Ndërlidhjet

MODIFIKIMET E DRAFT-REZOLUTËS TË PRANUESHME PËR PRISHTINËN


Zijadin Gashi

Udhëheqësit kosovarë, si dhe partitë kryesore politike, konsiderojnë se modifikimet e fundit të bëra në draft-rezolutën e propozuar për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, nuk prekin në esencën e pakos së Ahtisaarit dhe si të tilla, për Prishtinën janë të pranueshme. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se perëndimi po përpiqet të sigurojë një tekst, që do të mbështetet nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë këtu edhe Rusinë, dhe u ka shprehur përkrahje këtyre angazhimeve, duke besuar se modifikimet në draft-rezolutën e re, nuk prekin në esencën e marrëveshjes. “Mendojmë se ka një përpjekje të jashtëzakonshme të të gjithë faktorëve, që të nxirret marrëveshje apo ujdi e përbashkët, për të pasur një tekst të mbështetur nga të gjithë. Ne besojmë në proces, besojmë në gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Flas edhe në vendet veç e veç, edhe në SHBA-të dhe BE-në, që të shtyjnë procesin mbarë. Pakoja e presidentit Ahtisaari dhe esenca e saj është e asaj përmbajtjeje dhe mendoj se nuk ka ndonjë intervenim në të, sikurse që është thënë gjithmonë”, theksoi presidenti Sejdiu. Ai tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës, ambasadorin Frank Wisner, i cili e kishte siguruar atë, se procesi në New York po ecën në kahun e duhur, drejt nxjerrjes së rezolutës së re. Po ashtu, edhe kryeministri Agim Çeku tha se ndryshimet e bëra janë koncesione që i bëhen Rusisë, por edhe si e tillë, kjo rezolutë, sipas tij, është e pranueshme për Kosovën. “Mendoj që ndryshimet që janë bërë, nuk janë substanciale. Besoj që janë një koncesion, që i është bërë Rusisë që ta pranojë këtë rezolutë, apo të abstenojë së paku. Besoj që më nuk ka nevojë të bëhet asnjë koncesion. Por, besoj se edhe kjo rezolutë si e tillë, neve na mundëson ta shpallim pavarësinë, dhe e autorizon pakon e Ahtisaarit që të jetë pako, në bazë të së cilës ne do ta rregullojmë shoqërinë tonë”, është shprehur kryeministri Çeku. Për dallim nga deklaratat e mëparshme, liderët kosovarë sot thanë se nuk duhet të flitet për data e afate kur do të miratohet rezoluta, por sipas tyre, me rëndësi është që SHBA-të dhe BE-ja e mbështesin planin e Ahtisaarit dhe rezolutën e re. Anëtari tjetër i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, tha se ndryshimet nuk janë problem për Kosovën, por sipas tij, mesazhet politike tregojnë se pavarësisht këtyre koncesioneve, ato sërish nuk po pranohen nga Rusia. “Ndryshimet nuk ndryshojnë fundamentalisht esencën e draftit. Megjithatë, me sa po shoh prej reagimit rus, këto ndryshime nuk do të mund të kalojnë, së paku kështu ishte paralajmëruar nga diplomacia ruse. Kështu që hyjmë në një fazë të vështirë, ku fuqitë e mëdha duhet të dakordojnë, jo tashmë një ndryshim apo një ndryshim tjetër të fjalëve në draft-rezolutë, por parimet mbi të cilat do ta zgjidhin këtë kontekst të hapur midis tyre”, tha Surroi. Ndërkaq, në një komunikatë me shkrim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thuhet se kryesia e kësaj partie vlerëson se drafti i rezolutës për Kosovën nuk ka pësuar asnjë ndryshim substancial dhe nuk dallon asgjë në përmbajtje nga drafti i përgatitur më herët. Kryesia e LDK-së vlerëson po ashtu, se nuk ka shmangie nga plani i Ahtisaarit për Kosovën, dhe se procedimi në Këshillin e Sigurimit i rezolutës së përgatitur nga SHBA-të dhe vendet e Unionit Evropian është mënyra për të zgjidhur çështjen e statusit të Kosovës. Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk mendojnë se ka ndonjë ndryshim që i kënaq interesat e tyre, lidhur me rezolutën apo pakon e Ahtisaarit. Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se edhe modifikimet e fundit janë më shumë çështje e retorikës politike. “Mendoj se bëhet fjalë më shumë për një retorikë, sesa për ndryshime thelbësore”, ka thënë Rada Trajkoviq, duke besuar se plani i Ahtisaarit për serbët paraqet një problem serioz. Në modifikimet e bëra në versionin e draft-rezolutës, nuk thuhet më se aprovohet, por përkrahet plani i Ahtisaarit. Pastaj, kërkohet emërimi i një emisari të OKB-së, i cili jo vetëm që do të ketë për detyrë të mbikëqyrë çështjen e refugjatëve dhe kthimin e tyre, por edhe procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Po ashtu, disa elemente nga Rezoluta 1244 janë bartur në këtë projekt-rezolutë, por ato thuhet se zbatohen vetëm gjatë fazës së tranzicionit prej 120 ditëve, përderisa UNMIK-u do të jetë në Kosovë. Më pas, bëhet thirrje për zbatimin e tërësishëm të planit të Ahtisaarit, i cili i ofron Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur, edhe pse kjo nuk përmendet në draft-rezolutën e re. Modifikimet e fundit në draft-rezolutën për Kosovën, besohet se janë pjesë e angazhimeve ndërkombëtare për të siguruar mbështetjen ruse, apo në rastin tjetër, për të evituar veton ruse lidhur me miratimin e kësaj rezolute.

XS
SM
MD
LG