto procedura, thotë zoti Preteni. Por, Ekrem Beqiri, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, nuk pajtohet me një arsyetim të tillë. “Nuk besoj se ata nuk kanë qenë të informuar. Kjo punë ka kaluar nëpër të gjitha institucionet, kur është formuar si ligj. Prandaj, kush tjetër pos atyre është dashur të jenë të informuar? Është çështje tjetër, sepse gjithkund mundohet të mos deklarohet pasuria”, është shprehur zoti Beqiri. Profesori në Fakultetin Ekonomik, Sabri Kadriu, ndërkaq thotë se me këtë rast, po shkelet Ligji Anti-Korrupsion nga ata që vetë e kanë miratuar. “Ata shkelin në çdo moment Ligjin Anti-Korrupsion. Tashmë janë kohërat që në këtë drejtim duhet të bëhen kthesa, sepse situata është mjaft e vështirë. Këto gjëra duhet të aktivizohen dhe në këtë drejtim të merren masa”, theksoi zoti Kadriu. Drejtori i Agjencisë Kundër-Korrupsionit, Hasan Preteni, megjithatë pohon se askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë arsyetim tjetër nuk do të vlejë pas 4 majit. Sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, për të deklaruar pasurinë kanë qenë të obliguar zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, Qeverisë, Kuvendit, Gjykatave dhe Prokurorisë. Ndryshe, nga numri i përgjithshëm prej 732 personash, vetëm 491 apo 67 për qind prej tyre e kanë përmbushur këtë obligim.

XS
SM
MD
LG