Ndërlidhjet

TË DREJTAT E FËMIJËVE


Nadie Ahmeti

Fëmijët kosovarë nuk i gëzojnë të drejtat e tyre në nivelin e duhur dhe shumica prej tyre madje as që i njohin të drejtat që u takojnë. Kështu kanë thënë sot përfaqësues të organizatave joqeveritare, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Arbena Kuriu, nga Fondi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, tha se të drejtat e fëmijëve janë të drejtat themelore të njeriut, por dallimi është se fëmijët kanë nevoja të veçanta dhe rrjedhimisht, edhe të drejtat e tyre janë të veçanta. Sipas zonjës Kuriu, faktorë për shkeljen e të drejtave të fëmijëve janë kushtet e vështira sociale dhe ekonomike, por edhe vetëdija e ulët e njohjes së këtyre të drejtave. “Konventa për të drejtat e fëmijëve inkorporon të gjitha të drejtat në një dokument, të drejtat civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Pra, fëmijët kanë të drejtë si të rriturit”, shpjegon Arbena Kuriu. Dina Morina, nxënëse e klasës së pestë në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë, pohon se fëmijët megjithatë i njohin të drejtat e tyre, por realizimi i tyre është i vështirë. Dina thotë se të drejtat e fëmijës mund të mbrohen vetëm në ambientin familjar dhe jo jashtë këtij ambienti. “Të drejtat tona janë që arsimtarët dhe prindërit të mos përdorin dhunë ndaj fëmijëve. Por, ne duhet të lexojmë dhe ta shprehim atë që kemi”, pohon Dina. Ali Bajgora, nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, thotë se po të bëhet një krahasim në mes të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe realitetit aktual në Kosovë, standardet ndërkombëtare janë larg përmbushjes. “Nuk mund të jemi të kënaqur me standardet dhe respektimin e këtyre të drejtave, doemos edhe pse ka qasje pozitive dhe lëvizje pozitive në këtë drejtim. Por, do të mbetet edhe shumë për t’u bërë në arritjen e standardeve ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të fëmijëve”, shprehet zoti Bajgora. Mosrespektimi i Konventës ka rezultuar që fëmijëve t’u shkelen të drejtat në shumë fusha, tha Arbena Kuriu nga UNICEF-i. “Dihet që fëmijët, në çdo kohë, kanë të drejtë për arsim primar, pa pagesë, kanë të drejtë për shërbime kualitative shëndetësore dhe sociale pa pagesë, kanë të drejtë që të kenë trajtim të veçantë nëse kanë nevojë të posaçme, pra fëmijët me nevoja të veçanta. Dhe, kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset e ndryshme shoqërore”, pohon zonja Kuriu. Një segment, ku më së shumti shkelen të drejtat e fëmijëve dhe rrezikohet shëndeti i tyre, janë punët e rrezikshme që ata detyrohen t’i bëjnë, tha Ibrahim Selmanaj, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas tij, ministria tashmë ka formuar mekanizma për të sanksionuar të gjithë personat, që i detyrojnë fëmijët të marrin pjesë në aktivitete të rrezikshme. “Do të merren sanksione shumë të ashpra për njerëz të pandershëm, për prindër të pandergjegjshëm, për arsimtarë të pandërgjegjshëm dhe për qeveritarë të papërgjegjshëm, para përgjegjësive që kanë për qytetarin e Kosovës”, theksoi ministri Selmanaj. Puna e fëmijëve dëmton shëndetin dhe në të shumtën e rasteve pengon procesin arsimor, thotë Arbena Kuriu. Ajo pohon se punësimi i fëmijëve ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të atyre që braktisin shkollimin. “Fëmijët e kanë vendin në shkollë, në familje, në një ambient miqësor, ku mund të zhvillohen deri në maksimumin e potencialeve të tyre. Kështu që puna shpesh dëmton shëndetin, pengon procesin arsimor”, thotë zonja Kuriu. Një gjë të tillë e pohojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Habib Aliu, nga kjo ministri, thotë se ministria është përpjekur të krijojë një ambient të përshtatshëm për të gjithë fëmijët, por kushtet e vështira ekonomike po ndikojnë në braktisjen e shkollimit. “Ministria është munduar nëpërmes mekanizmave të vet, që të bëjë të mundur, madje ta bëjë joshës ambientin, për të regjistruar fëmijët, për të mos braktisur shkollën. Do të thotë, të bëjmë ambient më të bukur, shkolla në aspektin teknik, fizik të jetë më e bukur”, shprehet zoti Aliu. Ndryshe, 33 për qind e popullatës së përgjithshme të Kosovës janë fëmijë nën moshën 15 vjeçare. Në një gjendje më të rëndë, në kuptimin e rrespektimit të të drejtave të fëmijëve, sipas organizatave joqeveritare, gjenden fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.
XS
SM
MD
LG