Ndërlidhjet

SHBA-TË DHE RUSIA PËRPLASEN SËRISH RRETH STATUSIT TË KOSOVËS


Përfundoi pa rezultat takimi i ministrave të jashtëm të G8

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë përplasur sërish rreth të ardhmes së Kosovës në takimin e ministrave të jashtëm të 7 vendeve më të industrializuara të botës plus Rusinë, që u mbajt në Gjermani.
Rusia ka përsëritur kundërshtimin ndaj planit të Ahtisaarit dhe pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën.
"Fati i Kosovës dhe fati i Serbisë në tërësi nuk duhet të vendosen në Nju Jork, Potsdam apo në vende të ngjashme, por përmes bisedimeve të drejtpërdrejta.
Bisedimet nuk kanë dhënë ende rezultat, por ky nuk është rasti i vetëm kur për konfliktet është biseduar me vite", tha Lavrov.
Ndërkaq Sekretarja amerikane e Shtetit, Rajs përsëriti se është e papranueshme që Kosova të kthehet nën qeverisjen e Beogradit.
"Ne dhe një numër homologësh të mi evropianë besojmë se raporti i Ahtisaarit ofron bazën e drejtë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Dhe ky është rasti se Kosova nuk do të rikthehet në shtetin e Serbisë", tha Rajs, e cila shtoi se sheh një të ardhme evropiane si për Serbinë ashtu dhe për Kosovën.
Por homologu i saj rus, Lavrov theksoi se kërkonte drejtësi për Kosovën, e cila sipas tij mund të ishte e tillë vetëm në rast të një marrëveshje mes palëve.
Ndërkaq burimet diplomatike gjermane, që ishin dhe mikpritës të takimit thanë se debatet për Kosovën kanë qenë "të hapura, intensive dhe serioze". Serioze është fjala që përdoret nga diplomatët në vend të asaj të tensionuara.
Por ministri i jashtëm gjerman Shtainmajer theksoi se rëndësinë e miratimit të rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.
"Ne shpresojmë t'ia bëjmë të qartë Rusisë se pa një vendim nga Këshilli i Sigurimit nuk do bëjmë përparim në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë. Pa vendimin e Këshillit të Sigurimit nuk do ketë pergjegjësi evropiane në fushën e sigurisë në Kosovë", tha Shtainmajer.
Por megjithë kundërshtimet shefi i diplomacisë ruse Lavrov nuk është shprehur pro përdorimit të vetos në Këshillin e Sigurimit.
"Sa i përket përdorimit të vetos nga Rusia, shpresoj se nuk do të jetë e nevojshme. Shpresoj që partnerët tanë do t'i kuptojnë argumentat tona dhe mbështesin propozimin për vazhdimin e bisedimeve. Nga ana tjetër nuk mund ta imagjinoj një situatë ku Këshilli i Sigurimit do miratojë një rezolutë që është e papranueshme nga njëra nga palët. Nuk do të ketë një situatë të tillë", theksoi Lavrov.
Kosova pritet të jetë temë debati dhe në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të G8 që do mbahet po në Gjermani në fillim të qershorit, ku do jenë të pranishëm dhe presidenti Bush e Putin.

Përgatiti: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG