Ndërlidhjet

SURROI: PAKOJA E AHTISAARIT MUND TË ZBATOHET VETËM NË KOSOVËN E PAVARUR


Zijadin Gashi

Pakoja e Ahtisaarit mund të zbatohet vetëm në Kosovën e pavarur dhe ajo nuk mund të zbatohet pjesërisht pa një vendim për statusin, thonë përfaqësues kosovarë, duke i komentuar zhvillimet e fundit në Këshillin e Sigurimit, lidhur me nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën. Anëtari i Ekipit të Unitetit në Prishtinë, Veton Surroi, tha sot se ka përpjekje që të merren vetëm pjesë të caktuara të pakos së Ahtisaarit, mirëpo ai rikujtoi se Prishtina, në qëndrimet e saj, ka deklaruar se ‘Paketa Ahtisaari’ mund të zbatohet vetëm në Kosovën e pavarur. “Tash kemi hyrë në një fazë tjetër, ku çdo draft është i një kategorie tjetër, nuk është i kategorisë që lidhet me aplikimin e paketës së Ahtisaarit. Ne kemi thënë që paketa mund të aplikohet vetëm me pavarësi. Ky është qëndrimi ynë dhe i imi personal. Tash po bëhen përpjekje që të shkëputen pjesë nga kjo paketë”, ka thënë Surroi. Ai u ka drejtuar sot dhe një letër anëtarëve tjerë të Ekipit të Unitetit, nga të cilët ka kërkuar të mblidhen në një takim të përbashkët dhe të dalin me qëndrime para Kuvendit të Kosovës, lidhur me hapat e mëtejmë rreth çështjes së statusit të Kosovës. Surroi, si një prej anëtarëve të Ekipit të Unitetit, nuk ka shpalosur shumë detaje të kësaj letre, por ai tha se e ka ftuar delegacionin e Kosovës që ta analizojë procesin, i cili tashmë ka hasur në pengesa serioze. “Ka të bëjë me një analizë të rrugës që e kemi kaluar dhe një ftesë që të bisedojmë për disa prej çështjeve sfiduese, që na presin në të ardhmen. Fillimisht, duhet të bisedojmë ne në Ekipin e Unitetit. Dhe pastaj, këtë debat duhet ta zhvillojmë më tutje deri në Kuvend të Kosovës”, ka theksuar Surroi. Në anën tjetër, analistët vlerësojnë se drafti më i ri i rezolutës, i cili nuk parasheh statusin e Kosovës, por vetëm zëvendësimin e misionit të UNMIK-ut me atë të BE-së, është optimumi që mund të arrihet në këtë fazë, duke pasur parasysh qëndrimet e ngurta të Rusisë. Analisti Dukagjin Gorani thotë se diplomacia ndërkombëtare po bën përpjekje të fusë misionin e BE-së në Kosovë, i cili ndryshon në thelb nga misioni administrues i UNMIK-ut. “Ideja e kësaj rezolute, në fakt, është, nëse mund të thuhet kësisoj, kontrabandimi i Bashkimit Evropian si mision monitorues dhe zëvendësimi i administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. Tash, ajo që është me rëndësi, është se misioni monitorues i BE-së nuk do të jetë më mision administrues dhe kjo vetvetiu nënkupton që Kosova do të administrohet nga strukturat e veta”, vlerësoi Gorani. Ai tha po ashtu se gjendja faktike në Kosovë do të ndikojë që pavarësia e Kosovës edhe ‘de jure’ të arrihet diku në mesin e vitit të ardhshëm. “Nuk është kjo situatë që opinioni kosovar duhet ta kapë me këso nervozizmi situatën e krijuar politike në botë, për shkak të këtij konteksti juridik. Shumë më shumë ishte dashur të përqendrohemi në përmirësimin e situatës faktike. Dhe, unë mendoj që me ardhjen e misionit të BE-së, megjithatë fillon një stad i ri, një fazë e re e zhvillimit në kontekstin faktik”, është shprehur Gorani. Bazuar në njoftimet e deritashme lidhur me draftin e ri të rezolutës, në rast se miratohet në Këshillin e Sigurimit, ajo parasheh largimin e UNMIK-ut nga Kosova dhe zëvendësimin e tij me misionin e BE-së, ndërkohë që do të vazhdonin për një kohë të caktuar bisedimet Prishtinë–Beograd në lidhje me statusin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG