Ndërlidhjet

ANKARA


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice tha sot se rebelët kurdë në Irakun verior janë "armik i përbashkët", dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë Turqinë në përballjen me ata. Duke folur në konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Ali Babacan, Rice tha se luftimi i tyre kërkon këmbëngulje dhe përkushtim, por u zotua se Shtetet e Bashkuara do t'i dyfishojnë përpjekjet që ta ndihmojnë Turqinë t'i dalë mbanë këtij problemi.
"Ne e konsiderojmë këtë një kërcënim të përbashkët, jo vetëm për Turqinë, por edhe ndaj interesave amerikane. Ne me të vërtetë po bisedojmë si t'i zgjërojmë disa aktivitete, tashmë të filluara në ndarjen e informatave, por duam të kemi një plan për aksion efektiv kundër PKK-së. Për këtë nuk duhen vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, por edhe qeveria e Irakut", tha Rice.
Babacan tha se vizita e Rice në Turqi është fillimi i bashkëpunimit të ngushtë për luftimin e kërcënimeve nga e jashtëligjshmja Partia Punëtore e Kurdistanit.
Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar ushtrinë e Turqisë se vërsulja ushtarake mund ta destabilizojë situatën në Irakun verior.
Rice do të shkojë sot në Stamboll, ku do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për Irakun.
XS
SM
MD
LG