Ndërlidhjet

SFIDA E SIGURISË PËRBALLË PROCESIT NEGOCIATOR DHE ATIJ TË ZGJEDHJEVE


Albana Isufi

Paralajmërimi i protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës për përshpejtimin e procesit të statusit të Kosovës, si dhe ardhja e pjesëtarëve të Gardës së Car Llazarit për të protestuar në veri gjatë këtij muaji, konsiderohen nga autoritetet e rendit ndër sfidat e para që mund të prekin sigurinë, gjatë procesit të dyfishtë nëpër të cilin po kalon Kosova - procesit negociator dhe atij të zgjedhjeve. Zëvendëskomisari i policisë, Reshat Maliqi, thotë se aktualisht këto janë preokupimet e policisë, përderisa paralajmëron se as kësaj here nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë pjesëtarët e organizatës së Gardës së Car Llazarit, organizatë kjo e shpallur nga PSSP si ilegale. “Organizata të tilla nuk janë të mirëseardhura në Kosovë. Do të thotë, do të bëjmë përpjekje që mos t’i lejojmë ata të vijnë në Kosovë dhe të nxisin ndonjë urrejtje apo konflikt eventual. Ata do t’i ndalim në kufijtë e Kosovës dhe nuk do të kenë mundësi që të hyjnë në territor të Kosovës, sepse si të tillë nuk janë të mirëseardhur”, tha Maliqi. Ekspertë të sigurisë kanë tërhequr vërejtjen, tashmë disa herë, se mbajtja e zgjedhjeve në kohën kur është duke u zhvilluar procesi negociator, do të jetë sfidë shumë e madhe për sigurinë. Megjithatë, këshilltari në Ministrinë e Rendit, Burim Ramadani, thotë se autoritetet e rendit kanë hartuar planet se si të menaxhohet situata e sigurisë gjatë kësaj kohe. “SHPK-ja, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i kanë hartuar plane përkatëse për t’u ballafaquar me të gjitha situatat e mundshme që mund të ndodhin në lidhje me sigurinë”, theksoi Ramadani. Liderët kosovarë kanë deklaruar tashmë se nëse pas përfundimit të procesit negociator, më 10 dhjetor, nuk do të ketë zgjidhje të statusit përmes OKB-së, do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Por, nëse kjo gjë ndodh, serbët kanë thënë se do ta shkëpusin veriun e Kosovës. Zëvendëskomisari i policisë për operativë, Reshat Maliqi, thotë se këto paralajmërime janë duke u marrë parasysh dhe policia do të veprojë varësisht nga rrethanat e krijuara. “Ne do të sillemi konform situatës që mund të krijohet në raste të tilla dhe ne kemi filluar të përgatisim plane të ndryshme, me skenarë të llojllojshëm, që ta kemi situatën nën kontroll dhe ta menaxhojmë situatën në aspektin e sigurisë edhe në atë pjesë të Kosovës. Nëse vjen deri te ndonjë eksod i organizuar, apo te ndonjë protestë, apo nëse ata kërcënojnë se do të shpallet si territor i veçantë, apo autonomi që nuk është konform rezolutës që mund të miratohet, atëherë ne do të bëjmë përpjekje që ta mbajmë rendin atje dhe të ngremë praninë dhe vigjilencën, edhe të policëve, edhe të forcave tjera të sigurisë”, u shpreh Maliqi. Ndryshe, ai thotë se SHPK-ja, në bashkëpunim me OSBE-në, është duke punuar në vlerësimin e rrezikshmërisë së zonave, ku do të mbahen zgjedhjet, me qëllim që të ketë përforcim me trupa shtesë në kohën e duhur.



XS
SM
MD
LG