Ndërlidhjet

KELMENDI:”NËSE SHPALLET PAVARËSIA E KOSOVËS, AJO DO TË SHPALLET NË TËRË TERRITORIN E SAJ”


Nekibe KELMENDI, nënkryetare e LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, pritjet nga takimi i ardhshëm midis Prishtinës dhe Beogradit nuk janë edhe aq të mëdha në kuptimin e arritjes së një marrëveshjeje. Çfarë mendoni ju se do të ndodhë?

NEKIBE KELMENDI
Ju, gati nëpërmjet pyetjes e dhatë edhe konstatimin. Edhe unë dyshoj se këto takime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar do të sjellin ndonjë rezultat apo lëvizje nga qëndrimet e të dyja palëve. Së paku, kështu janë deklaruar ata të Beogradit, që nuk kanë të drejtë, kurse kështu është deklaruar edhe pala e Prishtinës, që ka të drejtë plotësisht. Prandaj, nuk pres shumë që këto negociata apo këto takime të drejtpërdrejta të japin ndonjë efekt. Efekti i palës së Prishtinës është shumë më i madh, sepse ka pranuar të bisedojë me agresorin dhe të ulet në një tavolinë, natyrisht me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se duhet të veprojnë institucionet në Kosovë në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme?

NEKIBE KELMENDI
Ne e kemi nxjerrë një rezolutë në Parlamentin e Kosovës dhe e kemi mbështetur në plotësi edhe pakon e Ahtisaarit dhe mendojmë se zgjidhja e statusit politik të Kosovës duhet të bëhet. Nëse të gjitha shtetet e mëdha janë të një mendimi dhe nëse nuk përdoret vetoja ruse, me siguri se do të ishte shumë më lehtë për palën kosovare dhe për institucionet e Kosovës, që pavarësia e Kosovës të realizohet nëpërmjet një rezolute në Këshillin e Sigurimit. Por, nëse ajo do të dështojë, atëherë na mbetet që të shkojmë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Parlamentit të Kosovës, që është një rrugë më e vështirë, sepse atëherë duhet të pritet nga qeveritë e shteteve të ndryshme që ta pranojnë atë pavarësi, sepse dihet se pavarësinë duhet pranuar qeveritë e shteteve, për të qenë ajo e pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet në Prishtinë e kanë përmendur mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, nëse pas 10 dhjetorit nuk miratohet statusi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Ju, çfarë mendoni për këtë çështje?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se nëse dështon që nëpërmjet rezolutës së Këshillit të Sigurimit të arrihet pavarësia e Kosovës, atëherë duhet të përgatitemi mirë dhe duhet të shohim se çfarë raporti do të dalë pas datës 10 dhjetor, Treshja që do t’ia bëjë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Më pastaj, të përgatitemi që të marrim hapa të mëtutjeshëm. Nëse do të shohim se nuk ka shtegdalje tjetër, atëherë mbetet që pavarësinë e Kosovës ta shpallë Kuvendi i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit serbë kanë paralajmëruar se në një rast të këtillë, pra të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, veriu do të mund të shkëputej. A ka mundësi Prishtina ta parandalojë një gjë të këtillë?

NEKIBE KELMENDI
Së pari, dua të them se zyrtarët e Beogradit kanë deklaruar se nuk janë për ndarje të Mitrovicës apo të një pjese të Kosovës. Këtë e deklarojnë vetëm ata që po jetojnë në veriun e Mitrovicës. E ne në veriun e Mitrovicës nuk dimë se çfarë strukturash kemi dhe ata nuk e përfaqësojnë as Beogradin, as serbët e Kosovës, por janë një para-shtet, që e quajnë veten, dhe pretendojnë të faktorizohen. Por, nëse shpallet pavarësia e Kosovës, ajo do të shpallet në tërë territorin e saj kompakt, unik, që e kishte në vitin 1974 dhe NATO-ja do të duhej ta mbronte atë territor me gjithë forcat e veta, me gjithë fuqinë e vet, që Kosova të jetë unike. Mund të ndodhë që ajo pjesë e Kosovës paksa ta ngadalësojë procesin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, por ata do të binden edhe vetë se të drejtat e tyre nuk mund t’i realizojnë ndryshe, përveçse nëpërmjet institucioneve të Kosovës, sepse territorialisht do të mbeten në Kosovë. Dhe, Beogradi zyrtar nuk guxon ta njohë atë autonominë, apo sido ta quajnë ata atë ndarje, apo krijimin e një entiteti të ri në veriun e Kosovës. Në anën tjetër, ata duhet ta dinë se kjo është më shumë e dëmshme për ata vetë, sesa për vetë kosovarët, sepse çka do të ndodhë pastaj, çfarë turbulencash do të bëhen nëpër enklavat serbe dhe çfarë lëvizjesh do të bëhen; kjo do t’u kushtojë shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, një raport i fundit i Ministrisë së Rendit thekson praninë e strukturave paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës, ndërkohë që edhe AKSH-ja është shfaqur tashmë publikisht. Si e komentoni shfaqjen e këtyre strukturave në këtë kohë?

NEKIBE KELMENDI
Paraprakisht duhet të them se strukturat paralele serbe pothuajse nuk janë larguar nga Kosova që nga viti 1999. Unë kam pasur raste që të shoh dokumente apo aktakuza që janë ngritur, apo kallëzime penale që janë bërë nga Sekretariati i Punëve të Brendshme në Prizren dhe këtë në vitin 2000, që do të thotë se ata në vazhdimësi kanë vepruar. Njëherë, ka pasur rast që ata kanë pranuar edhe vetë se strukturat e tyre paralele ekzistojnë dhe ekzistojnë edhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë. Tashti, si reagim i ekzistimit të atyre strukturave paralele serbe është edhe paraqitja e AKSH-së, dalja në publik, sepse deri më tash kemi pasur paraqitje nëpërmjet komunikatave dhe medieve të ndryshme. Mirëpo, sido që të jetë, të dy këto formacione, të dyja këto organizata apo paralelizma që janë, për mendimin tim e dëmtojnë çështjen e Kosovës në këtë moment dhe fusin huti edhe te opinioni ndërkombëtar, lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Por, gjithsesi, këto formacione janë ilegale dhe forcat e rendit, siç janë SHPK-ja, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i, do të merren me këto organizata, pse jo edhe drejtësia, në mënyrë që të shpërbëhen, sepse mund të ndikojnë shumë negativisht edhe në imazhin e Kosovës, por mund ta dëmtojnë edhe procesin përfundimtar të statusit politik të Kosovës.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG