Ndërlidhjet

SHPK-JA PËRGATIT PLANIN PËR SIGURI GJATË FUSHATËS ZGJEDHORE


Arton Konushevci

Shërbimi Policor i Kosovës ka përgatitur një plan të veçantë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, derisa partitë politike do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore. Veton Elshani, zëdhënës i policisë, ka thënë se në kuadër të Departamentit të rendit publik, komanda e policisë ka përgatitur një ekip, i cili do t'i përcjellë të gjitha aktivitetet e partive politike gjatë kësaj fushate. "Është formuar një grup i posaçëm në nivelin e Departamentit të rendit publik, në kuadër të komandës kryesore të policisë, në Prishtinë, për fushatën dhe për zgjedhjet. Ky ekip i posaçëm ka takime të përditshme me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe me OSBE-në. Edhe në qendrat rajonale janë formuar grupe punuese, në të cilat bëjmë pjesë edhe ne. Këto janë vetëm disa nga elementet, disa nga veprimet, të cilat SHPK-ja i ka ndërmarrë, në mënyrë që fushata të kalojë e qetë", ka deklaruar Elshani. Ai nuk ka zbuluar detaje të tjera të këtij plani, por ka thënë se një grup punues i këtij plani do ta bëjë edhe vlerësimin e situatës së sigurisë në terren. "Për detaje në veçanti nuk mund të flas, por ky grup punues e bën edhe vlerësimin e rrezikshmërisë, në përgjithësi, për secilën fushatë, e cila do të zhvillohet në gjithë territorin e Kosovës. Me siguri që vlerësimi i rrezikshmërisë do të jetë i ndryshëm prej vendit në vend. Ne jemi të përgatitur që kjo fushatë zgjedhore do të kalojë e qetë", tha Elshani. Nga ana tjetër, eksperti për siguri, Nuredin Ibishi, ka thënë se përgatitja e një plani për ruajtjen e sigurisë në fillim të fushatës zgjedhore nga ana e SHPK-së, është e rëndësishme. Ai ka thënë se një veprim i tillë nuk është ndërmarrë më herët nga udhëheqja e SHPK-së. "Ka munguar një qasje serioze e SHPK-së, do me thënë e menaxhmentit të lartë, në kuptim të përpilimit të planeve në situata të veçanta, sikur që është tash çështja e zgjedhjeve, pasi që kjo ndërlidhet edhe me çështjen tjetër, pra statusin, që, siç duket, do të vazhdojë për të dhënë qasjen e prolongimit të tij apo zgjidhjes së njëanshme. Mirëpo, sido që të jetë, duhet përshëndetur këtë hap, pa marrë parasysh se sa është gjithëpërfshirës ai për momentin, në krahasim me trendët e mundshme të eskalimit të situatës në vende të ndryshme të Kosovës", tha Ibishi. Ai mendon se pavarësisht përgatitjes së këtij plani që e ka bërë SHPK-ja dhe situatës që duket stabile, duhet pasur parasysh mundësinë e eskalimit të situatës. "Struktura ekstreme janë të gatshme, kanë paralajmërime të caktuara që mund ta destabilizojnë situatën. Mirëpo, përgjithësisht, ndërmarrja e këtyre veprimeve të SHPK-së, paralajmëron dhe krijon një qetësi në popull. Me këto plane, automatikisht, i bëhet me dije edhe popullit që dikush po kujdeset apo po ndërmerr hapa konkretë, që situata të jetë e qetë. Pra, gjithsesi duhet që opinionit t’i bëhet thirrje për qetësi, pa marrë parasysh nëse situata eskalon në ndonjë pjesë, në ndonjë lokalitet, prej ndonjë faktori ekstrem", ka theksuar Ibishi. Ndryshe, përfaqësuesit e Shërbimit Policor të Kosovës kanë thënë se plani operativ ‘Siguria e rreptë’ është duke funksionuar ende dhe masat e patrullimit janë shtuar, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore.


XS
SM
MD
LG