Ndërlidhjet

PAGE: KTHIMI MASIV I SERBËVE - SHENJË SE SITUATA E SIGURISË NË KOSOVË ËSHTË E MIRË


Albana Isufi

Shërbimi Policor i Kosovës thotë se nuk është njoftuar zyrtarisht për mundësinë e kthimit masiv të serbëve të zhvendosur në Serbi, në kohën kur në Kosovë do të qëndrojë misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesit e serbëve të shpërngulur nga Kosova kanë paralajmëruar se ky kthim do të ndodhë më 25 prill, dhe serbët e zhvendosur do të nisen drejt vendkalimit kufitar në veri të Kosovës, për t’u takuar me anëtarët e delegacionit të Këshillit të Sigurimit. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se për këtë çështje kanë dëgjuar vetëm nga mediat; rrjedhimisht, nuk kanë planifikuar të ndërmarrin masa shtesë në kufirin verior. “Këto janë raporte, që ne i kemi pranuar nga mediat, nuk i komentojmë. Por, ne jemi në vijat kufitare, e kemi atje policinë kufitare, e cila për qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë, e bën kontrollimin”, thotë Elshani. Në anën tjetër, ekspertë të sigurisë vlerësojnë se, nëse ndodh një kthim masiv i tillë, atëherë kjo tregon se siguria në Kosovë është e mirë dhe njerëzit ndjehen të sigurt të kthehen. “Kjo do të ishte si një masë e ndërtimit të besimit. Bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë, se e sheh Kosovën si një entitet multietnik në të ardhmen. Kthimi i njerëzve në shtëpi tregon se ata po ndjehen të sigurt, dhe po vijnë në shtëpi sepse janë të sigurt. E di se të gjithë njerëzit e Kosovës do ta mirëpritnin këtë iniciativë, pasi që çon kah normalizimi”, i tha Radios Evropa e Lirë, Michael Page, ekspert i sigurisë në Sektorin për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme (ISSR). Ndryshe, Shërbimi Policor i Kosovës nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës së sigurisë, gjatë vizitës së misionit të Këshillit të Sigurimit në Kosovë. “Ne nuk kemi indikacione se do të ndodhë diçka, por jemi të përgatitur për çfarëdo situate. Ne kemi planin operativ ‘Siguria e rreptë’, që është në vazhdim e sipër dhe i cili është mjaft fleksibil. Nuk do të thotë kjo se ne do të ngrihemi në këmbë, do të kemi masa të shtuara çdoherë kur vjen ndonjë delegacion, sidomos tash kur janë duke u zhvilluar bisedimet për status. Mirëpo, nëse ka nevojë, ne jemi këtu”, tha Elshani. Në anën tjetër, Michael Page thotë se mund të ketë politikanë ekstremistë si në mesin e shqiptarëve, ashtu edhe të serbëve, që mund të organizojnë protesta gjatë kohës së vizitës së delegacionit të OKB-së, mision ky që do të mbledhë fakte për gjendjen në terren, para se Këshilli i Sigurimit të votojë për rezolutën e re për Kosovën. Megjithatë, Page thotë se delegacioni nuk do të përcillet me reagime. “Nuk do të ishte në interes të aktorëve kryesorë, që t’i kontribuojnë prishjes së sigurisë gjatë vizitës së misionit të Këshillit të Sigurimit. Në anën tjetër, disa politikanë ekstremistë nga të dy komunitetet, shqiptarë dhe serbë, mund të zgjedhin që të demonstrojnë, por unë jam i sigurt se ato protesta do të jenë të qeta”, tha Page, i cili beson se muajt e fundit, situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dukshëm dhe kjo, sipas tij, ka të bëjë me prezantimin e pakos së Ahtisaarit për statusin, gjë që sipas tij, ka bërë që qytetarët të presin zgjidhjen e shpejtë të statusit final. Por, tashmë shumë analistë kanë paralajmëruar se në rast të zvarritjes së zgjidhjes së statusit final, institucionet do ta kenë vështirë që ta menaxhojnë sigurinë.
XS
SM
MD
LG