Ndërlidhjet

UNDP: VARFËRIA DHE PAPUNËSIA – SHQETËSIM KRYESOR PËR TËRË POPULLATËN


Albana Isufi

Shqiptarët dhe serbët kanë qëndrime të ndryshme për pakon e Ahtisaarit dhe statusin e Kosovës. Megjithatë, është varfëria dhe papunësia pika që i bashkon këto dy komunitete. Raporti i fundit i Paralajmërimit të Hershëm i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, thotë se në rast të pavarësisë së Kosovës, një në 10 serbë do ta lëshonte Kosovën. Por, trendi i migrimit nuk mungon as tek shumica shqiptare, të cilët do të migronin për shkaqe ekonomike. “Siç është pritur, shumica e shqiptarëve të Kosovës kanë qasje pozitive ndaj përmbajtjes së pakos së Ahtisaarit. Në anën tjetër, më shumë se 80 për qind e serbëve të anketuar kanë qasje negative për pakon. Kjo anketë tregon se edhe serbët edhe shqiptarët e përkrahin, por edhe kanë hezitime për planin”, thotë shefi i UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring, i cili është i bindur se kur ky plan të fillojë së implementuari, implikimet politike do të lihen mënjanë dhe të gjitha komunitetet do të punojnë së bashku, për një perspektivë më të mirë ekonomike. Mauring thotë se në rast të pavarësisë, një nga 10 serbë të Kosovës do të braktisnin Kosovën, gjë kjo që hedh poshtë pohimet e mëhershme, se pavarësia mund të shkaktojë eksod masiv të serbëve. “Qe thënë se minoritetet serbe do të ikin nga Kosova, nëse miratohet plani i Ahtisaarit. Por, anketa tregon, se një në dhjetë serbë e shqyrton braktisjen e Kosovës, si reagim ndaj implementimit të planit të Ahtisaarit, por një nga pesë serbët e Kosovës e shqyrtojnë emigrimin kryesisht për shkaqe ekonomike. Por po ashtu, dy nga pesë shqiptarë të Kosovës shqyrtojnë emigrimin. Dhe, kjo nënkupton se kundruall një serbi që dëshiron të emigrojë nga Kosova, janë 15 shqiptarë që e duan të njëjtën gjë”, thekson Mauring. Anketa ka treguar, se shqetësim kryesor për tërë popullatën është varfëria dhe papunësia. “Siç e kam thënë edhe më parë, statusi nuk është shkopi magjik, që i zgjidh të gjitha problemet. Sërish kur po pyeten të anketuarit, ndër problemet më të mëdha i radhisin varfërinë dhe papunësinë, dhe jo çështjet politike. Më shumë se gjysma e popullatës mendojnë se Qeveria e jo UNMIK-u, ka përgjegjësi për ta zgjidhur këtë çështje”, thotë Mauring. Ndryshe, anketa tregon se UNMIK-u i paraprin të gjitha institucioneve, në përjashtim të gjykatave, si institucioni me shkallën më të ulët të kënaqshmërisë. Edhe organet e sigurisë, KFOR-i e SHPK-ja, kanë shënuar rënie të nivelit të kënaqshmërisë, ashtu sikurse edhe institucionet qeverisëse. Pesimizmi politik ka arritur në 50 për qind, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2002, ndërsa edhe pesimizmi ekonomik është në rritje të vazhdueshme. Anketa është bazuar në intervistat sy më sy dhe ka përfshirë 1250 të intervistuar, 851 nga ta shqiptarë, 206 serbë dhe 192 të komuniteteve tjera.
XS
SM
MD
LG