Ndërlidhjet

NË KONGRESIN AMERIKAN PËRSËRITET MBËSHTETJA PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Kosova ishte në thelb të mosmarrëveshjeve në takimin e përbashëkt të ligjvënësve amerikanë dhe rusë që u zhvillua në Uashington. Ky ishte takimi i parë i kësaj natyre, madje i cilësuar dhe si historik.
Kreu i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Lantosh që drejtoi takimin përsëriti mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës si zgjidhja e vetme. Përfaqësuesi rus Aleksandër Kozlovski tha se pavarësia për kosovarët do krijonte precedent për një numër rajonesh në ish territoret e Bashkimit Sovjetik.
Lantosh theksoi se situata në Kosovë është e pakrahasueshme me ato në ish republikat sovjetike.
Të barazosh situatën në Kosovë me situata të tjera në ish Bshkimin Sovjetik, është historikisht e papërshtatshme dhe faktikisht e gabuar", tha Lantosh duke iu përpgjigjur paralelizmave të bëra nga anëtari i Dhomës së Ulët të Parlamentti rus, Kozlovski.
Lantosh theksoi se pavarësisht qëndrimit të Rusisë pas Shteteve të Bashkuara në mbështetjen për pavarësinë e Kosovës janë dhe vendet evropiane.
"Mund t'ju siguroj se një ditë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të njëjtën gjë do bëjnë dhe Britania, Franca, Gjermania, Hollanda Danimarka dhe të tjerët. Kështu Rusia ose mund të jetë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara brenda një zgjidhje në kuadër të Kombeve të Bashkuara bazuar në spastrimin brutal etnik që u bë në Kosovë ose të mbetet e vetme", tha Lantosh.
Edhe kongresmeni Engel përsëriti të njëjtin qëndrim.
"Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme besojmë ne në Shtetet e Bashkuara. Ose do ta bëjmë këtë në mënyrë të rregullt brenda planit të Ahtisarit ose në mënyrë të crregullt. Kosova mund të shpallë pavarësinë dhe Shtetet e Bashkuara ta njohin", tha Engel.
Në një tjetër takim të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, por tani të Senatit amerikan të drejtuar nga senatori Joe Biden janë diskutuar marrëdhëniet Rusi Shtetet e Bashkuara. Kosova ka qenë sërish një nga temat e debatuara.
Me këtë rast Daniel Fried ndihmës nënsekretari i shtetit për cështje të Evropës dhe Euroazisë e ka cilësuar pozicionin e Rusisë ndaj Kosovës si destabilizues dhe të papërgjegjshëm.
Fried, ashtu si kishte bërë dhe kongresmeni Lantosh para homologëve të tij rusë, theksoi se nuk mund të ketë paralelizma mes Kosovës dhe konflikteve rajonale në Gjeorgji e Moldavi, ndaj të cilave Moska ka shprehur hapur simpatinë.
"Deri tani Rusia vazhdon të hedhë poshtë cdo zgjidhje që nuk miratohet nga Serbia", tha Fried, sipas të cilit një qëndrim i tillë nuk e ndihmon situatën.
Debatet e fundit në Kongresin amerikan u zhvilluan vetëm një ditë pas paraqitjes së projektit të ri të rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, projekt që menjëherë u cilësua nga Rusia si i papranueshëm.

Përgatiti: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG