Ndërlidhjet

M. TRAJKOVIQ: NDARJA E KOSOVËS DO TË KRIJOJ SHQIPËRINË E MADHE DHE SERBINË E VOGËL


Intervistë me Momçillo Trajkoviqin, lider i Nismës Serbe të Rezistencës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Trajkoviq, cilat janë pritjet e juaja nga faza shtesë e bisedimeve për statusin e Kosovës, që po udhëhiqen nga treshja ndërkombëtare?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Unë nuk pres se do të vijë deri te përafërimi i qëndrimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit për arsye se nuk ka kompromis dhe se asnjëra palë nuk është e gatshme që përmes kompromisit të vijë deri te zgjidhja e çështjes së Kosovës. Po të ishin të gatshme për kompromis, nuk do të vinim në këtë gjendje ku jemi. Prandaj, unë pres që kompromisi të gjendet në nivelin më të lartë, pra këtu kompromisin duhet ta kërkojnë Amerika, Evropa dhe Rusia. Nëse para së gjithash ndërmjet Amerikës e Rusisë arrihet përgjigja në këtë çështje, unë jam i sigurt se do të shkohet rrugës së përafërimit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithnjë e më tepër po spekulohet për zgjidhje të shumta, përfshi edhe ndarjen e Kosovës. Cili është mendimi i juaj, sa janë reale pritjet që Kosova mund të përfundoj e ndarë pas këtij procesi?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Unë mendoj se kjo është zgjidhja më e keqe. Zgjidhja më e keqe e mundshme, ngase ndarja e Kosovës nuk nënkupton asgjë tjetër pos institucionalizimit afatgjatë të krizës në rajon. Për mua, ndarja e Kosovës do të thotë Shqipëria e madhe dhe Serbia e vogël. Për mua ndarja e Kosovës nënkupton vendosjen e parimeve që do të vlenin edhe për të tjerët, si në Serbi ashtu edhe në rajon e më gjerë. Sipas kësaj, ashtu si është për mua pavarësia e Kosovës një precedent mjaftë i rrezikshëm i cili në fakt e ndanë Serbinë, ashtu edhe ndarja e Kosovës do të hapë konflikte dhe nuk do të zgjidhte asgjë. Mendoj se zgjidhja evropiane është zgjidhja që shpie kah integrimet, para së gjithash kah integrimet evropiane. Pse ne sot do të ndaheshim dhe ngrehnim mure ndarëse, nëse nesër do të shkojmë kah Bashkimi Evropian. Kur të hiqen këto mure ndarëse, kur do të vendoset një sistem universal, kur do t’i kemi integrimet, do të kemi valutën e njëjtë dhe tregtinë e përbashkët pa zona doganore, ashtu si po e shohim Evropën, pse ne të humbim kohë me ngritjen e mureve kur ato nesër do të duhet t’i rrënojmë nëse duam të vendosim paqen në këtë pjesë të rajonit. Prandaj unë ketë e konsideroj si kjo do të ishte vetëm humbje kohe dhe në fund të fundit kjo do të nxiste konflikte të reja që nuk do të qetësonte gjendjen, por ashtu si e thash në fillim do të ishte institucionalizim i krizës që do të zgjaste shumë, shumë gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë situatë, cila konsideroni se do të jetë pozita e serbëve të Kosovës në pjesën qendrore dhe ajo e serbëve të Kosovës në pjesën veriore të Kosovës pas fazës shtesë të bisedimeve?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Ne po bëjmë një luftë të vështirë që të jemi subjekt në zgjidhjen e krizës së Kosovës. Në këtë moment kyç, ne, sidomos ne serbët e pjesës qendrore të Kosovës jemi të eliminuar nga procesi i zgjidhjes dhe jemi shndërruar në objekt politik të atyre faktorëve që punojnë në zgjidhjen e krizës së Kosovës. Ne jemi objekt politik i bashkësisë ndërkombëtare, i palës shqiptare, dhe më duhet të them se ne jemi objekt politik edhe i Beogradit i cili është më së shumti përgjegjës që ne nuk na ka inkurajuar dhe nuk na ka dhënë më shumë hapësirë që ne të paktën në ato pjesë të zgjidhjes së krizës së Kosovës që kanë të bëjnë me gjendjen në terren, dialogun me shqiptarët dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme, jemi të përjashtuar dhe në këtë mënyrë, si e thash jemi shndërruar në objekt. Unë kam frikë që nesër, edhe nëse do të gjendej zgjidhja më e mirë edhe kompromisi, nuk do të ketë se kush ta implementoj, përkatësisht nuk janë krijuar autoritetet politike nga pala serbe që do të mund të zgjidhin këto procese. Prandaj, konsideroj se është mjaftë keq që ne po anashkalohemi. Mirëpo, këto janë procese politike. Ne do të përpiqemi të imponojmë rrëfimin tonë duke mos e përjashtuar Beogradin në të drejtën që ka për të zgjidhur statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë Beogradi kërkon kthimin e forcave serbë ne Kosovë. Sa mund të jetë reale kjo mundësi?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Mendoj se nuk është reale dhe nuk ka nevojë për njëfarë patriotizmi të zbrazët. Unë mendoj se Rezoluta duhet të respektohet, ngase Rezoluta parasheh kthimin e një pjesë të administratës, ushtrisë dhe policisë, ashtu si është definuar aty, por duhet të krijohen kushtet. Nuk ka kthim dhe nuk ka zgjidhje, nëse këtë nuk e pranojmë të gjithë. Pse shfrytëzohet kjo tani kur ka raporte të nxehta kjo është çështje e pozicionimeve politike. Unë nuk jam ithtar i njëfarë patriotizmi të zbrazët, por i një politike të guximshme të njërës dhe palës tjetër. Çka është Rezoluta 1244, çka do të bëhet me të, cilat procese do të vazhdojnë tutje, këto janë procese që varen nga ne, por jo para së gjithash vetëm ne, ngase ato varen para së gjithash nga fuqitë e mëdha dhe ato të gjitha këto do t’i zgjidhin. Ne duhet që me guxim e mençuri të gjitha çështjet t’i shtrojmë në tavolinë në mënyrë që të gjithat të shqyrtohen dhe gjithçka të vihet në funksion të përafërimit të qëndrimeve dhe gjetjes së kompromiseve në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG