Ndërlidhjet

SAMARXHIQ, NË SHOQËRI TË AMBASADORIT RUS, DËRGON MESAZHE LUFTE NGA MITROVICA


Zijadin Gashi

Statusi i Kosovës nuk mund të zgjidhet jashtë kornizave të së Drejtës Ndërkombëtare dhe nuk mund të trajtohet si rast i veçantë, ka thënë sot ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Aleksijev. Këto komente, ambasadori rus i ka bërë në pjesën veriore të Mitrovicës, ku bashkë me ministrin e Serbisë për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, kanë marrë pjesë në një tribunë lidhur me statusin e Kosovës. Për Federatën Ruse, çështja e Kosovës është mjaft e komplikuar dhe kërkon zgjidhje të pranueshme si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët, tha ambasadori Aleksijev. Sipas tij, Kosova nuk mund të trajtohet si rast unik dhe i veçantë dhe statusi i Kosovës, shtoi Aleksijev, duhet të zgjidhet mbi parimet e së Drejtës Ndërkombëtare. Çdo shmangie nga këto parime, sipas ambasadorit rus, do të krijonte probleme që do të reflektonin edhe në vendet tjera të botës. “Nëse ne shkojmë në rrënimin e së Drejtës Ndërkombëtare, duhet t’i kemi parasysh të gjitha pasojat politike të këtij gabimi të madh”, theksoi Aleksijev. Ai tha se rregullat dihen në të Drejtën Ndërkombëtare dhe se ato duhet të vlejnë për të gjithë, pra edhe për rastin e Kosovës. Aleksijev tha se nuk mund ta thotë që tani, se si do të reagonte Rusia nëse Kosova shpall pavarësinë, por, sipas tij, Moska do ta ketë një përgjigje adekuate. Në anën tjetër, ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, është paraqitur pas takimit me një ton të ashpër dhe kërcënues. Ai ka akuzuar Kosovën se po shërben si çerdhe, siç tha ai, e terroristëve, të cilët, sipas ministrit serb, po përpiqen ta shkëpusin Kosovën nga Serbia. “Le të dalë si porosi nga ky takim, se ne do të luftojmë kundër të gjithë terroristëve, kundër të gjithëve që duan ta rrezikojnë lirinë tonë, shtetin tonë”, tha Samarxhiq. “Kur themi ne”, shtoi Samarxhiq, “mendoj në Serbinë dhe Rusinë bashkë, si shtete që bëjnë politikë të përbashkët në raport me Kosovën”. Kërcënimet e ministrit serb, në shoqëri të ambasadorit rus, vijnë në kohën kur procesi shtesë i negociatave po hyn në fazën finale pa kurrfarë marrëveshjeje. Ndërkohë që liderët shqiptarë në vazhdimësi po zotohen se do ta shpallin pavarësinë e Kosovës jo shumë larg datës 10 dhjetor, kur mbyllet kjo fazë e negociatave. Ndërkaq, në anën tjetër, analistët shprehin dilema se si do të menaxhohej në këtë rast gjendja në pjesën veriore, e cila kontrollohet nga strukturat serbe, të mbështetura nga Beogradi, apo atje prej nga sot ministri serb dhe ambasadori rus dërguan mesazhe se do ta mbrojnë Kosovën si pjesë të Serbisë.

XS
SM
MD
LG