Ndërlidhjet

UNDP: 40% E SHQIPTARËVE DO TË PROTESTOJNË NËSE NUK MIRATOHET REZOLUTA


Arton Konushevci

Rreth 40 për qind e shqiptarëve në Kosovë kanë thënë se do të protestojnë, në rast se rezoluta e re për Kosovën nuk miratohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bazuar në planin e Martti Ahtisaarit. Kështu thuhet në një raport të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, i cili u publikua sot, pas anketimit të qytetarëve në muajin maj të këtij viti. Nga të anketuarit, 3 për qind kanë thënë se do të marrin armët në duart e tyre. Koordinatori i projektit, Yll Hyseni, ka dhënë detaje të mëtutjeshme të këtij raporti. “37 për qind e shqiptarëve deklaruan se do të protestojnë në mënyrë paqësore në rrugë. 38 për qind të tjerë kanë deklaruar se nuk dinë si do të veprojnë në atë rast. Ndërsa, 45 për qind e të anketuarve serbë kanë thënë se nuk dinë si do të veprojnë, në rast të mosmiratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit”, tha Hyseni. Por, sipas tij, ka banorë serbë, të cilët nuk do të ndiheshin mirë me rezolutën e re. “17 për qind e tyre do të protestonin në mënyrë paqësore, nëse propozimi miratohet nga Këshilli i Sigurimit. 9 për qind e serbëve do të festonin, kurse 6 për qind e serbëve do ta linin Kosovën edhe në rast se propozimi i Ahtisaarit nuk miratohet nga Këshilli i Sigurimit”, ka thënë Hyseni. Banorët serbë, në bazë të këtij raporti, besojnë se institucionet e Kosovës duhet t'i vazhdojnë bisedimet me Qeverinë serbe dhe me bashkësinë ndërkombëtare, në rast të mosnxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën. Por, pakicat tjera që jetojnë në Kosovë nuk dinë se çka do ishte dashur të bëjnë institucionet e Kosovës, në rast të mosmiratimit të rezolutës, thuhet në mes të tjerash në raportin e UNDP-së. Ndërkaq, Freud Mauring, udhëheqësi i UNDP-së, ka thënë se vetëm një nga gjashtë respondentët serbë nuk do të dëshironte të dilte një rezolutë e re nga Këshilli i Sigurimit. “Pika tjetër që dua të them lidhet me propozimin e Ahtisaarit, gatishmërinë e kosovarëve për ta implementuar atë. Është inkurajuese të dihet se vetëm një nga gjashtë persona, do të donte të shmangte implementimin e propozimit të Ahtisaarit, në rast të pavarësisë së njëanshme. Është inkurajuese të dihet se shumica dërrmuese e qytetarëve të rëndomtë përkrahin udhëzimet, që komuniteti ndërkombëtar ka ofruar për krijimin e një Kosove multietnike", tha zoti Mauring. Ndër të tjera, në këtë raport të UNDP-së, qytetaret kanë thënë se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë rekomandime nga bashkësia ndërkombëtare për mënyrën e vazhdimit të procesit, nëse nuk miratohet rezoluta. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, në këtë raport, jep edhe detaje të tjera mbi rritjen prej 5 për qind të besueshmërisë tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare, në krahasim me vitet e shkuara. Por, sipas tyre, këto institucione ndajnë përgjegjësinë për gjendjen e rëndë ekonomike.


XS
SM
MD
LG