Ndërlidhjet

RRITEN KËRKESAT PËR ZGJIDHJEN E KONTESTEVE PRONËSORE


Arton Konushevci

Parashikimi i Agjencisë Kosovare të Pronës se mund të jenë vetëm 11 mijë kërkesa për zgjidhjen e kontesteve pronësore, ka rezultuar të jetë i gabuar. Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, deri më sot janë 24930 kërkesa, që janë paraqitur për shqyrtim në agjenci. Zyrtari për marrëdhënie me publikun, Arian Krasniqi, thotë se agjencia po vazhdon edhe më tutje të pranojë ankesat e qytetarëve lidhur me kontestet pronësore. “Në bazë të parashikimeve më të hershme, numri i kërkesave pranë AKP-së është menduar të jetë deri në 11 mijë, mirëpo sot, në momentin kur po flasim, ky numër është tejkaluar dukshëm, për të mos thënë që është dyfishuar. Deri më sot, kemi 24930 kërkesa të paraqitura pranë AKP-së dhe ky trend i paraqitjeve të kërkesave vazhdon edhe më tutje, edhe pse tash jemi në sezonin e verës, por me një intensitet pak më të vogël”, tha Krasniqi. Sipas tij, komisioni për kërkesa pronësore, këtyre ditëve, është duke bërë vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga qytetarët e Kosovës. Pas shqyrtimit të dokumenteve, komisioni i njofton palët e përfshira në çështjen kontestuese dhe merr vendim për t'u larguar nga prona personi që konsiderohet se ka uzurpuar pronën e huaj. Nëse palët nuk pajtohen me vendimin e marrë nga komisioni, ata, në bazë të ligjit, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme të Kosovës, në afat prej 30 ditësh. Vendimi i gjykatës është vendimtar. Deri më tash, sipas Arian Krasniqit, brendapërbrenda Kosovës kërkesat më të mëdha për zgjidhjen e çështjeve pronësore vijnë nga rajoni i Pejës. “Prin rajoni i Pejës, do të thotë me 8589 kërkesa për konteste pronësore. Kjo në përqindje i bie 34.5 për qind. Ndërsa, nëse e lokalizojmë në komunë, atëherë Komuna e Istogut është ajo që prin me numrin e kërkesave, me gjithsejtë 3486 ose 14 % e totalit të numrit të përgjithshëm të kërkesave, që deri më tani janë parashtruar pranë AKP-së”, bëri të ditur Krasniqi. Ndërkaq, kohë më parë, zyrtarë ndërkombëtarë të AKP-së patën thënë se më së shumti kërkesa për zgjidhjen e problemeve pronësore kanë arritur nga të zhvendosurit serbë, që gjenden në Serbi e Mal të Zi. Sidoqoftë, Arian Krasniqi thotë se agjencia nuk bën klasifikimin e kërkesave të qytetarëve sipas përkatësisë së tyre etnike. “Kërkesat vijnë nga të gjitha grupet etnike në Kosovë, nga shqiptarët, serbët, romët, boshnjakët etj. Janë kërkesa legjitime për riposedim të pronës, sepse palët pretendojnë se kanë të drejtë në një pronë të caktuar. Është detyrë e komisionit për kërkesa pronësore, që të merret vendimi pasi të jenë shqyrtuar në detaje të gjitha ato argumente, që janë paraqitur pranë komisionit”, theksoi Krasniqi. Zyrtarët e kësaj agjencie thonë se deri më 3 dhjetor, të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët mendojnë se kanë humbur pronësinë apo të drejtën pronësore mund të paraqesin kërkesa ne AKP. AKP-ja në bazë të një rregulloreje të UNMIK-ut, ka mandatin të zgjidhë kërkesat që rrjedhin nga konflikti i armatosur në mes të 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në lidhje me pronën e paluajtshme private, që përfshin pronën bujqësore dhe komerciale dhe ka tre funksione kryesore: pranimin dhe regjistrimin e kërkesave specifike për pronën e paluajtshme private, zbatimin e vendimeve përfundimtare ligjore dhe administrimin e pronave të braktisura.
XS
SM
MD
LG