Ndërlidhjet

SERBËT E SHPËRNGULUR PARALAJMËROJNË KTHIM MASIV


Arbana Vidishiqi

Përfaqësuesit e serbëve të shpërngulur nga Kosova kanë paralajmëruar se do të organizojnë, sipas tyre, kthimin masiv të serbëve të cilët janë zhvendosur pas luftës së vitit 1999. Ky kthim, sipas paralajmërimeve, do të ndodhë më 25 prill, gjatë vizitës që misioni fakt-mbledhës i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do t’i bëjë Kosovës. Nënkryetari i Asociacionit që në vete përmbledhë shoqatat e serbëve të shpërngulur ng Kosova, Goran Savoviq ka paralajmëruar se më 25 prill, të zhvendosurit do të nisen drejt vendkalimit kufitar në veri të Kosovës për t’u takuar me anëtarët e delegacionit të Këshillit të Sigurimit.
“Do të kërkojmë prej tyre që të na mundësojnë kthimin në banesat tona, çlirimin e tokës sonë, e cila është e okupuar, në mënyrë që të mund të kthehemi së bashku me fëmijët tanë dhe të vazhdojmë jetën aty ku e kemi ndërprerë”, ka thënë zoti Savoviq. Këtë hap të shoqatave të serbëve të shpërngulur e ka mbështetur edhe Këshilli Kombëtar Serb në Mitrovicë, udhëheqësit e të cilit njihen si përfaqësues të një vije më ekstreme të politikës serbe. Kryetari i këtij Këshilli, Milan Ivanoviq, ka deklaruar se pritet që anëtarët e delegacionit të Këshillit të Sigurimit t’i takojnë serbët e zhvendosur dhe të bisedojnë me ta për çështjen e kthimit të tyre.
“Në këtë mënyrë nuk do të ketë më ndërmjetësues midis kërkesave tona dhe raporteve të tyre, në të cilat raporte situata këtu është pasqyruar si idilike”, ndërkohë që, sic thotë zoti Ivanoviq, “serbët e zhvendosur nuk e kanë të drejtën për t’u kthyer”. Megjithatë, autoritetet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë në disa raste kanë thënë se një prej faktorëve kryesorë që ka penguar kthimin e serbëve të zhvendosur në nivelin e dëshiruar është politizimi i kësaj çështjeje nga ana e Qeverisë serbe. Në Ministrinë e Kthimit në Qeverinë e Kosovës pohojnë se shembulli më i mirë që ilustron këtë politizim është rasti i fshatit Babush në Ferizaj. Megjithë investimin prej 2 milionë e 660 mijë eurosh, serbët e këtij fshati refuzojnë të kthehen pa pasur përgjigje në pyetjet se çfarë kombësie do të jenë pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës që do të patrullojnë në këtë fshat dhe me çfarë planprogramesh do të mësojnë fëmijët e kombësisë serbe në shkollën e rindërtuar.
XS
SM
MD
LG