Ndërlidhjet

BANORËT SERBË KËRKOJNË SHPJEGIM NGA BEOGRADI PSE DUHET BOJKOTUAR ZGJEDHJET


Albana Isufi

Banorët serbë të mjediseve qendrore të Kosovës konsiderojnë se duhet respektuar thirrjen e Qeverisë serbe për bojkotimin e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Megjithatë, para një bojkotimi të tillë, ata kërkojnë që Beogradi t’u shpjegojë se pse duhet bojkotuar zgjedhjet. Dejan Nedelkoviq, zjarrfikës nga Llapna Sela, thotë se meqë kushtet e jetës janë gjithnjë e më të rënda, nuk ia vlen të dilet në zgjedhje. “Mendoj se shumica nga ne do të respektojnë qëndrimin e Qeverisë sonë dhe nuk do të dalim në zgjedhje, sepse për ne nuk janë valide; gjendja edhe më tej është e rëndë dhe, siç po shihet, asgjë nuk po ecën mirë”, thotë Nedelkoviq. Me kritika të tilla, zhgënjim në qeverinë dhe politikanët, e me ankesa për mungesën e sigurisë, karakterizohet gjendja e serbëve lokalë. Banorët serbë të Graçanicës thonë se nuk u interesojnë proceset politike e as zgjedhjet, por duan përmirësim të jetës së përditshme. “Unë mund të flas për ato që më interesojnë mua, për asgjë tjetër. Ne s’kemi jetë këtu. Unë do të vë shpallje në gazetë dhe të shes shtëpinë, tokën e të gjitha, do ta vë shpalljen në dyer”, thotë Budimir Stanojeviq, pensionist nga Llapna Sela. Velica Veriq, nga Graçanica, thotë se votimi është i rëndësishëm, por së pari duhet zgjidhur problemet e përditshme. “Duhet dalë, por duhet shikuar se çfarë po bëhet, pasi askush nuk po e pyet askënd. Ka një papunësi të madhe, të tmerrshme të të rinjve, kemi rini të zhgënjyer”, shprehet Veriq. Ajo punon në një dyqan të improvizuar, ku shet gazeta dhe gjëra elementare. Veriq thotë se duhet munduar shumë, pasi që i biri i saj nuk punon askund, për ç’gjë kritikon pushtetin. ”Djali im ka dy fëmijë, është i papunësuar, ka 32 vjet; e kur do të fitojë përvojë? Duhet që të vjetrit të dalin në pension, në mënyrë që të rinjtë të punësohen”, thotë ajo. Serbët po ashtu kërkojnë shpjegim nga politikanët në Beograd rreth vendimit të tyre për bojkotimin e serishëm të zgjedhjeve. Jorgovanka Todoroviq është një e zhvendosur nga Prishtina. Ajo kërkon nga Beogradi shpjegime se çka nënkupton mosdalja në zgjedhje, çka do të bëhet me Kosovën dhe pse nuk po bëhet asgjë në zgjidhjen e problemeve të serbëve. “Pse serbët të mos votojnë për krahinën ose republikën? Çka do të bëhet me neve? Nëse nuk votojmë nuk do të jetë mirë, nëse votojmë nuk do të jetë mirë, përse? Luajnë si me fëmijët. Ne na duhet e vërteta, jo gënjeshtrat. Të dimë kah po shkojmë. Pse nuk kemi kushte të mira, pse nuk kemi rrymë, pse nuk kemi ujë? Nëse na duhet të paguajmë rrymën, e paguajmë. Ta kemi të paktën një jetë të mirë, për kaq sa na ka mbetur”, thotë Todoroviq. Pavarësisht vendimit të Qeverise serbe që ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve të 17 nëntorit, në Komisionin Qendror Zgjedhor janë certifikuar 8 parti serbe.

XS
SM
MD
LG