Ndërlidhjet

TAKIMI BUSH - PUTIN NUK I KA PËRMBUSHUR PRITJET E PRISHTINËS


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues i Prishtinës ka konstatuar se takimi Bush – Putin nuk i ka përmbushur pritjet e tyre në lidhje me qartësimin e procesit të definimit të statusit të Kosovës. Vazhdimi i paqartësive për statusin e Kosovës, u tha se vjen si pasojë e qëndrimit të ngurtë të Rusisë ndaj çështjes së Kosovës dhe pavarësisë së saj. Përmes zëdhënësit të këtij ekipi, Skënder Hyseni, Prishtina ka kërkuar edhe sot hapa të shpejtë për miratimin e rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, duke tërhequr vërejtjen se durimi i Kosovës nuk do të jetë i pakufishëm. Zëdhënësi Hyseni tha se Ekipi kosovar për negociata nuk ka shumë informacione nga takimi Bush – Putin, por, sipas tij, shenjat e para tregojnë se nuk janë realizuar pritjet e Prishtinës nga ky takim. “Ajo që dihet është se qëndrimi i fortë, ose rigjid, rus vazhdon në këtë çështje. Dhe, i vetmi konstatim apo konkludim, te i cili mund të vijmë, është se si rezultat i këtij qëndrimi të ashpër të Federatës Ruse, edhe në këtë samit nuk do të ketë pasur ndonjë përparim në këtë çështje”, ka thënë Hyseni. Ai tha se Ekipi Negociues insiston në miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit mbi bazën e propozimit të Martti Ahtisaarit dhe rekomandimit për pavarësi të mbikëqyrur. Mirëpo, sipas zëdhënësit Hyseni, nëse çështja vazhdon të zvarritet, do të kërkohen edhe rrugë alternative. “Kosova nuk mund të presë deri në pakufi, ndonëse preferon një zgjidhje përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit, sepse është në interes të Kosovës. Megjithatë, Kosova, në momentin e duhur, do të shohë edhe rrugë alternative të rrumbullakimit të statusit”, ka theksuar Hyseni. Ndërsa përmenden rrugët alternative që nënkuptojnë dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës, Skënder Hyseni tha po ashtu se Prishtina vlerëson, se pavarësia e Kosovës përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit e bën shumë më të lehtë jetën e Kosovës pas statusit, sesa shpallja e njëanshme. Në çdo rast të mundshëm, Hyseni tha se vendimet e Kosovës do të jenë në harmoni dhe bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në. Ai paralajmëroi edhe një aktivitet diplomatik të liderëve kosovarë për ditët e ardhshme. Kështu, presidenti Fatmir Sejdiu dhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, do të nisen pasnesër për në Berlin, ku do të zhvillojnë një takim me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kurse javën tjetër presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku do të udhëtojnë për në Bruksel, për të takuar shefin e diplomacisë evropiane, Javier Solana.

XS
SM
MD
LG