Ndërlidhjet

MARRËVESHJA MIDIS SINDIKALISTËVE DHE MINISTRISË SË ARSIMIT – NË PRITJE TË PËRMBUSHJES


Nadie Ahmeti

Gjendja në arsim, siç duket, do të tensionohet prapë, nëse nuk zbatohet në tërësi marrëveshja e arritur në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës u ka premtuar sindikalistëve të arsimit, se këtë vit do të rrisë pagat e mësimdhënësve për 12 për qind dhe që nga zbatimi i reformave për klasat e pesta, pa punë nuk do të mbetet as një punëtor i arsimit. Por, zyrtarë të Sindikatës së Arsimit thonë se deri më tash nuk ka indikacione që kjo marrëveshje do të zbatohet në tërësi. Lutfi Mani, nënkryetar i SBASHKU-ut, thotë se, sipas informacioneve të deritashme, në komuna të ndryshme, shumë mësimdhënës kanë mbetur të papunë. “E dimë se njerëzit kanë mbetur pa punë; çdo ditë vijnë në zyra të SBASHK-ut dhe ankohen. Për momentin, nuk mund të japim ndonjë numër të saktë se sa kanë mbetur pa punë, por kryesore është se kanë mbetur”, thotë Mani. Ndërkaq, edhe kërkesa tjetër që rritja e pagave për 12 për qind t’i përfshijë të gjithë të punësuarit në arsim, sipas Manit, nuk do të përmbushet në tërësi. “Marrëveshja ka qenë që paga të rritet për 12 për qind për të gjithë të punësuarit në arsim, prej punëtorit ndihmës deri tek menaxheri i shkollës. Kjo çështje, sipas burimeve tona, nuk do të shkojë ashtu siç jemi marrë vesh. Flitet se paga do të rritet vetëm për personelin arsimor apo, thënë më mirë, vetëm për të licencuarit”, shpjegoi Mani. Por, Fehmi Ismajli, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Arsimit, thotë se marrëveshja e arritur me sindikalistët tashmë ka filluar të zbatohet. Ai thotë se mospërfshirja e të gjithë punëtorëve të arsimit në rritjen e pagave është bërë për shkak të presionit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Të gjithë punëtorët nuk do të përfshihen në këtë moment, pasi që, fillimisht, kjo ka qenë marrëveshja edhe me institucionet ndërkombëtare, që rritja të jetë për mësimdhënësit, edhe pse ministria ka qenë shumë e interesuar që të mos e ndajë edhe personelin tjetër”, tha Ismajli. Por, ndryshe thotë Lutfi Mani: “Ne kemi biseduar edhe me Bankën Botërore, edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe nuk janë pengesat aty. Fondi Monetar dhe Banka Botërore kanë lejuar dhe lejojnë që në arsim të ketë një ngritje. Po ashtu, me ato mjete që i ka në dispozicion Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës ka mundësi që kjo situatë të përfundojë në gjendje të mirë”, pohon Mani. Dhe, për këtë arsye, ai thotë se nëse marrëveshja nuk respektohet nga ministria, në fillim të javës së ardhshme Këshilli i përgjithshëm i SBASHK-ut do të ndërmarrë hapa për gjetjen e zgjidhjes në sistemin arsimor, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e ndërprerjes së procesit mësimor. “Ne, si kryesi, asnjë hap nuk e ndërmarrim pa e marrë Këshillin e përgjithshëm. Me këtë mosmarrëveshje që ka ardhur apo mosrespektim të marrëveshjes, gjasat janë shumë të mëdha që të shkohet edhe në grevë”, theksoi Mani. Ndryshe, Fehmi Ismajli thotë se kjo çështje vazhdon të mbetet e hapur dhe që ministria do të bëjë përpjekje të vazhdueshme që në rritjen e pagave të hyjnë të gjithë punëtorët e sistemit të arsimit. Zoti Ismajli thotë se nuk është koha që tani të ndërpritet procesi mësimor. “Unë mendoj se kjo punë nuk ka logjikë dhe arsye të bëhet, sepse ne po jetojmë në Kosovë dhe duhet t’i dimë mundësitë dhe fuqitë tona që i kemi, edhe politike, edhe financiare”, u shpreh Ismajli. Ndryshe, më 24 gusht, kur edhe është nënshkruar marrëveshja, Ministria e Arsimit u ka premtuar sindikalistëve të arsimit, se deri më 10 shtator, tri kërkesat e tyre do të plotësohen. Java e ardhshme pritet të sjellë ndonjë vendim mbi këtë çështje.
XS
SM
MD
LG