Ndërlidhjet

O'SULLIVAN:"PUTIN PO TENSIONON RAPORTET E PERENDIMIT ME RUSINË"


John O'SULLIVAN, ekspert në Institutin Hudson/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti rus Vladimir Putin tash sa kohë është duke përdorur fjalor shumë të ashpër për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara lidhur me Irakun, sistemin e mbrojtjes raketore dhe zgjërimin e NATO-s. Ku janë rrënjët e kësaj retorike kaq të ashpër të Moskës?

JOHN O'SULLIVAN
Kemi të bëjmë me dy elemente – zoti Putin është i arsimuar në sistemin e vjetër sovjetik dhe kur ai nuk është në qendër të vëmendjes, ai i kthehet retorikës së vjetër. Tjetri ka të bëjë mes synimin e tij për të rivënë rolin komandues në raport me disa vende të ish Bashkimit Sovjetik, përkatësisht të vënjes së influencës ruse. Duke vepruar kështu ai është duke ngritur temperaturën në raportet Perendim – Lindje. Në këtë kontekst ai është duke u përpjekur për të penguar vendosjen e sitsemit amerikan të mbrojtjes raketore në Evropën Lindore. Është gjithashtu një përpjekje tjetër e tij për të vënë kontrollin mbi furnizimin me energji. Në shumë aspekte ai është duke keqësuar raportet me Perendimin. Ndoshta ai nuk e ka për synim të fundit këtë, por rezultati është pikërisht ky.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se përpjekjet e Rusisë për të penguar sistemin amerikan të mbrojtjes raketore duhet cilësuar si kthim në diplomacinë e luftës së ftohtë. A pajtoheni?

JOHN O'SULLIVAN
Pjesërisht, por jo me kthim komplet te retorika e luftës së ftohtë. Vërtetë kemi të bëjmë me përsëritje të pikpamjeve të vjetra sovjetike. Moska është duke bërë përpjekje për të treguar se në zhvillimet ndërkombëtare nuk mund të bëhet asgjë pa u pyetur Rusia. Në këtë plan Putini e ka gabim dhe ai do të kuptoj se e ka gabim. Sistemi mbrojtës raketor vërtetë synon mbrojtjen nga raketat potenciale të Iranit. Përpjekjet e Moskës për të ndihmuar Iranin në zhvillimin e kapaciteteve bërthamore e bëjnë sistemin e mbrojtjes raketore të domosdoshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Statusi i Kosovës është një çështje tjetër në raportet Uashington – Moskë. Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara nuk përjashton përdorimin e vetos në rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. A mendoni se Rusia do të përdor veton në Këshillin e Sigurimit?

JOHN O'SULLIVAN
Nuk mund ta parashikoj se çfarë do të bëjë Rusia, por më duhet të përkujtoi se Rusia ishte kërcnuar me veto edhe në rastin e intervenimit ushtarak të NATO-s dhe intervenimi ishte bërë pa miratimin e Kombeve të Bashkuara. Rrjedhimisht, Rusia mund të përdorë veton, por vetoja nuk do të ketë efekt afatgjatë, sepse Rusia nuk ka ndikim real në Kosovë, ndërsa tentimi për t'u prezantuar si mbrojtës i sllavëve, në këtë rast serbëve, është një armë e zbrazët. Është fakt se kosovarët duan pavarësi. Këtë fakt evropianët e kanë pranuar me shumë hezitime dhe këtë në fund do ta pranoj edhe Rusia.

RADIO EVROPA E LIRË
Pyetja në vijim ka të bëjë me raportet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Toni Bler ka braktisur postin e kreministrit, ndërsa Nikolas Sarkozi është zgjedhur president i Francës. Ç'do të thotë kjo për raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit?

JOHN O'SULLIVAN
Është një lajm i mirë që Nikolas Sarkozi është shumë më pro - amerikan se ish presidenti Zhak Shirak. Zoti Braun nuk është më pro – amerikan se zoti Bler, por ai është realist dhe ka raporte të ngushta me demokratët amerikanë. Rrjedhimisht zoti Braun nuk do të lejoi që francezët të vendosin marrëdhënje më të ngrohta me Shtetet e Bashkuara se ç'kishte bërë Londra.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG