Jonuz SALIHAJ, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Salihaj, sistemi i drejtësisë, edhe pas përcaktimit të statusit, pritet të jetë i mbikëqyrur nga misioni i ardhshëm ndërkombëtar. Çfarë mendoni ju, a keni nevojë për mbikëqyrje ndërkombëtare?
JONUZ SALIHAJ
Mbikëqyrjen e kuptoj pak më gjerë se që është mbikëqyrja në kuptimin e ngushtë të fjalës. Mbikëqyrjen e kuptoj më shumë si përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare, që Kosova të arrijë parametrat e standardet e nevojshme për t’u inkuadruar në Bashkimin Evropian. Parametrat është më së vështiri të plotësohen në sundimin e ligjit. Besoj se kjo do të ishte përgjigja më e saktë, përndryshe ne në këtë fazë, nga ajo që kam parë deri tash, jam i bindur se kemi nevojë për një monitorim, kemi nevojë për një monitorim bukur të kujdesshëm sidomos të gjyqësorit, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës, edhe të gjykatave dhe të prokurorive. Jo në sistemet tjera, sepse në sistemet tjera, në shërbimin korrektues, provues dhe në sektorët tjerë, ne veç e kemi ndryshuar situatën për të mirë. Por, në gjyqësor, meqë janë grumbulluar problemet kaherë, mund të them me dekada, na duhet një mbikëqyrje patjetër. Dhe, meqenëse nuk kemi krijuar mekanizma mbrojtës për gjykata dhe prokurori, jemi në fazën e krijimit të policisë gjyqësore dhe të njësitit mbrojtës për gjyqtarë dhe prokurorë, ne na duhet një monitorim, derisa t’i krijojmë këto mekanizma të fuqishëm.
RADIO EVROPA E LIRË
Organizata të ndryshme ndërkombëtare, si OSBE-ja, Human Rights Watch etj. në disa raste kanë thënë se në sistemin e drejtësisë, në Kosovë, ka lëshime jo të pakta në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Cilat janë vështirësitë, me të cilat përballeni ju si ministri në këtë drejtim?
JONUZ SALIHAJ
Vështirësitë janë të shumta në sistemin e drejtësisë. Nëse kufizohemi më shumë në gjyqësor, vështirësitë kanë të bëjnë me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura dhe me numrin e vogël të lëndëve që pas zgjidhjes ekzekutohen. Do me thënë, është problemi edhe i ekzekutimit të lëndëve, për shkak të këtyre faktorëve që përmenda edhe më parë. Diku-diku edhe në sektorë, për shembull, numri i këtyre lëndëve që ekzekutohen është shumë i vogël. Ka pasur edhe në Parlament pyetje prej deputetëve se përse bëhet kjo. Normalisht, faktori i parë është që ka shumë lëndë dhe ka pak gjyqtarë e prokurorë, ndërsa faktori tjetër është që shpesh nuk mbulohemi me polici, nuk kemi polici gjyqësore dhe nganjëherë nuk mund të ekzekutohet edhe vendimi, aktgjykimi pra që është i drejtë, kthimi i pronës e kështu me radhë. Normalisht, problemet më të mëdha janë me prona dhe kemi probleme në ekzekutimin e këtyre lëndëve. Unë besoj se draft-ligji për policinë është duke u përgatitur, ku një kapitull do t’i kushtohet policisë gjyqësore. Do të thotë, baza ligjore me ligjin për polici do të rrumbullakohet në favor të gjyqësorit. Kur kësaj t’i shtohen edhe dy drafte që janë në procedurë, ligji për gjykata dhe prokuroritë, besoj se do të rrumbullakohet ajo baza legjislative, e domosdoshme për të funksionuar gjyqësori në mënyrë efektive, kur dihet se kemi dy kode mjaft moderne që janë në fuqi, që janë të nënshkruara; e kemi po ashtu, të vetmin në regjion, kodin për të mitur, që është diçka e mirë për regjionin. Unë besoj se shumë shpejt do të mund të arrihet kjo bazë legjislative, e cila e siguron një efikasitet në gjyqësor. Normalisht, gjyqësori vazhdimisht do të monitorohet dhe do të vlerësohet në perioda të ndryshme, unë besoj se do të bëhen vlerësime tremujore, gjashtëmujore, afatshkurta, afatmesme, afatgjata, për gjyqësor. Vlerësimet që kanë bërë organizatat e huaja, në përgjithësi, nuk mund të themi se kanë qenë negative, por janë evidencuar lëshime. E kam pritur që të evidencohen lëshime, por mund t’ju them se në të gjitha vlerësimet thuhet se shumicën absolute të lëndëve e zgjidhin gjyqtarët vendorë, vetëm një numër të vogël të lëndëve e zgjidhin gjyqtarët ndërkombëtarë, që punojnë në kushte shumë më të mira, dukshëm më të mira, sesa gjyqtarët dhe prokurorët vendorë.
RADIO EVROPA E LIRË
Kritikat nuk janë të pakta as nga organizatat vendore për të drejtat e njeriut, të cilat më së shumti janë të përqendruara në korrupsion. Cilat në të vërtetë janë përmasat e kësaj dukurie në strukturat e drejtësisë?
JONUZ SALIHAJ
Ne kemi një agjenci anti-korrupsion, që është një trupë administrative dhe bashkëpunojmë shumë mirë, sepse ne kryesojmë standardin e dytë, sundimin e ligjit. Roli i kësaj agjencie është që të grumbullojë praktikisht materialin e nevojshëm, ku ka dyshime, dhe ta dërgojë atë në prokurori. Sipas të gjitha gjasave, ka zyrtarë të lartë që hetohen. Ky proces sigurisht që do të shkojë në rritje dhe ne kemi dërguar sinjale shumë pozitive bashkëpunuese në këtë sektor, sepse nuk ka rrugë tjetër përveç standardeve të larta dhe sundimit të ligjit. Nuk është kurrfarë çudie, kurrfarë befasie, nëse një zyrtar i lartë ka keqpërdorur pozitën dhe ai përgjigjet. Kjo ndodh gjithkund dhe do të mësohemi të ndodhë edhe tek ne. Sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, ne e kemi punuar një draft-ligj për origjinën, për prejardhjen e pasurisë për zyrtarë të lartë publikë, nga presidenti deri te zyrtarët në asamble komunale dhe kjo përfshin pra një gamë të lartë të zyrtarëve publikë. Nuk do të thotë që këtij verifikimi të origjinës së pasurisë të mos i nënshtrohen edhe të tjerët, sepse mund të jetë dikush që ka keqpërdorur edhe në OJQ, për shembull, e që nuk është objekt i këtij draft-ligji, i cili më vonë sigurisht do të bëhet ligj, sepse është kusht për të shkuar Kosova në BE.
RADIO EVROPA E LIRË
Një prej problemeve më të mëdha thuhet se është edhe çështja e zvarritjes së lëndëve nëpër gjykata. Pse ndodh kjo?
JONUZ SALIHAJ
Kjo nuk vlen për të gjitha gjykatat. Në disa gjykata komunale kemi vërtet numër shumë të madh të lëndëve dhe normalisht që ka zvarritje të këtyre lëndëve. Gjykata komunale e Prishtinës ka në të vërtetë shumë lëndë dhe pak gjyqtarë, mandej Gjykata Komunale e Pejës, e Mitrovicës, e Gjilanit kanë probleme serioze me lëndë. Ne po përpiqemi që të reagojmë shumë shpejt në rritjen e numrit të gjyqtarëve, meqenëse procesi i riemërimit nuk ka filluar ende. I kemi disa kufizime, por po bëjmë përpjekje që nga disa gjykata që nuk kanë shumë punë, gjyqtarët e tyre t’i marrim e t’i dërgojmë në qendra ku ka shumë punë. Për shembull, nga Gjykata e Dragashit i kemi dërguar në Prizren, nga Gjykata Ekonomike në Prishtinë i kemi dërguar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, që ka shumë punë. Mandej, nga Gjykata Komunale e Skenderajt, që nuk ka shumë lëndë, i kemi dërguar në Mitrovicë, e kështu me radhë. Pra, po përpiqemi jo ta zgjidhim situatën, por ta sanojmë në këtë moment, derisa të hapet procedura për gjyqtarë të rinj dhe prokurorë të rinj. Edhe pse ne kemi probleme serioze buxhetore, ne kemi 421 gjykatës dhe prokurorë, nuk kemi më shumë. Nevojat janë për 80 gjyqtarë të rinj dhe 20 prokurorë të rinj, do me thënë ky numër të rritet për 100. Ne jemi duke luftuar si Ministri e Drejtësisë dhe si këshill gjyqësor i Kosovës që ta arrijmë këtë, për të arritur standardet, në mënyrë që mos të jemi vazhdimisht në rend dite për numrin e lëndëve që po zvarriten dhe nuk po zgjidhen.
INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI