Ndërlidhjet

GJERGJI:”NËNA TEREZË – PERSONALITET I PAPËRSËRITSHËM NË HISTORINË E KISHËS DHE NJERËZIMIT”


Dom Lush GJERGJI, autor i biografisë së Nënës Terezë

RADIO EVROPA E LIRË
Dom Lush Gjergji, dhjetë vjet pas vdekjes së Nënës Terezë cilat janë kujtimet që keni për të dhe për punën me të cilën ajo u bë e njohur në botë?

DOM LUSH GJERGJI
Unë e kam njohur atë që në vitin 1968, si student i filozofisë në Romë dhe e kam përcjellë pak a shumë gjatë tërë jetës, deri në kalimin në amshim, më 1997. Mund të them se që prej takimit të parë që pata si dhe në takimin e fundit, gjithmonë ndjenja ka qenë si të ishte hera e parë, para një personaliteti të jashtëzakonshëm, para një nëne të mirë dhe të madhe, para një shenjtëreshe të gjallë. Kjo më ka detyruar të merrem me të dhe të mundohem me 13 libra ta ndriçoj jetën dhe veprën e saj, sidomos dy periudha të panjohura, 18 vjetët e fëmijërisë dhe rinisë në Shkup dhe 18 vjet si motër e Loretos. Mbetet personalitet tejet i rrallë dhe i papërsëritshëm në historinë e Kishës dhe në historinë e njerëzimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në qarqe të ndryshme ndërkombëtare janë ngjallur debate mbi një libër që përmban letrat e Nënës Terezë, në të cilat, siç thuhet, ajo ka përshkruar dëshpërimin shpirtëror në disa periudha të jetës së saj, për shkak të disa dyshimeve. Cili do të ishte komenti juaj mbi këtë çështje?

DOM LUSH GJERGJI
Qarqet laike nuk e kanë kuptuar një gjë që është e rëndësishme në historinë e Kishës, e sidomos në historinë e të shenjtëve apo shenjtëreshave të mëdha. Sa më e madhe të jetë shenjtëria, aq më të mëdha janë vuajtja, sprova, baticat apo zbaticat, apo kryqi. Kështu që edhe Nëna Terezë, në disa momente të jetës së saj, pati një lloj zbrazëtie, një lloj mangësie të asaj që ishte kënaqësia shpirtërore për të shërbyer Zotin në njeriun dhe njeriun në Zotin. Mirëpo, ajo, me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, jo vetëm që i tejkaloi të gjitha këto dhe i mbeti besnike Zotit, Kishës dhe mbarë njerëzimit, por dha një dëshmi se nuk kishte periudha shterpe; sa më vështirë që ishte, ajo aq më e madhe u dëshmua në jetë dhe në veprim. Prandaj, këto sprova, këto kryqe, këto batica apo zbatica, këto mungesa të ndjenjës së plotë të pranisë dhe të dashurisë së Zotit, për të ishin vetëm një thellësi apo lartësim drejt Zotit dhe drejt njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë, këto të ashtuquajturat tundime janë gjetur në letrat e shkruara nga Nëna Terezë?

DOM LUSH GJERGJI
Po, postulatori Pater Bryan i ka mbledhur letrat që nga viti 1946, kur filloi periudha e thirrjes në thirrje e deri në kalimin në amshim, nuk di a në formë integrale apo si të përzgjedhura. Këto letra i ka botuar dhe dje ia ka dorëzuar Papës Benedikti XVI, me një dëshirë dhe një kërkesë që të shihet shpirti i saj, lufta e saj e brendshme dhe mbi të gjitha fuqia e fesë dhe frymëzimi i dashurisë, që nuk kanë munguar kurrë, sepse edhe në momentet kur ajo hetonte në vetvete zbrazësi apo largësi prej Zotit, gjithmonë ishte e buzëqeshur, gjithmonë ishte e sigurt, gjithmonë jetoi për Zotin dhe për njeriun dhe kurrë nuk është marrë me vetveten apo me çështjet e brendshme familjare, kombëtare, kishtare, shqiptare, edhe pse të gjitha ato i mbante në shpirt dhe në zemër. Dhe, këtu është madhështia e Nënës. Nëna flijohet dhe dhurohet për të mirën e të gjithëve. Nëna Terezë, duke folur për këto momente të errëta apo për ndërprerjen e komunikimit mes Zotit dhe saj, e ka përdorur një figurë stilistike, për mua shumë të qëllueshme dhe të mrekullueshme; thotë: ‘Zoti luan me ne sikurse nëna që luan me fëmijën apo me foshnjën e saj’; fshihet diku pas dere apo në një kënd, fëmija fillon ta kërkojë andej e këndej dhe nëse nuk e gjen për një kohë, fillon të qajë dhe atëherë nëna me gëzim i lajmërohet dhe triumfon dashuria – edhe nëna edhe fëmija janë shumë të lumtur pas një loje të tillë. Kështu janë sprovat që Zoti ia lëshon shpeshherë njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thotë e gjithë kjo për Kishën Katolike?

DOM LUSH GJERGJI
Mendoj se pas këtyre letrave, siç tha Pater Bryan, do të dëshmohet edhe një herë shenjtëria e saj edhe më e madhe, besnikëria e saj, luftërat e saj të brendshme, e sidomos thesari i saj i jashtëzakonshëm, që ishte dashuria në vepër ose dashuria në veprim. Kisha Katolike me Nënën Terezë e ka një përvojë krejtësisht të re, sepse ajo nuk mundohet më për t’i kthyer të tjerët në krishterim, por e kuptoi njëherë e përgjithmonë se Zoti është dashuri dhe nuk duhet të bëjmë asgjë tjetër përveç t’ua dëshmojmë dhe t’ua dhurojmë njerëzve Zotin në dashuri dhe ky ishte misioni i saj. Për këtë arsye tejkaloi çdo kufi hapësinor apo kohor. Çdo institucion i saj ishte për Zotin dhe për njeriun, prandaj tejkaloi kufijtë racorë, gjinorë, kastorë, fetarë, etnikë dhe u bë dhe do të mbesë Nëna e njerëzimit, misionarja e parë pas 2000 vjetësh, e cila në kuptimin e plotë është e krishterë dhe i ndihmon botës mbarë, hinduizmit, budizmit, islamizmit, si dhe vetë ateistëve që ta njohin Zotin-dashuri dhe vëllanë-njeri.

RADIO EVROPA E LIRË
Dom Lush Gjeri, një çështje tjetër, që është duke u debatuar në këtë kuadër, është edhe dilema nëse Nëna Terezë do të dëshironte që letrat e saj të bëheshin publike në botë. Çfarë mendoni ju?

DOM LUSH GJERGJI
Mendoj se nuk kërkonte publicitet dhe popullaritet. Prandaj, nga ky aspekt, nuk besoj se do të dëshironte. Mendoj, personalisht, se ajo nuk ka shkruar dhe nuk ka vepruar asgjë që të tjerët ta dinë, por ka shkruar dhe ka vepruar vetëm e vetëm me një qëllim, në nder dhe lavd të Zotit dhe në dobi dhe në të mirë të popullit, sidomos të të mjerëve. Por, sigurisht se nuk ka çka të fshehë, sepse madhështia e saj ishte e tillë, aq e pastër si loti. Prandaj, çfarëdo që të ketë në letrat e saj, do ta rrisin edhe më tepër fytyrën e bijës, motrës dhe nënës shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, Dom Lush Gjergji, dhjetë vjet pas, cila është trashëgimia që Nëna Terezë i la botës?

DOM LUSH GJERGJI
Një trashëgimi e jashtëzakonshme dhe e madhe që unë jam munduar ta zbërthej në dy pika - kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Nëna Terezë ishte mbrojtëse e jetës në çdo anë dhe kënd të botës, duke u nisur prej kraharorit të shenjtë të nënës në shtatzëni, deri te varfëria, mjerimi, papunësia, sëmundjet, braktisjet, alkoolizmi, droga, prostitucioni, terrorizmi, SIDA. Nëna Terezë e thoshte një parim të mrekullueshëm: ‘Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne’. Prandaj, është mbrojtësja më e guximshme dhe më e madhe e jetës, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. ‘Jeta ka kuptim vetëm kur ka dashuri dhe pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim’, janë fjalët e Nënës Terezë dhe vetëm dashuria do ta shpëtojë botën. Prandaj, këto dy shtylla, mendoj se e përfshijnë, në një mënyrë, figurën madhore të Nënës Terezë - kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Dhe, njerëzimi me shekuj do të hulumtojë thesaret, të cilat janë në shprehje në jetën dhe në veprat e Nënës Terezë.

INTERVISTOI: BEKIM BISLIMI
XS
SM
MD
LG