Ndërlidhjet

FERIZAJ: PAPUNËSIA - BARRË E RËNDË


Arton Konushevci

Udhëkryqi kryesor i Ferizajt është vendi i preferuar i Nazmi Ramadanit, në të cilin ai çdo ditë del për të shitur cigare. Ramadani tregon se dhjetë vjet me radhë ka kërkuar punë në Qendrën Rajonale për Punësim, por, siç thotë ai, nuk ka pasur kurrë asnjë mundësi për të punuar as në ndërmarrje shoqërore, e as në ndonjë private. “Sot-nesër, sot-nesër, nuk ka asgjë. Jemi dhjetë anëtarë të familjes. Po punoj një ditë aty, një ditë aty. Sa i përket komunës, vdes nga uria. Komuna ka dëshirë që votat t’ua jap atyre, e ata të shëtisin me vetura 200-300 mijë eurosh, kurse për ne, për popullin nuk ka asgjë”, shprehet zoti Ramadani. Ai nuk është i vetmi qytetar ferizajas që kërkon punë. Drejtori i Qendrës Rajonale për Punësim, Bislim Lekiqi, thotë se në këtë qendër qytetarë të shumtë çdo ditë e më tepër kërkojnë punë. Deri më tash, sipas tij, kjo qendër ka pasur mundësi të punësojë vetëm 410 qytetarë, kurse numri i atyre që kërkojnë punë arrin deri në 34 mijë e 692 persona, në gjithë rajonin e Ferizajt. “Kemi arritur të ndërmjetësojmë 410 persona. Vetëm gjatë këtij muaji kanë gjetur punë, përmes ndërmjetësimit nga Qendra Rajonale për Punësim, 68 persona. Jemi në ekonominë e tregut dhe interesimi i ndërmarrjeve për momentin nuk shprehet përmes strukturave organizative shtetërore apo formave të tjera. Bashkëpunimin me Kuvendin Komunal në Ferizaj e me të tjerët e zhvillojmë përmes kontakteve të rregullta. Natyrisht, mundësia e sjelljes së vendeve të lira me ndërmjetësimin e komunës nuk mund të vijë në shprehje, për shkak të asaj se ne jemi si institucion dhe kërkesat e punëdhënësve kryesisht drejtohen direkt tek ne”, thotë zoti Lekiqi. Sipas tij, mosha e punëkërkuesve është nga 16 deri në 55 vjeç, ndërsa mbi 17 mijë persona janë nga 25 deri në 39 vjeç. Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Dukagjin Hetemi, pranon se në komunën e tij ka numër të madh të qytetarëve që kërkojnë punë, por ai thotë se Kuvendi Komunal i Ferizajt ka bërë mjaft punë në mënyrë indirekte për të ulur papunësinë. “Mund të them që një nga vështirësitë më serioze ka qenë papunësia, për arsye se edhe procesi i privatizimit, i cili aktualisht është në fazën përfundimtare në komunën tonë, ka ndikuar shumë që çështja e papunësisë të jetë më e theksuar. Duke pasur parasysh që Kuvendi Komunal jo vetëm i Ferizajt, por të gjithë kuvendet komunale nuk kanë mundësi që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojnë në punësimin e njerëzve, në punësimin e të rinjve, megjithatë ato kanë bërë përpjekje. Mund të them që Kuvendi Komunal i Ferizajt ka bërë shumë përpjekje që çështjen e papunësisë në mënyrë indirekte ta zbusë. Mund ta përmendi një rast, kur komuna ka ndarë dy zona industriale dhe parcela në këto zona industriale kanë përfituar, përkatësisht kanë marrë bizneset prodhuese, që ekskluzivisht kanë pasur obligim punësimin e një numri të caktuar të punëtorëve dhe që pa asnjë obligim të vetëm kanë mundësi ta shfrytëzojnë parcelën në një afat dhjetëvjeçar, pra pa asnjë obligim të vetëm ndaj kuvendit komunal”, shpjegon zoti Hetemi. Por, Agush Tasholli, një tjetër qytetar ferizajas, shprehet se komuna nuk është duke i përmbushur premtimet e dhëna për përmirësimin e kushteve për banorët e këtij qyteti. “Këta të komunës asnjë premtim nuk janë duke realizuar. Secili po shikon për vete e jo për popull”, thotë ai. Ndërkaq, zoti Dukagjin Hetemi bën të ditur se kuvendi komunal ka ndarë një fond prej 70 mijë eurosh për rastet e rënda të varfërisë së skajshme, përfshirë këtu edhe familjet e dëshmoreve dhe të veteranëve të luftës. Megjithatë, jo të gjitha familjet në nevojë kanë përfituar nga ky fond. Nga ana tjetër, i riu nga Ferizaj, Mentor Haziri, shpjegon se në mungesë të vendeve të punës, shumë ferizajas kanë mësyrë Irakun dhe Afganistanin, pavarësisht se për shkak të jostabilitetit politik e të sigurisë në këto vende atyre edhe mund t'u kanoset jeta. “Problemi i papunësisë në Kosovë është shumë i madh. Të rinjtë e kanë problem numër një papunësinë. Shumica e tyre janë të involvuar në bazën Bondsteel, ku janë të punësuar. Shumica e tyre janë në projekte të ndryshme në Lindjen e Mesme, do me thënë në Afganistan, në Irak”, tregon zoti Haziri. Sido që të jetë, udhëheqësit e komunës dhe qytetarët e Ferizajt janë optimistë se menjëherë pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, do të ketë investime të shumta, të cilat do të hapin vende të reja pune.

XS
SM
MD
LG