Ndërlidhjet

PRISHTINA I OFRON BEOGRADIT TRAKTAT-MARRËVESHJE PËR MARRËDHËNIE FQINJËSORE


Zijadin Gashi

Në takimin e Londrës me Treshen negociuese, delegacioni i Kosovës do të paraqitet me një ofertë për Beogradin, të hartuar në formën e traktat-marrëveshjes, për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sot, Ekipi Negociator ka finalizuar këtë traktat dhe pavarësisht pozicionit që do të mbajë pala serbe, mëton t’ia paraqesë Treshes negociuese më 19 shtator. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se pala kosovare është unike në qëndrimin e saj, se Kosova ka interes që në të ardhmen t’i rregullojë raportet edhe me Serbinë si shtet fqinj, pavarësisht vuajtjeve që ka përjetuar populli i Kosovës gjatë një të kaluare jo të largët. “Për ne është me rëndësi që para botës ta ofrojmë këtë vizion në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse jemi të interesuar që të kapërcehet me gjithë atë që ka qenë pjesë edhe e vuajtjeve, edhe e tragjedive, që ka përjetuar populli i Kosovës. Jemi të gatshëm që ta mbyllim këtë kaptinë dhe të ecim në raportet e reja ndërfqinjësore edhe me vendet e tjera, e në këtë rast edhe me Serbinë. Andaj, është çështje e saj se çfarë gjuhe dhe çfarë retorike zgjedh. Për ne është me rëndësi që të ofrojmë vizion për të ardhmen”, u shpreh presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku tha se delegacioni i Kosovës ka hyrë në procesin shtesë të negociatave si delegacion shtetëror dhe si i tillë do të sillet. Prandaj, theksoi Çeku, oferta e Prishtinës ka të bëjë me rregullimin e raporteve ndërmjet dy shteteve dhe jo negociata për statusin. Çeku u shpreh në favor të shpalljes së pavarësisë pas 10 dhjetorit, pavarësisht nëse Kosova do të ballafaqohet me presione dhe sfida të shumta. “Ne nuk jemi të gatshëm që të kemi vonesa e zvarritje tjera të procesit dhe kërkojmë marrje të vendimit. Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare heziton të marrë vendim, ne e shprehim gatishmërinë dhe vendosmërinë që ne ta marrim atë vendim, pa marrë parasysh sfidat me të cilat mund të ballafaqohemi. Ne duhet t’i japim fund këtij procesi dhe vazhdimisht e bëjmë me dije se ky është vazhdimësi e një procesi të tërë që e kemi filluar me presidentin Ahtisaari, por është edhe faza përmbyllëse e tij dhe se objektivi ynë është që kjo të ndodhë brenda këtij viti”, tha kryeministri Çeku. Ndërkaq, lideri i partisë më të madhe opozitare, i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se dokumenti apo traktat-marrëveshja është dokument shtetëror i Kosovës dhe për të ka konsensus të plotë në Prishtinë. Thaçi tha se Prishtina do t’i koordinojë hapat e vet në vendimin për statusin e Kosovës me Uashingtonin e Brukselin, si tani, ashtu edhe pas 10 dhjetorit, duke përjashtuar mundësinë e vendimeve të njëanshme, që nuk do të koordinoheshin paraprakisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. “Në çdo rrethanë, ne do të përgjigjemi në mënyrën më pozitive të mundshme me partnerët tanë, Uashingtonin dhe Brukselin, për vendimet e ardhshme që do t’i marrim. Por, çdo vendim që do të nxirret, do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, me një prezencë të lehtë civile ndërkombëtare e fillimisht edhe prezencë të NATO-s”, theksoi Thaçi. Traktat-marrëveshja, si ofertë e Prishtinës drejtuar Beogradit, u tha se do të përcillet edhe me parimet bazë të Kosovës në bisedimet shtesë. Këto parime e përjashtojnë mundësinë që të negociohet për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, si dhe parashohin pakon e Ahtisaarit si zgjidhje kompromisi dhe të balancuar. Takimet e Treshes negociuese me palët në bisedime zhvillohen të ndara. Nesër është paralajmëruar se Treshja pret në Londër delegacionin nga Serbia, kurse pasnesër, delegacionin e Kosovës, i cili edhe këtë herë udhëton në nivelin më të lartë politik. Pas Londrës, pritet që të thirret dhe takimi i Nju Jorkut, ku është paralajmëruar takimi i drejtpërdrejtë Prishtinë – Beograd me ndërmjetësimin e Treshes.

XS
SM
MD
LG