Ndërlidhjet

PACOLLI:”KOSOVËS I DUHET NJË SISTEM PRESIDENCIAL”


Behgjet PACOLLI, kryetar i Aleancës Kosova e Re

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pacolli, sivjet, për herë të parë, ju dhe partia juaj do të merrni pjesë në zgjedhjet në Kosovë. Fillimisht, cila është oferta juaj për qytetarët e Kosovës, me të cilën kërkoni votën e tyre, besimin e tyre?

BEHGJET PACOLLI
Që një vit e këndej, ne kemi filluar të shtrihemi kudo që është qytetari, me më tepër se 370 degë dhe nëndegë nëpër Kosovë. Ne, së pari, jemi njoftuar me situatën në Kosovë, gjegjësisht kemi jetuar në funksion të qytetarit, të fshatarit, të pensionistit, të invalidit, të një të riu pa punë, të një fëmije, të një nxënësi. Dhe, për këtë që kemi hasur gjatë përjetimit tonë në funksionin e tyre, jemi kthyer dhe kemi fokusuar problemet në Kosovë dhe kemi vendosur që këto probleme të quhen edhe si faza e parë e programit, gjegjësisht e projektit tonë, por nëse AKR-ja do ta formojë qeverinë. Këto probleme, me të cilat ballafaqohet qytetari i Kosovës, janë probleme që ne i quajmë banale, të cilat mund të zgjidhen edhe me më pak mjete financiar, por me një sens shumë më të lartë organizativ dhe me një dëshirë për të krijuar dhe për të punuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha konsideroni se duhet të përqendroheni në rast të fitores suaj, në ditët e para të qeverisjes së Kosovës?

BEHGJET PACOLLI
Ne duhet t’ia fillojmë pothuajse në të gjitha anët, pasi që kjo shoqëri është dëmtuar shumë. Kur them është dëmtuar shoqëria, çdo gjë është dëmtuar në Kosovë. Ajo që është ndërtuar, është ndërtuar me baza provizore, jo në fondamente të shëndosha. Gjërat provizore janë gjëra periodike dhe ne duhet të fillojmë gjithkund. Së pari, ne duhet të fillojmë nga gjyqësia, nga Parlamenti. Në bazë të një ligjshmërie dinjitoze, Kosovës duhet t’i garantohet një qeveri e popullit, për popullin, pjesë përbërëse e popullit - ajo që sot, deri më tani, nuk ndodhi. Qeveria është e ndarë nga qytetari, prandaj, sistemi ynë parlamentar në Kosovë nuk ka treguar funksionalitet dhe ky sistem duhet të ndërrohet shumë shpejt. Kosovës duhet t’i gjendet i zoti i shtëpisë, i cili është i votuar, i zgjedhur nga populli.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni në një sistem presidencial?

BEHGJET PACOLLI
Unë e përshëndes shumë faktin se kryebashkiakët, kryetarët e komunave, definitivisht, janë të zgjedhur nga populli. Prandaj, siç kemi vepruar me kryetarët e komunave, ashtu duhet që shumë shpejt të formojmë kushte, që edhe kryetari i Kosovës të zgjidhet nga populli. Dhe, Kosovës i nevojitet një qeverisje presidenciale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pacolli, nëse mund t’i kthehemi edhe një procesi tjetër, atij të statusit të Kosovës; aktualisht, po zhvillohet një fazë shtesë e negociatave, siç po quhet. Cilat janë pritjet e juaja nga ky proces dhe si e shihni finalen, përfundimin e tërë këtij procesi të definimit të statusit?

BEHGJET PACOLLI
Unë e di shumë mirë se pavarësia do të vijë në trojet e Kosovës. Nuk do të besoja se më 10, 11, 12 dhjetor do të vijë, mirëpo ajo është shumë afër. Madje, nuk do të thosha se do të vonohet më tepër se marsi i vitit 2008, gjë që nuk duhet ta pengojë atmosferën në Kosovë. Unë kuptoj shumë mirë se, sipas Serbisë, Serbia humb 15 për qind të territorit. Mirëpo, t’i thuhet Serbisë se ‘ju nuk e humbni Kosovën, varet prej jush a e humbni Kosovën a jo. Kosova do të pavarësohet, nuk ka kthim, nuk ka tjetër zgjidhje. Por, bëhuni burra, akceptojeni këtë akt, Kosova do të jetë edhe pjesë e juaja. Ju do të vini në Kosovë, do të bashkëjetojmë, do të bashkëpunojmë, nuk do të ketë kufij. Kufiri ynë do të jetë i hapur për lëvizje të lirë të kapitalit, të mallrave, të ideve, të njerëzve dhe çdo gjë tjetër’. Këtu është punuar shumë pak. Dhe, këtu, unë i drejtoj kritika jo vetëm Kosovës apo Serbisë, por ndoshta edhe komunitetit ndërkombëtar. Ka harxhuar komuniteti ndërkombëtar në hartimin e shumë pakove, dokumenteve, në organizimin e takimeve, investime djathtas-majtas. Ndoshta, është dashur të përqendrohet në investime të ngritjes së infrastrukturës ndër-rajonale. Ajo do kishte pasur efekt më të madh.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG