Ndërlidhjet

GRUPI NEGOCIATOR ZOTOHET PËR UNITET


Zijadin Gashi

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, përveç Rusisë, po mbajnë qëndrime gjithnjë e më të avancuara për Kosovën, është thënë sot nga anëtarët e Ekipit Negociues të Prishtinës, pas kthimit nga New York-u. Pas pjesëmarrjes në konferencën “Kosova në 120 ditët e para pas statusit”, të organizuar nga fondacioni Rockfeller, delegacioni i Kosovës ka konfirmuar se ka zhvilluar disa takime të rëndësishme në New York, përfshirë këtu edhe takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, si dhe me misione të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se pret që Këshilli i Sigurimit të ketë qëndrime në harmoni me pozicionet që mbajnë SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, ndërkohë që ai tha se i mbetet edhe palës kosovare t’i kryejë punët e veta. “Rezoluta, nëse bëhet rezolutë ajo e merr fuqinë juridike. Nëse nuk miratohet si projekt, është diçka krejt tjetër. Për ne është shumë me rëndësi, të mendojmë pozitivisht dhe besojmë që të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve që mbështesin fuqishëm pavarësinë e Kosovës, do ta sjellin një rezultat konkret, pavarësisht këtyre vështirësive që i kemi para vetës. E dyta, mendoj se po këtu duhet të kemi parasysh, se ne në harmoni me këtë partneritet të rëndësishëm që kemi, do t’i bëjmë veprimet tona të nevojshme për të realizuar pavarësinë e Kosovës”, theksoi presidenti Sejdiu. Ai tha po ashtu, se pret që misioni faktmbledhës që do të qëndrojë në fund të këtij muaji në Kosovë, të konfirmojë edhe njëherë të arriturat në Kosovë dhe nuk do të jetë një mision zvarritës i procesit. Gjatë qëndrimit në New York, delegacioni i Kosovës ka miratuar edhe një deklaratë të përbashkët, me të cilën është zotuar se do të punojë së bashku në zbatimin e marrëveshjes për statusin. Sejdiu tha se Ekipi Negociues do të vazhdojë të punojë edhe gjatë 120 ditëve të tranzicionit, pasi që zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë punë e lehtë që mund të kryhet vetëm nga Qeveria dhe se do t’i nevojitet edhe ndihma e opozitës. “Ne kemi nxjerrë një tekst, në të cilin kemi nxjerrë prioritetet e drejtpërdrejta të kësaj periudhe, sfidat që i kemi para vetes dhe mënyrën se si mund t’i nxisim veprimet tona sa më tepër. Kjo nënkupton edhe atë pjesë të potencialeve, që mund të shtohet në bashkëveprim, në ndihmë për realizimin apo implementimin e marrëveshjes. Do të jetë vërtet një fazë e sprovës, e dëshmisë sonë dhe nuk do të jetë fazë e lehtë”, vlerësoi Sejdiu. Delegacioni i Kosovës sot nuk ka sqaruar, nëse deklarata e përbashkët është një zotim dhe për një qeveri të re gjithëpërfshirëse, por është zotuar se do të punojë së bashku. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se bashkësia ndërkombëtare po e përkrah pavarësinë e Kosovës dhe se Prishtina është shprehur e gatshme ta zbatojë këtë vendim. “Asnjëri nga ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm dhe kemi nevojë të plotësohemi, dhe ky përkushtim i nxjerrjes së prioriteteve të përbashkëta është i drejtuar në atë drejtim, që të kemi edhe punë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Shteti nuk ndërtohet 100 herë, ai një herë zyrtarizohet, prandaj duhet të gjithë të investojmë që të jemi të përgatitur që ditën e parë të pavarësisë, në mënyrë që të kemi fillim të suksesshëm dhe ky është zotimi ynë i përbashkët”, ka theksuar Thaçi. Ndërkohë, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, është ndalur në çështjet në të cilat pala kosovare duhet të ketë një përkushtim të shtuar, në fazën e parë pas statusit. Surroi tha se pavarësia nënkupton marrjen e përgjegjësive, të cilat Kosova nuk i ka ushtruar më parë, kështu që në këtë proces duhet të jenë të përfshirë të gjithë, si pozita ashtu edhe opozita. “Në këtë listë të gjerë çështjesh që duhet t’i bëjmë, kemi vendosur që ato t’i bëjmë bashkë dhe t’i shfrytëzojmë ato resurse që i kemi jo vetëm në institucionet qeverisëse, por natyrisht edhe jashtë tyre, në mënyrë që sado kudo të mbërrijmë t’i përmbushim këto obligime, të cilat janë aty e të cilat duhet t’i garantojnë Kosovës që të hyjë në ditën e parë të pavarësisë më e pajisur me legjislacion, më e pajisur me planifikim e më e pajisur fundi i fundit me politika zhvillimore”, tha Surroi. Gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Kosova në tranzicion”, që është udhëhequr nga ambasadorët, Frank Wisner dhe Wolfgang Petrich, Ekipi Negociues ka paraqitur pikëpamjet e veta, por edhe ka dëgjuar nga përvojat e të tjerëve lidhur me fazën e parë, atë të zbatimit të marrëveshjes. Në këtë aspekt, kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, tha se kjo periudhë, përveç angazhimeve politike të Ekipit Negociues, do të përshkohet me aktivitete të shumta të legjislativit kosovar në nxjerrjen e Kushtetutës dhe ligjeve të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes.
XS
SM
MD
LG