Ndërlidhjet

NEKIBE KELMENDI: NUK DUHET TË RRIMË DUARKRYQ, POR AS TË NGUTEMI


Nekibe KELMENDI, nënkryetare e LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës tashmë ka kaluar në Këshillin e Sigurimit, por edhe më tej nuk ka një pajtueshmëri në mes të Perëndimit dhe Rusisë. Duke marrë parasysh kundërshtimin rus për rezolutën e re, sa besoni se statusi i Kosovës do të zgjidhet përmes një rezolute të re të Kombeve të Bashkuara?

NEKIBE KELMENDI
Unë, megjithatë, mendoj se statusi politik i Kosovës do të zgjidhet përmes një rezolute të Kombeve të Bashkuara, sepse për këtë ekzistojnë shumë arsye. Njëra nga arsyet është që t’i lehtësohet Kosovës më shumë çështja e kërkesës së pranimit nga vendet tjera, e pranimit të pavarësisë. Me siguri se do të arrihet marrëveshja, por Rusia e ka atë lojën e vet, për të pasur përfitime politike për vete, e jo që e çan kokën për serbët, sepse as vet regjimi i Serbisë nuk e çan kokën për serbët e Kosovës. Ata, që më së shumti interesohen për serbët e Kosovës, janë shqiptarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme britanike, gjatë qëndrimit në Kosovë, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të rezolutës. Sa do të jenë të pranueshme kompromiset e mëtejme?

NEKIBE KELMENDI
Sa i përket palës kosovare, ne përmes një rezolute që e kemi nxjerrë në Parlamentin e Kosovës, e kemi mbështetur plotësisht pakon e zotit Ahtisaari dhe ne nuk kemi shmangie nga ajo pako. Mendoj se nuk ka alternativë tjetër, përpos pakos së Ahtisaarit, edhe pse ajo pako e Ahtisaarit e favorizon tej mase komunitetin serb, duke e diskriminuar pozitivisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, nëse nuk do të ketë rezolutë në Këshillin e Sigurimit, cili do të duhej të ishte hapi i kosovarëve? A do të duhej të shpallej pavarësia njëanshëm?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se ne nuk duhet të ngutemi. Ne duhet të presim të krijohet një situatë e tillë, e pastaj të ulemi me kokë të ftohtë të mendojmë dhe të gjejmë zgjidhje, e cila do të jetë e pranueshme, gjithsesi për popullin e Kosovës në radhë të parë, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Është e vërtetë, se ne nuk duhet të qëndrojmë duarkryq, duhet të përgatitemi, mirëpo megjithatë, besoj se një rezolutë do të nxirret.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, sa është i rrezikuar integriteti territorial i Kosovës, nëse merren parasysh deklaratat e disa udhëheqësve serbë, se në rast të pavarësisë së Kosovës, ata do të shpallin autonominë e veriut të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Ata mund ta shpallin edhe Kosovën shtet të tyre, por sa do t’ua pranojë bashkësia ndërkombëtare atë autonomi që ata do ta shpallin? Prandaj, shikuar nga ky aspekt, diçka që nuk pranohet nga askush, por ata e shpallin për vetëkënaqësi, atëherë nuk mendoj se rrezikohet veriu i Kosovës. Në tërësi, integriteti territorial i Kosovës nuk do të rrezikohet fare, aq më tepër kur ne kemi këtu forcat e KFOR-it, afër 15 mijë trupa, që për fat të mirë do të qëndrojnë edhe një kohë të gjatë, aq gjatë sa të vetëdijesohet Serbia se Kosova nuk është më pjesë e saj, përkatësisht se pushteti i Serbisë më nuk banon në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e tij të fundit, ka propozuar një moratorium dyvjeçar para anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, me qëllim që të gjendet një gjuhë e përbashkët mes Perëndimit dhe Rusisë. Si e komentoni ju këtë qëndrim?

NEKIBE KELMENDI
Për mua nuk është i pranueshëm ky qëndrim dhe jam kundër këtij qëndrimi. Përderisa ne me palën që është direkt e interesuar, e kjo është pala serbe, regjimi i Beogradit, për 15 muaj nuk kemi arritur te një marrëveshje e pranueshme, siç është marrëveshja e pakos së Ahtisaarit, atëherë edhe 200 vjet të kalojmë me ta, nuk merremi vesh. Kurse, Rusia sigurisht se do të lëshojë pe, sepse do t’i arrijë qëllimet e veta. Edhe ajo do të ketë favore politike, por për vete, jo për interesat e Serbisë, as për interesat e serbëve të Kosovës. Për vete do t’i arrijë disa favore, kështu që do të pajtohet me rezolutën, prandaj nuk është e nevojshme të shpallet një moratorium. Nga ana tjetër, një moratorium do të sillte telashe të reja për popullatën e Kosovës, e cila tanimë e ka humbur durimin, sepse gjatë e ka pritur pavarësinë dhe shtrenjtë e ka paguar.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga analistë të ndryshëm është thënë, se gjatë vizitës së presidentit Bush në Evropë, mund të sillet ndonjë vendim për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sa besoni ju, se qershori do të jetë muaji i një rezultati të tillë?

NEKIBE KELMENDI
Besoj se qershori do të jetë muaji vendimtar, por nuk e lidh pikërisht me vizitën e presidentit Bush. Ajo mund të ndodhë përpara, por mund të ndodhë edhe më vonë. Megjithatë, qershori do të jetë muaji vendimtari dhe besoj shumë thellë, se gjithçka për Kosovën do të dihet gjatë muajit qershor.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, në bazë të planit të Ahtisaarit, institucionet e Kosovës e kanë një agjendë të ngjeshur për ta përmbushur, gjatë periudhës së tranzicionit. Sa mendoni se do të jenë unike partitë politike, nëse kihet parasysh se deri tani nuk është arritur një marrëveshje për simbolet?

NEKIBE KELMENDI
Simbolet janë vetëm një prej atyre ligjeve, që janë paraparë të nxirren me pakon e Ahtisaarit. Ne jemi duke punuar shumë seriozisht dhe shumë kohë kemi kaluar duke punuar në ato ligje, në Kushtetutën e Kosovës. Por, të gjitha këto janë joformale. Prej sot e tutje, kur veç është themeluar Këshilli Kushtetues i Kosovës, përkatësisht prej ditës kur do të legjitimohet në Parlament, ne do t’i dorëzojmë organit legjitim gjithë materialet që i kemi përgatitur për ligjet, dhe besoj se do t’u ndihmojnë shumë, dhe do të arrijmë në kohë që t’i përmbushim të gjitha. Kurse sa i përket simboleve, unë nuk jam në Grupin e Unitetit, por megjithatë, besoj se të gjithë këta do të mendojnë jo vetëm për partitë e tyre, jo vetëm për interesat e dikujt, por do të mendojnë për Kosovën dhe do ta gjejnë një gjuhë të përbashkët. Mendoj se në këtë drejtim, nuk do të ketë përçarje në mes tyre, do të arrihet marrëveshja dhe do të gjendet edhe ajo për simbolet. Është mirë që është shpallur konkursi. Me siguri Lidhja Demokratike e Kosovës, ky është mendimi im personal, do të konkurrojë në atë konkurs, si parti politike, me simbolet e presidentit tashmë të ndjerë, dr Ibrahim Rugova.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të zgjidhen?

NEKIBE KELMENDI
Ajo është çështje e Parlamentit. Në Parlament do të vendoset. Gjithsesi, fjalën e fundit për çdo gjë do ta ketë Parlamenti i Kosovës.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG