Ndërlidhjet

BETEJA PËR KOALICIONET PARAZGJEDHORE


Albana Isufi

Deri pasditen e së martës, gjashtë subjekte politike nga radhët e minoriteteve kanë dorëzuar listat e kandidatëve në Komisionin Qendror Zgjedhor. Ndërkohë, partitë e mëdha politike shqiptare po vazhdojnë betejën për të krijuar koalicione parazgjedhore, para së të përfundojë afati i certifikimit të subjekteve politike. Pragu zgjedhor prej 5 për qind ka bërë që partitë e vogla të lidhin marrëveshje me subjektet politike që konsiderojnë se nuk e kanë problem të jenë pjesë e legjislativit. Së fundi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se është në negociata për të lidhur koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Zyrtarë të AAK-së thonë se pothuajse e kanë të gatshme listën zgjedhore, të cilës i prin kreu i partisë, Ramush Haradinaj. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një konferencë për media, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar të Prishtinës, Genc Merakun, thotë se edhe pse nuk ka lidhur koalicion parazgjedhor, AAK-ja do të vazhdojë partneritetin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën AAK-ja aktualisht është në bashkëqeverisje. “Ne jemi në bisedime për koalicion të mundshëm me partitë tjera që janë të interesuara; në veçanti kemi pasur kontakte me LPK-në, kemi pasur oferta edhe nga partitë tjera. Kemi konsideruar se Aleanca ka një identitet të fuqishëm dhe mund të shkojë si e vetme. Realisht, për koalicion parazgjedhor nuk kemi biseduar me LDK-në, por jemi të interesuar që të vazhdojmë edhe më tutje si partnerë”, ka thënë Isufi. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Fatmir Sejdiu, ka lidhur koalicion me Partinë e Re të Kosovës, të Bujar Bukoshit, ndërkohë që thuhet se janë në negociata me Partinë Shqiptare Demokristiane të Zef Morinës. Ndërkaq, subjekti që ka nënshkruar më së shumti koalicione të tilla është Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit. Deri më tash kjo parti ka nënshkruar marrëveshje me Aleancën Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Edita Tahiri, me Gjergj Dedajn të Partisë Liberale të Kosovës, si dhe me Partinë Social-Demokrate të Kaqusha Jasharit. Lidhja Demokratike e Dardanisë hyn në garë zgjedhore me Partinë Shqiptare Demokristiane të Mark Krasniqit. Megjithatë, partive u mbeten edhe më shumë se 24 orë për të lidhur koalicione, para se t’i dorëzojnë listat në KQZ. Kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se deri më tani janë 6 subjekte politike nga radhët e minoriteteve që i kanë dorëzuar listat, por këtë gjë s’e ka bërë ende asnjë nga partitë shqiptare. “I kanë dorëzuar 6 subjekte politike, të vogla janë, nuk mund t’ju them me saktësi, janë të minoriteteve. Asnjë prej këtyre partive nuk janë nga shumica. Shumica do të presin momentin e fundit, sidomos partitë e mëdha, që kanë punë shumë e ndoshta vështirësi, mos të them probleme, me zgjedhjen, propozimin e verifikimin e kandidatëve të caktuar”, tha Baraliu. Koalicionet parazgjedhore, një përvojë e re për skenën politike kosovare, sipas Baraliut, do të ndihmojnë në rirreshtimin e forcave politike. “Thjesht do të ndikojnë dukshëm në rirreshtimin e forcave politike, në kondensimin e tyre jo vetëm në projekte, por edhe në relacion me elektoratin dhe elektorati do të ketë një bindje tjetër që të votojë, meqë e ka më lehtë të përcaktohet”, ka thënë Baraliu. Ndryshe, zyrtarë të KQZ-së kanë takuar sot shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, për të diskutuar përgatitjet teknike për zgjedhjet e 17 nëntorit. Ruecker konsideron se zgjedhjet lokale dhe parlamentare do të jenë sfiduese edhe nga çështja teknike, edhe nga ajo politike. Ai ka thënë se suksesi i zgjedhjeve varet nga subjektet politike, duke shtuar se është thelbësore që subjektet politike të respektojnë afatet teknike, përfshirë edhe atë të certifikimit. Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se sfida më e madhe për KQZ-në mbetet koha e shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG