Ndërlidhjet

RELIGJIONI DHE POLITIKA NË BALLKAN


Albana Isufi

Religjioni ka vendin e vet në shoqëritë e Ballkanit, por ai duhet të jetë pjesë e sferës private, e jo zëri dominues. Kështu është thënë në një konferencë mbi rolin e religjionit në sferën publike. Ekspertë të huaj dhe analistë kanë thënë se roli i religjionit në politikë dhe në identitetin kombëtar në Ballkan, duhet të ndërpritet me qëllim që të lejohet integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian. Obrad Saviq, profesor në Universitetin e Leedsit në Britani të Madhe dhe ligjërues në Institutin Kosovar për Komunikim Masiv dhe Gazetari, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar, por ka nënvizuar edhe rolin e tij negativ. “Për fat të keq, në pamje të parë dukemi si shtet laik. Por, faktikisht, ne jemi shtete fetare. Religjioni mund të jetë pjesë e krijimit të identitetit kolektiv të shqiptarëve, serbëve, maqedonasve dhe kujtdo në Ballkan, por nuk mund të bartë të drejtën e vendimmarrjes, përmes së cilës kryhet verifikimi i identiteteve kolektive. Në këtë kuptim, unë konsideroj, se roli i religjionit në Ballkan është negativ, dhe pa dyshim, edhe destruktiv”, tha Saviq. Por, në anën tjetër, analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi, thotë se bota shqiptare e Kosovës karakterizohet me një tolerancë ndërfetare, e cila nuk ka mundur të ketë shtrirje në proceset, ku merren vendimet, pra as në politikë. “Deri më tash, nuk është politizuar në atë masë që do të ishte brengosëse, për të vetmen arsye, pasi nëse më herët është shtypur nga komunizmi, në 20 vjetët e fundit së paku, te shqiptarët kemi një trysni të madhe të çështjes kombëtare dhe ka bërë që bashkësia islame të mos politizohet dhe të mos paraqitet me ndonjë kërkesë të veçantë”, është shprehur Shkëlzen Maliqi. Ndërkohë, që ekziston një bashkëpunim ndërfetar midis Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame, një gjë e tillë nuk ndodh mes këtyre dy institucioneve dhe Kishës Ortodokse Serbe. Sociologia Ana di Lelio, e cila ka qëndruar për një kohë të gjatë në Kosovë dhe tash ligjëron në KIJAC, thotë se është Kisha Ortodokse Serbe ajo që refuzon çdo bashkëpunim. Di Lelio fajëson Kishën Ortodokse Serbe edhe për mosintegrimin e serbëve në shoqërinë kosovare. “Kisha është shumë përgjegjëse për mosintegrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, sepse Kisha nuk lejon asnjë komunikim me palët tjera. Vitin e kaluar, duke iu falënderuar Kishës Norvegjeze, qe bërë një konferencë mbi dialogun fetar në Deçan, por këtë vit, një gjë e tillë ishte e pamundur, pasi që krerët e Kishës nuk lejojnë asnjë komunikim. Dhe, kjo për arsye se bisedimet për statusin po përfundojnë dhe se ka mundësi reale që Kosova të pavarësohet. Kisha këtë nuk do ta pranojë dhe nuk do të flasë për të”, theksoi Di Lelio, duke shtuar se Kisha Ortodokse Serbe ka ndikim të madh edhe në vetë politikën në Serbi. “Politika në Serbi është e influencuar nga feja, pasi që Kisha Ortodokse Serbe identifikohet me kombin serb, dhe në këtë pikë, duke iu falënderuar koalicionit me Qeverinë, së pari të qeverisë së Millosheviqit e tash të Koshtunicës, ky koalicion mes Kishës e Qeverisë po lejohet dhe raportet e tyre janë shumë, shumë të ngushta”, tha di Lelio, e cila një kohë ka punuar edhe si këshilltare e kryeministrit Çeku. Në konferencën ‘Religjioni në sferën publike’, të organizuar nga KIJAC dhe Forumi Ndërkombëtar i Bosnjës, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues fetarë nga Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, përderisa përfaqësuesit e Kishës Ortodokse nuk e kanë pranuar ftesën.

XS
SM
MD
LG