Ndërlidhjet

ZGJEDHJET (S’) DO TË NDIKOJNË NË STATUSIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Proceset paralele të zgjedhjeve dhe ai i statusit janë vlerësuar se mund të ndikojnë në njëri-tjetrin, andaj me shpalljen e datës së zgjedhjeve, shefi i administratës së UNMIK-ut, në bashkëpunim me liderët vendorë, janë marrë vesh që zgjedhjet mund të shtyhen nëse ato në një moment vlerësohet se po ndikojnë në rrjedhën e procesit të statusit të Kosovës. Mirëpo, kjo çështje vlerësohet në mënyra të ndryshme nga analistët. Baton Haxhiu konsideron se zgjedhjet nuk do të ndikojnë në statusin e Kosovës, ngase, sipas tij, Ekipi aktual Negociues edhe ashtu nuk do t’ia dalë të përmbyllë procesin e statusit të Kosovës. “Procesi zgjedhor përfundon një kapitull. Aty shihen dobësitë dhe të mirat gjatë këtij procesi negociator. Unë nuk shoh ndonjë mundësi reale që ky Ekip i Unitetit të mbajë peshën e unitetit gjatë kësaj periudhe. Tek e fundit, ata e kanë për detyrë që ta përfundojnë 120 ditshin pa asnjë rezultat. Ekipi i Unitetit krijohet menjëherë pas zgjedhjeve”, tha Baton Haxhiu. Ai nuk beson se shefi i UNMIK-ut do të shtyjë datën e zgjedhjeve, pavarësisht se ka disa kërkesa nga disa parti politike vendore për një gjë të tillë. “Nuk ka gjasa që zgjedhjet të shtyhen dhe asnjë për qind nuk ka gjasa që ato të interferojnë në status”, vlerëson Haxhiu. Në anën tjetër, analisti Driton Lajçi vlerëson se zgjedhjet, megjithatë, ndikojnë në angazhimet e kosovarëve në procesin e statusit. Ai thotë se angazhimet aktuale në caktimin e listave të partive politike po tregojnë se energjitë e spektrit politik janë të përqendruara në zgjedhjet dhe se ky përqendrim do të tërheqë edhe qytetarët nga një proces në tjetrin. “Partitë politike e kanë vënë si prioritet listën e kandidatëve, koalicionet e mundshme dhe temë diskutimi edhe nëpër biseda janë zgjedhjet. Kjo është njëfarë shmangieje nga statusi final dhe mendoj se do të duhej që prioritet i prioriteteve të jetë statusi i Kosovës”, pohon Lajçi. Sipas tij, zgjedhjet nuk kanë qenë zgjidhje e mirë e lidershipit kosovar, pavarësisht afateve ligjore e kushtetuese, për shkak të përqendrimeve në përmbylljen e procesit të statusit të Kosovës. Ai merr si shembull zgjedhjet e dhjetorit të kaluar në Serbi, të cilat patën ndikuar në shtyrjen e procesit, andaj edhe në rastin e Kosovës, Lajçi thotë se nuk sheh arsye pse këto zgjedhje nuk do të ndikonin sërish në një shtyrje tjetër. “Ne kemi investuar me dekada të tëra, me vite të tëra, me angazhime, me aktivitete, me lëvizje, me demonstrata, me luftë, që ta kemi statusin e Kosovës sa më të favorshëm, të jetë shteti i Kosovës. Dhe, mendoj se nuk është dashur që tash për tash të ndërhyhet”, thekson Lajçi. Ndërsa zgjedhjet në të dy nivelet janë caktuar për datën 17 nëntor, pak javë më pas, më 10 dhjetor, pritet të mbyllet faza e angazhimeve shtesë në procesin negociues për statusin e Kosovës. Përfaqësuesit vendorë janë zotuar se do të përkujdesen që gjatë kësaj kohe vakuumi institucional të jetë sa më i shkurtër, ndërkohë që janë marrë vesh po ashtu që puna e Ekipit aktual Negociues të vazhdojë deri në formimin e institucioneve të reja, që do të dalin nga zgjedhjet e ardhshme.
XS
SM
MD
LG