Ndërlidhjet

PETKOVIQ: “NËSE VENDOSET PËR SHPALLJE TË PAVARËSISË, DO TË TËRHIQEMI NGA ZGJEDHJET”


Sllavisha PETKOVIQ, kryetar i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petkoviq, partia juaj është certifikuar për zgjedhjet e 17 nëntorit. Çka i ofroni ju elektoratit tuaj dhe pse mendoni se duhet votuar për juve?

SLLAVISHA PETKOVIQ
Së pari, ne jemi paraqitur, por edhe më tej do të shohim nëse do të marrim pjesë ose jo në zgjedhje. Po presim raundin e fundit të negociatave të 5 nëntorit dhe do të shohim nëse politikanët shqiptarë e kanë ndryshuar qëndrimin për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Nëse ky qëndrim nuk ndryshon dhe nëse nuk vazhdojnë bisedimet rreth statusit, sigurisht se do të tërhiqemi nga zgjedhjet. Kështu që, edhe pse jemi certifikuar, ne ende nuk kemi vendosur nëse do të dalim apo jo në zgjedhje. Pra, kjo duhet sqaruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Sido që të jetë, ju keni përmendur më parë se një nga synimet e juaja është zhvillimi ekonomik. Cilat janë mundësitë për ta përmbushur këtë qëllim, veçanërisht në vendbanimet ku jetojnë serbët?

SLLAVISHA PETKOVIQ
Ekonomia është çështje mbi të gjitha çështjet tjera dhe vetëm statusi mund të jetë çështje më e madhe. Të gjitha të tjerat janë në plan të dytë dhe programi i partisë sonë, 90 për qind i takon programit ekonomik. Mundësitë janë të mëdha, por sërish them se kjo varet nga ajo se si do të krijohen rrethanat rreth statusit. Pra, nga kjo varet se a do të kemi sukses t’i realizojmë këto programe apo jo. Kështu që do të shohim. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim radikal, ne do të marrim pjesë në zgjedhje dhe do ta ofrojmë programin tonë ekonomik, për të cilin edhe ekspertët kanë thënë se nuk ka program më të mirë, pasi është realist dhe nuk është plan abstrakt që nuk mund të realizohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Një numër i madh i serbëve ende nuk është integruar në institucionet e Kosovës dhe është i varur nga strukturat paralele. Si do ta kishit zgjidhur ju këtë çështje?

SLLAVISHA PETKOVIQ
Po, ne nuk jemi të kënaqur. Serbët nuk janë të kënaqur me institucionet, pasi që mungon vullneti nga ana e liderëve shqiptarë, pasi që ndryshe flitet e ndryshe veprohet në realitet. Pala shqiptare nuk e respekton pjesëmarrjen e serbëve në institucione, që është 10 deri në 12 për qind në të gjitha segmentet në Kosovë. Dhe, fajtorë kryesorë pse nuk ka numër të mjaftueshëm të serbëve në institucione, janë partitë politike shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si e shihni zgjidhjen e problemit të Mitrovicës?

SLLAVISHA PETKOVIQ
Ajo është çështje politike, e cila për tetë vjet nuk ka arritur të zgjidhet. Është një çështje që është lënë shumë anash dhe duhet shumë kohë dhe vullnet që ky problem të zgjidhet, nëse për këtë ka vullnet, pasi nuk mjaftojnë vetëm deklarimet. Aty duhet të miratohet një plan i qartë, plan strategjik për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës.

RADIO EVROPA E LIRË
OSBE-ja ka konfirmuar se disa parti politike serbe janë kërcënuar që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. A jeni edhe ju në mesin e të kërcënuarve?

SLLAVISHA PETKOVIQ
Jo, jo, jo. Ne jemi partia më e madhe politike serbe në Kosovë dhe me ne nuk mund të bisedojnë ashtu. Sa u përket këtyre partive tjera, nuk janë tërhequr ato për shkak të presioneve nga Beogradi, pasi që ky presion ka ekzistuar edhe kur i kanë dorëzuar listat. Këto parti janë tërhequr pasi që e kanë parë se nuk kanë kurrfarë shansesh që të kalojnë në këto zgjedhje. Dhe, tash është më së lehti që të gjenden arsyetime, se dikush po u bën presion e po i kërcënon dhe se për këtë janë tërhequr. Kjo nuk është e saktë, sepse Partia Demokratike Serbe, që e udhëheq unë, absolutisht nuk ka kurrfarë konkurrence sa i përket skenës politike në Kosovë. Ata tash e kanë kuptuar dhe andaj tërhiqen nga zgjedhjet, pasi që nuk kanë shanse të marrin vota.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mesazhi për votuesit tuaj?

SLLAVISHA PETKOVIQ
Po, ne jetojmë këtu në Kosovë dhe nëse kemi vendosur që të mbesim këtu, atëherë duhet të përfshihemi në të gjitha sferat në Kosovë, edhe në atë politike. Por, sërish e them, se mbetja jonë këtu dhe cilësia e jetesës varet nga shumica shqiptare, varet se sa do të na ofrojnë hapësirë, pasi gjithkund në botë, edhe për të mirë, edhe për të keq, përgjegjëse është shumica. Kështu që, aq sa do të na japin ata hapësirë, atë lloj kualiteti jetësor do të mund ta jetojmë. Nëse nuk na ofrojnë hapësirë, atëherë shumica e serbëve do të zhvendosen dhe sërish do të kemi probleme.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG