Ndërlidhjet

PRISHTINA THOTË SE ËSHTË E GATSHME PËR BISEDIME


Arton Konushevci

Në pritje të fillimit të bisedimeve të reja midis Prishtinës dhe Beogradit, pala kosovare pohon se është gati për fillimin e këtij procesi negociator. Kështu, të paktën, ka pohuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri. “Ne, këtë javë, presim që të definohet rruga e re 120 ditore për Kosovën. Takimi i Grupit të Kontaktit në Londër dhe ardhja e tyre në Prishtinë është momenti kur definitivisht do të fillojë raundi i ri i konsultimeve. Për ne ka qenë moment që e kemi pritur, sepse dëshirojmë ta përfundojmë pjesën e punës, në mënyrë që më 10 dhjetor të raportohet nga treshja. Treshja dhe Grupi i Kontaktit mund të mbajnë takime mes vete, por sa i përket Kosovës, ne jemi gati. Agjenda jonë është e qartë, parimet tona janë të miratuara, kemi mandatin e Parlamentit dhe ne do ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë”, është shprehur Haziri. Fatmir Limaj, nënkryetar për çështje politike në Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në këto bisedime, Prishtina duhet të hyjë me qëndrimin se pavarësia e Kosovës është kompromisi që shqiptarët po bëjnë në Ballkan. Sipas tij, të gjithë ata që tentojnë ndryshimin e kufijve të Kosovës, do të futen në një rrezikshmëri, të cilën askush në Kosovë nuk e dëshiron. “Kosova e pavarur është kompromisi, nuk është zgjidhja optimale, por është kompromisi që po bëjnë shqiptarët në Ballkan. Çfarëdo tendence për të hapur çështje, për të diskutuar rreth ndarjes dhe krijesave të reja artificiale, nënkupton hartën e rajonit, që do të futen në një rrezikshmëri, të cilën Kosova dhe populli i Kosovës nuk e dëshiron. Ne, me këtë kompromis që e kemi pranuar, kompromis shumë i dhimbshëm, kemi dëshiruar që të reflektojmë paqe dhe stabilitet në Ballkan. Dhe, ne fuqishëm qëndrojmë prapa këtij kompromisi, që përfundimisht edhe rajoni të fillojë fazën e konsolidimit dhe rrezatimit demokratik, që do të ishte kusht ose parakusht për t’u futur në familjen evropiane”, ka thënë Limaj. Këto ditë, statusi i Kosovës është ndërlidhur edhe me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme, për të cilat thuhet se do të mund të organizohen në nëntor. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se muaji nëntor është afati ligjor i mbajtjes së zgjedhjeve, por, sipas tij, nuk duhet të lejohet që procesi i statusit të kërcënohet për shkak të zgjedhjeve. “Duke pasur parasysh se statusi është prioritet kryesor, ne nuk guxojmë të lejojmë asnjëherë që të kërcënohet procesi i përmbylljes së statusit, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve, sepse ju mund ta llogarisni, që për shkak të dallimeve në mes të Grupit të Kontaktit, mund të vijë deri te konstatimi që për shkak të zgjedhjeve, të shtyhet statusi. Prandaj, ne do t’i qëndrojmë besnikë legjitimitetit dhe afatit kohor për nëntor, se besojmë që më 10 dhjetor do të përmbyllet procesi i statusit dhe më pas do të vendoset vetëm data. Por, synimet tona janë që zgjedhjet të mbahen në afat ligjor dhe angazhimet tona janë që statusi të kryhet brenda këtij viti. Mundësia e shtyrjes për shkak të statusit ekziston, por jo për ndonjë arsye tjetër. Ky është qëndrim dhe nuk besoj se mund të ketë shtyrje të zgjedhjeve më shumë se disa javë”, ka theksuar Haziri. Mbi këtë çështje, zoti Limaj ka thënë se edhe opozita i respekton ligjet dhe se data e zgjedhjeve duhet të shpallet në kuadër të kornizave ligjore. ”Ne i përmbahemi ligjit. Ne kërkojmë që të shpallet data e zgjedhjeve dhe në kushte normale, në kohën e afatit të rregullt të zgjedhjeve mund të kërkohen zgjedhjet e parakohshme, por asnjëherë nuk kam dëgjuar që duhet të shtyhen zgjedhjet. Shtyrja e zgjedhjeve duhet të ketë diçka të jashtëzakonshme. Mendoj që zgjedhjet duhet të mbahen në afatin kohor të rregullt. Qëndrimi i PDK-së fuqishëm qëndron në atë që sa më shpejt të zyrtarizohet data, sepse edhe klasa politike ka nevojë të bëjë parapërgatitjet e veta brendapërbrenda partive politike. Por, njëkohësisht, mendoj se edhe njerëzit, qytetarët e Kosovës duhet të dinë se kur do të shkojë në zgjedhje vendi i tyre dhe t’u jepet kohë për të menduar dhe votuar”, ka thënë Limaj. Rreth çështjes së zgjedhjeve, së fundi ka pasur edhe disa debate, nëse zgjedhjet lokale do të duhet të mbahen veç e veç, për të shmangur tensionimet e mundshme. Edhe zoti Haziri, sot, ka pranuar se një mundësi e këtillë ekziston, nëse faktori politik vendos që zgjedhjet t’i ndajë në dy data të ndryshme. Ndërkaq, vendimin përfundimtar për këtë çështje do ta marrë shefi i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker.

XS
SM
MD
LG