Ndërlidhjet

SEJDIU: KOSOVA - NË CIKLIN E DITËVE TË FUNDIT TË ZGJIDHJES SË STATUSIT


Arton Konushevci

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se takimi i sotëm, në Francë, i drejtorëve politikë të vendeve të Grupit të Kontaktit, përveç Rusisë, është pjesë e përpjekjeve për të nxjerrë një qëndrim unik për statusin e Kosovës. Megjithatë, Sejdiu beson se Kosova tani po hyn në ciklin e ditëve të fundit të zgjidhjes së statusit final. “Pres që të intensifikohet pozitivisht ky aksion. Dhe është e interesit tonë, atë që e kemi thënë edhe më parë edhe tani, që në Këshillin e Sigurimit të nxirret një rezolutë, që do të jetë e mbështetur nga të gjithë faktorët”, ka thënë presidenti Sejdiu, pas një takimi me kryetarët e komunave të Kosovës. Sejdiu, pasi që ka dhënë detaje të takimit të tij të djeshëm në Kukës me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, dhe kryeministrin Agim Çeku, ka shtuar se kjo që po bëjnë SHBA-të është kontribut i drejtpërdrejtë për të lehtësuar procesin në ditët e ardhshme. “Për ne është me rëndësi që Bashkimi Evropian, në këtë rast edhe SHBA-të, kanë qëndrim unik”, është shprehur presidentit Sejdiu. Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pas deklaratës për mbështetjen e fuqishme të pavarësisë nga presidenti i SHBA-ve, George Bush, tashmë çdo gjë është e qartë dhe Kosova vetëm pret vendimin për pavarësinë. “Ne jemi në pritje të vendimit për pavarësinë. Dhe sidomos, pas qartësimit të fuqishëm të presidentit Bush, mendoj se gjithçka është e qartë për popullin e Kosovës dhe diplomacinë ndërkombëtare. Prandaj, Kosova është e përgatitur për shtet të pavarur dhe sovran, është unike. Nuk është koha për shtyrje, është koha për vendim. Ne presim vendime dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt”, ka theksuar Thaçi. Por, tone më pesimiste për të ardhmen e Kosovës ka dhënë sot lideri i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi. Ai ka thënë se ndarja e Kosovës është një rrezik, të cilin duhet kalkuluar. “Kosova, qysh tash, është e ndarë në funksionimin e saj të drejtpërdrejtë, sepse institucionet e Kosovës nuk e administrojnë një pjesë të Kosovës”, ka thënë Veton Surroi, në një debat me qytetarë në Rahovec. Ai ka shtuar, se ajo që u pa në Tiranë, është se shqiptarët dhe kjo pjesë e Ballkanit i përkasin perëndimit dhe se vija ndarëse në mes nocionit të popujve të lirë dhe nocionit të Rusisë, është kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sido që të jetë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë sot, se në takimin e djeshëm me kryeministrin, Sali Berisha, e ka siguruar atë se institucionet e Kosovës do të kontribuojnë në stabilitetin dhe paqen në Kosovë. Kryeministri Sali Berisha ka takuar dje lidershipin kosovar në Kukës, pikërisht siç i ishte kërkuar nga presidenti Bush, që të përçonte te kosovarët mesazhin për ruajtjen e durimit dhe të stabilitetit në këtë fazë finale të përcaktimit të statusit final.

XS
SM
MD
LG