Ndërlidhjet

NË NJË VIZITË, BUSH DO TË NDJEJË SHKËLQIMIN PRO-AMERIKAN


NEW YORK TIMES

Pika më kulminante e turneut evropian të presidentit të Shteteve të Bashkuara George Bush mund të jetë vizita në Shqipëri, një prej vendeve të pakta ku ai mund të relaksohet në ndjenjat e pakushtëzuara pro-amerikane, duke mos pasur para vetes asnjë protestues. “Shqipëria me siguri është një prej vendeve më pro-amerikane në Evropë, e mbase edhe në botë”, ka thënë prefekti i Tiranës Edi Rama, duke shtuar se askund në botë nuk ekziston një nderim dhe mikëpritje e këtillë për presidentin amerikan, madje as në Michigan.
Mijëra të rinj shqiptarë, janë pagëzuar me emrat Bill apo Hillary në shenjë falënderimi për rolin e adminisratës së Clintonit në shpëtimin e shqiptarëve nga lufta në Kosovë. Pas vizitës së nesërme, disa njerëz presin që një numër foshnjash të pagëzohen me emrin George. Për të ilustruar entuziazmin e Shqipërisë për të akomoduar zotin Bush, Parlamenti, më votë unanime, ka miratuar një ligj duke i mundësuar forcave amerikane që të angazhohen në çfarëdo operacioni, përfshirë këtu edhe përdorimin e forcës, për të ofruar siguri për presidentin. Një gazetë madje, në faqen e saj të parë, është botuar me titullin “Ju lutem na okuponi”.
Zoti Bush do të jetë presidenti i parë amerikan në pushtet që do ta vizitojë këtë vend dhe vizita e tij nuk do të mund të vinte në kohë më të përshtatshme: në tetëvjetorin e tërheqjes së forcave serbe nga Kosova dhe përfundimi i luftës atje.
Mbështetja e shqiptarëve për luftën në Irak është pothuajse unanime dhe çfarëdo rasti që shihet si dështim i mundshëm i politikës së jashtme amerikane, në Shqipëri injorohet. Dy ditë përpjekjesh për të gjetur këdoqoftë që mund të ketë kriticizëm ndaj Shteteve të Bashkuara rezultuan me vetëm një emër, i cili ishte jashtë shtetit. Çdo nxënës në Sqhipëri mund të tregojë se si presidenti Woodrow Wilson e ka shpëtuar Shqipërinë nga ndarja midis vendeve fqinje pas Luftës së Parë Botërore dhe çdo i rritur mban mend vizitën e James Bakerit më 1991, atëbotë sekretar shteti. Atëherë madje, ka ekzistuar edhe lëvizja për të mbajtur një referendum që do ta shpallte Shqipërinë shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara. Lulzim Basha, ministri i jashtëm shqiptar, ka thënë se “entuziazmi I shqiptarëve rreth kësaj vizite është i pamatshëm, thjesht i papërshkrueshëm”.
Vizita e zotit Bush është shpërblim për paraqitjen e Shqipërisë si një aleate e pakushtëzuar.
Dhe ajo që zoti Bush do të përfitojë nga kjo vizitë janë pamjet e turmave që e mirëpresin atë në një vend të dominuar nga myslimanët. I pyetur nga një gazetar shqiptar se çfarë i bie ndërmend kur mendon për Shqipërinë, zoti Bush është përgjigjur: “Një popull mysliman që mund të jetojë në paqe”. Shipëria ka një popullatë prej 70 përqind myslimanësh, me përzierje të madhe ortodokse dhe katolike. Për ta theksuar historinë e tolerancës së këtij vendi, presidenti Alfred Mojsiu do t’i dhurojë presidentit amerikan riprodhimin e një ikone ortodokse të shekullit të 18-të, me portrete të gdhendura të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, në kornizat e dy xhamive.
XS
SM
MD
LG