Ndërlidhjet

PRISHTINA NUK PRANON OPSIONE TJERA NGA PAKOJA E AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Pala kosovare nuk do të hyjë me ide e opsione tjera në bisedimet shtesë për statusin e Kosovës, ka pohuar sot presidenti Fatmir Sejdiu. Ai tha se pavarësia e Kosovës, si edhe ruajtja e tërësisë territoriale të saj, janë të panegociueshme në këtë proces. Këto komente, Sejdiu i bëri bashkë me anëtarët tjerë të Ekipit Negociues, pas një takimi që negociatorët kosovar zhvilluan me Ekipin Politik – Strategjik në kuadër të përgatitjes së platformës për bisedimet e ardhshme, fillimisht të parapara të mbahen më 30 gusht në Vjenë. Presidenti Sejdiu tha se mund të ketë ide nga më të ndryshmet, por Prishtina, sipas tij, nuk ka lëvizur nga pozicioni i mëhershëm, duke e konsideruar se Pakoja e Ahtisaarit përmban kompromise të dhimbshme mbi të cilin nuk mund të kalohet me lëshime tjera.

“Nuk ka ide që do të hapin ndonjë proces tjetër që nënkupton rinegocimin e asaj që e kemi kapërcyer, sepse ne kemi kapërcyer një periudhë shumë të rëndësishme, pavarësisht nga fakti se nuk ka pas një rezolutë në finalen mbështetëse në Këshillin e Sigurimit, por ka qenë një proces që Kosova e ka kapërcyer edhe me kompromiset e mëdha që i ka bërë në atë materie, por natyrisht edhe me zotimet se edhe do ta zbatojmë”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi përsëriti qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës, paraqet vet kompromisin në këtë proces. Thaçi tha se pala kosovare shkon në këto bisedime me qëndrime të qarta se kërkon që parimet e grupit të Kontaktit të respektohen, si edhe me kërkesën që askush nuk mund ta pengoj pavarësinë e Kosovës një anshëm, siç veproi Rusia në Këshillin e Sigurimit.

“Qëndrimet tona janë shumë të qarta, pavarësia e Kosovës me mbikëqyrje civile fillimisht ndërkombëtare, është kompromisi ynë, pastaj respektimi i parimeve të Grupit të Kontaktit se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm, por edhe do të kërkojmë që assesi në mënyrë të njëanshme të mos pengohet zyrtarizmi i pavarësisë së Kosovës dhe njohja ndërkombëtare, sepse po mos të kishim një bllokadë të njëanshme nag Rusia, Kosova tash e tre muaj do të ishte e pavarur”, theksoi Thaçi.
Në anën tjetër, Veton Surroi, kryetar i partisë reformiste Ora, kërkoi hapa më energjik ët kosovarëve dhe institucioneve të saj, duke rikujtuar se pavarësia e Kosovës është çështje e Kosovës dhe qytetarëve të saj. “Institucionet e Kosovës kanë nevojë ta përgatisin vendin për pavarësi deri në fund të këtij viti. Institucionet e Kosovës kanë nevojë të marrin pjesën ë procesin negociator gjithashtu, njëra çështje nuk e përjashton tjetrën, por nëse institucionet e Kosovës nuk e përgatisin vendin për pavarësi, atëherë pavarësia do të shtyhet. Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm çështje e bashkësisë ndërkombëtare, ngase ajo i nevojitet qytetarëve të Kosovës fillimisht dhe institucionet kanë obligim me e përmbush këtë obligim deri në fund të vitit”, pohoi Surroi.
Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu ka pohuar në vazhdim se pala kosovare nuk do të merret me propozimet apo idetë e Beogradit, pasi që Serbia sipas tij, do të përpiqet në vazhdimësi që ta pengoj zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai tha se Prishtina e ka rrugën e vet dhe kërkon që ky proces të mbyllet sa më shpejt.
“S’dua të them me çka do të merret Serbia, sepse përpjekja e saj është për të prolonguar, komprometuar procesin dhe për të mos pas zgjidhje asnjë herë. Për ne është me rëndësi të prezantojmë një qasje të drejtë, një të drejtët ë natyrshme të popullit të Kosovës e kjo është e drejta për lirinë dhe mëvetësinë e saj”, tha Sejdiu.
Ndryshe, në kuadër të përgatitjes së takimit të Vjenës, ku është paralajmëruar se pala kosovare dhe ajo e Beogradit do të zhvillojnë takime të ndara me treshen ndërkombëtare, nesër në Prishtinë është paralajmëruar se do të vijë dhe Wolfgang Ischinger, përfaqësues i Treshes nga Bashkimi Evropian. Pas kësaj vizite, u tha se do të dihet më mirë dhe agjenda e takimit të radhës në Vjenë.

XS
SM
MD
LG