Ndërlidhjet

SELL:"AUTORITETET NË KOSOVË DUHET TË SHPALLIN REFERENDUM"


Louis SELL, ish-diplomat amerikan

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, raund pas raundi, negociatat midis Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të përfundojnë pa rezultate thelbësore. Si e shihni ju fundin e këtij procesi?

LOUIS SELL
Unë mendoj se ky nuk është proces negociatash. Këto bisedime janë një situatë e pakuptimtë, nëpër të cilën po kalojnë të gjitha palët. Të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, e dinë se nuk do të ketë marrëveshje. Dhe, kur procesi të përfundojë në dhjetor, sinqerisht shpresoj se fundi i tij do të shënojë fillimin e pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, analistë të shumtë dhe media të ndryshme ndërkombëtare kanë thënë se bisedimet aktuale nuk janë aq shumë midis Prishtinës dhe Beogradit, por midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse pajtoheni me një konstatim të këtillë, a mendoni se Bashkimi Evropian do të arrijë një marrëveshje mbi çështjen e Kosovës?

LOUIS SELL
Unë pajtohem me atë se ajo çfarë po ndodhë tani, nuk ka të bëjë me negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, por me negociatat në kuadër të komunitetit ndërkombëtar, jo vetëm midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe natyrisht Bashkimit Evropian. Mendoj se kjo është ajo që po e vonon me vite procesin e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, mendoj se këto vonesa duhet të marrin fund dhe, me sa e di unë, Shtetet e Bashkuara e kanë pranuar një gjë të këtillë. Besoj se është edhe një numër i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që gjithashtu mendon njëjtë. Shpresoj se të gjitha palët mund të veprojnë bashkërisht dhe nëse nuk munden, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe ato vende evropiane që e kuptojnë rëndësinë dhe pashmangshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të veprojnë bashkërisht në mbështetjen e kësaj pavarësie.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flitet për mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga institucionet në Kosovë, disa udhëheqës serbë kanë shprehur shqetësimin se komuniteti serb mund të reagojë duke shkëputur veriun. Si e shihni ju këtë çështje?

LOUIS SELL
Unë mendoj se janë dy çështje në këtë drejtim. Ka ardhur koha për Kosovën dhe popullin e saj që të ngritët në këmbë dhe të marrë fatin në duart e veta. Unë besoj se në fund të këtij të ashtuquajturi proces të negociatave, populli i Kosovës duhet të shpallë synimin për t'u bërë të pavarur. Personalisht, besoj se në dhjetor, ata duhet të shpallin se synojnë të fillojnë procesin e vet të brendshëm, që do të çonte deri tek pavarësia brenda gjashtë muajsh. Unë do të merrja shembull nga procedurat që kanë zbatuar sllovenët më 1990 dhe 1991, në kohën kur largoheshin nga Jugosllavia. Autoritetet në Kosovë duhet të shpallin referendumin, të cilin do ta organizonin ata nëse komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron dhe me këtë ata do të shpallnin synimin për t'u pavarësuar brenda gjashtë muajsh, duke mbajtur një referendum, në të cilin populli i Kosovës do të jepte mbështetjen për këtë opsion. Periudha e ndërmjetme prej gjashtë muajsh, atëherë do të duhej të shfrytëzohej për përgatitjet e nevojshme për ta promovuar Kosovën si një shtet vërtet të pavarur. Në këtë çështje do të përfshiheshin edhe masat për t’i dëshmuar pakicës kombëtare serbe, por edhe pakicave të tjera në Kosovë, se ky shtet i ri do t’i ndërmarrë të gjitha masat e plota për të respektuar të drejtat e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, ju jeni një nga ekspertët që kanë nënshkruar raportin mbi zhbllokimin e çështjes së Kosovës, në të cilin thuhet se vazhdimësia e validitetit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit nuk e pengon pavarësinë e Kosovës dhe mund të ofrojë një mbikëqyrje efektive ndërkombëtare. Si do të funksiononte kjo?

LOUIS SELL
Mendoj se faktori kryesor në këtë drejtim është se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është në mënyrë specifike një marrëveshje e përkohshme. Si e tillë, për synim ka të përgatisë terrenin, gjithashtu në mënyrë specifike, për negociata politike që do të çonin deri tek një zgjidhje e statusit politik të Kosovës. Nëse, për çfarëdo arsyeje, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara tregohet si i paaftë për ta kompletuar këtë proces, kjo nuk do të thotë se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mund ta bllokojë pavarësinë përgjithmonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, a mendoni se pas 10 dhjetorit ka gjasë që Kosova të rikthehet në agjendën e Këshillit të Sigurimit?

LOUIS SELL
Këtë nuk e di, por pres që akterët ndërkombëtarë, të cilët e udhëheqin këtë proces, të kthehen në New York. Me sa e di unë, është kërkuar nga negociatorët ndërkombëtarë që të përgatisin një raport për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Unë, padyshim, shpresoj që deri atëherë, të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit ta njohin faktin se pavarësia e Kosovës është e domosdoshme dhe kritike për arritjen e përparimit të ardhshëm në Ballkan. Nëse një gjë e këtillë nuk ndodh, atëherë shpresoj që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të hartojë një raport, duke bërë me gisht në këtë drejtim dhe vendet anëtare ta njohin pavarësinë e Kosovës. Dhe, nëse as kjo nuk ndodh, atëherë shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe miqtë tjerë të Kosovës do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për njohjen e pavarësisë.

INTERVISTOI: ARBANA VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG