Ndërlidhjet

“VETËVENDOSJA”: MARSH PAQËSOR DHE ME AKSIONE ME KARAKTER ARTISTIK


Albana Isufi

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se protesta e nesërme kundër Ekipit Negociator dhe UNMIK-ut, do të jetë paqësore dhe se nuk do të ketë sulme ndaj institucioneve. Por, sipas kësaj lëvizjeje, janë paraparë aktivitete simbolike me karakter artistik. Aktivisti Glauk Konjufca ka thënë se protesta bën thirrje për referendum dhe vetëvendosje. “Do të jetë një marsh paqësor, që do të ketë për qëllim konfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës kundër misioneve për të na qeverisur dhe kontrolluar, kundër Ekipit Negociator, i cili po merr vendime kundër popullit të Kosovës pa e pyetur atë fare dhe në kurriz të tij, si dhe për vetëvendosje të pakusht për popullin e Kosovës, e cila teknikisht do të realizohej nëpërmjet një referendumi”, është shprehur Konjufca. As kësaj here ‘Vetëvendosja’ nuk ka marrë lejen e policisë për të organizuar protestën. “Ashtu sikurse herëve të mëparshme që nuk kemi marrë leje nga Shërbimi Policor i Kosovës, as kësaj here nuk kemi marrë leje nga SHPK-ja, e as nga regjimi i UNMIK-ut, pjesë e të cilit është edhe SHPK-ja”, ka thënë Konjufca. Por, në anën tjetër, Shërbimi Policor i Kosovës, përmes zëdhënësit të tij, Veton Elshani, ka bërë të ditur se protesta nuk do të pengohet dhe as nuk do të ketë bllokime të rrugëve. “SHPK-ja asnjëherë deri më tani nuk i ka ndaluar protestat e ‘Vetëvendosjes’ dhe as kësaj here nuk do t’i ndalojë ato. Përkundrazi, nëse mund t’i ndihmojmë, do t’i ndihmojmë, për çdo gjë që shkon në pajtueshmëri me ligjin, rendin dhe në përgjithësi me qetësinë e qytetarëve tjerë, që janë në Prishtinë”, ka theksuar Elshani. Ndryshe, Konjufca ka thënë se këtë herë pritet numër i madh i protestuesve dhe kjo, sipas tij, do të jetë meritë e mospunës së Ekipit të Unitetit. “Grupi Negociator, me veprimet e veta, gjithsesi se do t’i masivizojë demonstratat tona, një grup negociator, që tash mendoj se është i vdekur dhe nuk mund të ringjallet nga infuzionet ndërkombëtare”, është shprehur Konjufca. Analistë politikë kanë theksuar disa herë, se protesta kundër institucioneve për të bërë presion për zgjidhjen e statusit, është e pabazë, pasi që tashmë procesi nuk gjendet në duar të kosovarëve, por të fuqive të mëdha botërore. Sido që të jetë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, ditë më parë, protestat e 'Vetëvendosjes' i ka parë si faktorë, që mund të ndikojnë në eskalimin e situatës së sigurisë. Por, në anën tjetër, Shërbimi Policor i Kosovës ka siguruar, se në bashkëpunim me KFOR-in dhe policinë e UNMIK-ut, ndryshe nga protesta e 10 shkurtit, do të mund ta mbajnë situatën nën kontroll. Gjatë protestës së 10 shkurtit të 'Vetëvendosjes', dy protestues kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra nga shkrepja e plumbave të gomës, nga ana e policisë së UNMIK-ut.
XS
SM
MD
LG