Ndërlidhjet

NDËRPRITET DHE SHTYHET GJYKIMI NDAJ ALBIN KURTIT


Albana Isufi

Seanca gjyqësore kundër liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është ndërprerë për shkak se Kurti nuk ka pranuar që procesin ndaj tij ta udhëheqë trupi i gjyqtarëve ndërkombëtarë, i udhëhequr nga gjykatësi, Maurizzio Salustro. Albin Kurti, të cilit nuk i është lejuar nga gjykatësi Salustro të lexojë vërejtjet e tij ndaj aktakuzës në seancën gjyqësore, ka thënë se paneli gjyqësor nuk është i paanshëm dhe nuk është i pavarur që të udhëheqë procesin gjyqësor kundër tij. “Pikësëpari, unë kam kërkuar që të përjashtohet ky panel i gjyqtarëve, për shkak se ata nuk janë të paanshëm, për shkak se kanë mbështetur diskriminimin dhe parregullsitë e deritanishme dhe shkeljet dhe liritë e mia fundamentale, që më janë bërë në këtë procedurë shtatë-mujore, 5 muaj në paraburgim dhe dy muaj në arrest shtëpiak“, tha Kurti, i cili në këtë proces gjyqësor nuk ka pranuar të marrë avokat, por përfaqëson vetveten. Albin Kurti akuzohet për pjesëmarrje dhe udhëheqje të turmës gjatë protestës së 10 shkurtit, e cila turmë ka kryer vepra kriminale; për pjesëmarrje në grupin, i cili ka penguar punën e personave zyrtarë, si dhe akuzohet për thirrje për rezistencë me forcë. Kreu i panelit gjyqësor, Maurizzio Salustro, gjatë seancës gjyqësore të mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka konsideruar se vërejtjet ndaj aktakuzës, të ofruara nga Albin Kurti, janë irelevante, ndërkohë që ka kërkuar nga Kurti të dijë nëse kundërshtimi i panelit gjyqësor është çështje politike apo teknike. Sidoqoftë, gjykatësi Salustro ia ka ndërprerë gjatë tërë kohës përgjigjet Kurtit, gjë të cilën lideri i ‘Vetëvendosjes’ e ka konsideruar si mohim të lirisë së shprehjes. “Është e qartë se këta gjykatës, që m’i kanë caktuar mua, kishin një urrejtje të qartë ndaj meje. Dhe, me vetë faktin se nuk më lejuan që pothuaj as të filloj fjalimin tim, treguan se janë instrument politik aty dhe që është i udhëhequr politikisht nga dikush më lart se ata”, tha Kurti. Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut, thotë se trupi gjykues nuk ka pasur të drejtë të ndalojë fjalën mbrojtëse të Kurtit. “Për ne, si KMDLNJ, është absurd i llojit të vet që dikush të dënohet sipas ligjit penal të Kosovës, ndërkaq të gjithë të jenë të huaj, trupi gjykues, prokurori etj. Albinit iu mohua e drejta që të paraqesë vërejtjen ndaj aktakuzës, por trupi gjykues dëshmoi se vepron si të dojë, e jo sipas procedurës”, tha Shala. Pas kundërshtimit të trupit gjykues, gjykatësi Maurizzio Salustro ka ndërprerë dhe shtyrë seancën për kohë të pacaktuar, ndërkaq për ndryshimin ose jo të këtij trupi gjykues në procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit, do të vendosë kryetari i Gjykatës së Qarkut. Lideri i ‘Vetëvendosjes’ gjendet edhe më tej në arrest shtëpiak. Ndryshe, në protestat e 10 shkurtit, ku humbën jetën dy protestues, prokurori special Robert Dean ka konkluduar në raportin e tij se të ndjerët qenë vrarë nga plumbat e kauçukut, të shkrepur nga policia. Pjesëtarët e policisë ndërkombëtare, të përfshirë në procedurat hetimore mbi ngjarjet e 10 shkurtit, janë larguar nga Kosova ende pa përfunduar hetimet dhe deri më tash nuk ka asnjë informacion mbi këtë çështje.
XS
SM
MD
LG