Ndërlidhjet

ANALISTË SHQIPTARË DHE SERBË ME VLERËSIME TË NDRYSHME PËR KONFERENCËN PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Ideja për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën është diskutuar sot, në një konferencë të përbashkët të analistëve dhe politikanëve shqiptarë dhe serbë, të organizuar nga Media Qendra, në enklavën serbe në Çagllavicë. Pjesëmarrësit në këtë diskutim komentuan në mënyra të ndryshme si modelin e konferencës, ashtu edhe pritjet dhe rezultatet që mund të prodhonte një konferencë e tillë. Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se procesi shtesë negociues mund të shfrytëzohet për zgjidhjen e çështjeve teknike deri më 10 dhjetor dhe më pas Treshja ndërmjetësuese do të nxjerrë përfundime. Në bazë të këtyre përfundimeve, Janjiq parasheh që Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë apo deklaratë për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë, që do ta zëvendësonte UNMIK-un. Kurse, konferenca për statusin e Kosovës, sipas tij, mund të pritet para zgjedhjeve presidenciale në Rusi. “Konferenca do të definojë statusin e ardhshëm të Kosovës dhe jo statusin final, që do të thotë se të gjithë ata që ëndërrojnë për ndarje, shkëmbim territoresh apo marrje të shpejtë të sovranitetit në duart e veta, duhet të mendojnë mirë se si t’ua shpjegojnë votuesve të tyre realitetin e ri, që do të krijohet në pranverën e vitit 2008”, tha Janjiq. Ai beson se modeli më i mirë për Kosovën është lloji i Konferencës së Madridit, me të cilën ishte vendosur procesi paqësor në Lindjen e Afërt, edhe pse ky proces vazhdon edhe më tutje të mbetet në implementim e sipër. Në anën tjetër, Fadil Maloku, nga Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike me seli në Prishtinë, thotë se konferenca ndërkombëtare për Kosovën është një prej tezave që lansohet si test për palët në bisedime nga përfaqësuesi i BE-së në Treshen ndërmjetësuese, Wolfgang Ischinger. Maloku vlerëson se ka disa arsye që Prishtina edhe mund ta kundërshtonte formën e konferencës për Kosovën, përderisa Beogradi, sipas tij, do ta përkrahte një model të tillë. “Me mbajtjen e një Dejtoni të dytë, faktikisht do të fillonte të formalizohej ndarja e Kosovës, që në esencë do të thoshte një shkëmbim human i territoreve. Sistemi Dejtonian ka dëshmuar se nuk është zgjidhja më e mirë për palët në konflikt, për shkak se është një zgjidhje e imponuar dhe vazhdimisht prodhon situatë fraxhile, që, për mendimin tim, nuk mund ta rehatojë Ballkanin perëndimor”, u shpreh Maloku. Ndërkaq, Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se as Prishtina dhe as Beogradi nuk do të pyeten nëse duhet apo jo të thirret një konferencë ndërkombëtare. Kosova ia ka besuar tërë procesin Uashingtonit, kurse Serbia Moskës, thotë Trajkoviq, duke besuar se mesi i këtyre dy poleve duhet të kërkohet në nismat e Bashkimit Evropian. “Bashkimi Evropian, siç po shihet, po promovohet dhe kjo është paraqitja e parë në politikën e jashtme dhe BE-ja nuk do të lejojë që nismat e saj të komprometohen”, thotë Trajkoviq, duke besuar se konferenca do të organizohet, nëse BE-ja e kërkon me të vërtetë një model të tillë. Ndryshe, organizimi i një konference ndërkombëtare për Kosovën, sipas liderëve politikë në Prishtinë, nuk ka qenë në agjendën e deritashme të bisedimeve. Anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë deklaruar dje se procesi i statusit duhet të përmbyllet me vendimin për pavarësinë e Kosovës dhe se, sipas tyre, tani nuk mund të fillohet me modele të reja për zgjidhjen e statusit.
XS
SM
MD
LG