Ndërlidhjet

EMERSON:"KOSOVA SHTET PA FLAMURIN NË KOMBET E BASHKUARA"


Michael EMERSON, Qendra për Studime Evropiane /Bruksel/

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Emerson, ministri i Jashtëm gjerman pas takimit me Ekipin e Unitetit të Kosovës deklaroi se "ekziston një mundësi e vogël, por reale për zgjidhjen e statusit të Kosovës përmes bisedimeve". Për çfarë mundësie bën fjalë zoti Steinmaier?

MICHAEL EMERSON
Nuke kam idenë. Nëse ai ka parë diçka që unë nuk e di atëherë kjo është pozitive.
Nuk kam parë deri tani ndonjë shenjë as nga dy palët kryesore të përfshira në bisedime, as nga treshja ndërmjetësuese që të flasë për lëvizje përpara. Nëse ka ndonjë përparim për të cilin ne nuk e dimë, atëherë ky është lajm i mirë.
Këndvështrimi im është se procesi në Kombet e Bashkuara është bllokuar për shkak të vetos ruse. I takon Bashkimit Evropian dhe vetëm atij të ndërmarrë iniciativën për një zgjidhje sui generis për Kosovën. Një zgjidhje e tillë do t'i jepte Kosovës një lloj statusi special duke e lejuar që të bëhej pjesë e Unionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju në propozimin tuaj kërkoni mbajtjen e negociatave të reja për statusin e Kosovës, por tani mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. A do të thotë kjo se statusi i Kosovës nuk do vendoset edhe për një periudhë tjetër kohore? Nëse po edhe për sa kohë?

MICHAEL EMERSON
Po, disa propozime të reja interesante mund të shtyhen përpara nga Bashkimi Evropian. Në këtë rast do të fillonin negociatat me Bashkimin Evropian dhe natyrisht kjo do të marrë kohë. Nëse do kemi propozime interesante në tavolinë atëherë disa muaj më shumë nuk është e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të flisni pak më konkretisht për propozimet të cilat i quani interesante si dhe për propozimin tuaj?

MICAHEL EMERSON
Ideja ime është të ndërtojmë diçka mbi propozimin e Ahtisaarit. Ajo çfarë përmban ky plan lidhur me mënyrën se si duhet të qeveriset Kosova është shumë e arsyeshme, por plani kalon shkarazi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ajo që unë propozoj është përfshirja e Kosovës në Bashkimin Evropian, por pa qenë anëtare e plotë. Kosova do ketë lidhje të drejtpërdrejta me Bashkimin Evropian, do keni ligje të BE-së që do jenë të zbatueshme në Kosovë në të gjitha aspektet ekonomike.
Sa i përket Serbisë nuk do ketë asgjë në këtë proces. Serbia do mund të ndryshonte kushtetutën në një të ardhme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë rast kujt do t'i takonte sovraniteti i Kosovës?

MICHAEL EMERSON
Kosova do jetë sovrane në një shkallë të madhe. Në këtë kuptim Prishtina do mund të nxjerrë pasaportat e saj, të cilat do jenë të pranuara ndërkombëtarisht. Por Kosova nuk do ketë flamurin e saj në Kombet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Por çfarë do ishte Kosova në një rast të tillë, shtet, rajon...

MICHAEL EMERSON
Nuk duhet të jeni shumë të befasuar, pasi një numër vendesh në botë, të cilat janë de facto shtete nuk kanë pavarësi klasike. Do filloja me Tajvanin dhe ka një morri shembujsh të tjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë do zgjaste një gjendje e tillë?

MICHAEL EMERSON
Besoj se kjo gjendje mund të zgjasë për disa vjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Që kur filloi procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës bashkësia ndërkombëtare ka dalë me zgjidhje speciale, terma speciale. A janë përpjekje të tilla dëshmi se bashkësia ndërkombëtare nuk di çfarë dhe si të bëjë me Kosovën?

MICHAEL EMERSON
Bashkësia ndërkombëtare është shumë e ndarë rreth kësaj çështje. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan të arrihet një marrëveshje që do t'i jepte Kosovës atë që ofron plani i Ahtisaarit, pavarësi të mbikqyrur. Por kjo është bllokuar nga faktorë të tjerë, veçanërisht Rusia. Rusia i druhet faktit se Kosova mund të përdoret si precedent për rajone të tjera që kërkojnë shkëputjen. Dhe realisht mund të përdoret si precedent, ndaj mendoj se procesi do duhet të futet në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Një strategji e tillë do ta bënte të vështirë për rajone si Abkazia që ta përdorin Kosovën si precedent.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë unike rreth propozimit të zotit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. A ka vërtet një qëndrim unik Bashkimi Evropian? Në një rast të tillë pse nuk formon një koalicion vullneti për ta nxjerrë procesin jashtë Kombeve të Bashkuara siç ndodhi në rastin e sulmeve të NATO-s?

MICHAEL EMERSON
Bashkimi Evropian është i bashkuar lidhur me qëndrimin dhe paraqitjet zyrtare. Sa i përket mbështetjes për pavarësinë e Kosovës pa rezolutë të Kombeve të Bashkuara rrezikon të kemi një numër zhvillimesh ndarëse me disa vende anëtare si Greqia, Rumania, Spanja etj.
Opcioni i krijimit të koalicionit të vullnetit është një formulë përçarëse për Bashkimin Evropian. Përçarja është në fakt me një kosto shumë të lartë politike për vendet e Unionit.

RADIO EVROPA E LIRË
A e keni diskutuar propozimin tuaj me udhëheqësit kosovarë dhe serbë? Nëse po cilat kanë qenë reagimet e tyre?

MICHAEL EMERSON
E kam diskutuar propozimin tim me përfaqëesues të organizatave joqeveritare në Kosovë dhe në Serbi. Ata kanë qenë kuriozë dhe të interesuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Po ndonjë reagim nga zyrtarët?

MICHAEL EMERSON
Nuk kam pasur reagime zyrtare. Një zyrtar i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, emrin e të cilit nuk mund ta them, më tha se so të donte të ishte në pozitë të tillë që të bënte propozime të ngjashme.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas gjithë këtyre propozimeve përfshirë dhe tuajin a mbeten sërish pa shtet qytetarët e Kosovës në një të ardhme të afërt?

MICHAEL EMERSON
Jo, ata do t'i përkasin një shteti, por një shteti të veçantë. Ata do të lëvizin me pasaportat e tyre ku do shkruhet Kosova dhe jo me dokument udhëtimi i UNMIK-ut. Njësoj si qytetarët e Tajvanit që udhëtojnë me pasaportë ku shkruhet Republika e Kinës - Tajvan.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania kaloi në procesin e njohur si denazifikimi i shoqërisë. Regjimi i Sllobodan Millosheviçit i përfshiu trupat serbe në luftëra të përgjakshme dhe veçanërisht në Bosnjë e Kosovë ata kryen masakrat më të rënda në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në Serbi nuk e kemi parë të zhvillohet procesi i katarsisit. A mendoni se pranimi i përgjegjësisë do jetë kyç për ecjen përpara të Serbisë dhe a mendoni se Bashkimi Evropian duhet ta shtyjë një proces të tillë?

MICHAEKL EMERSON
Procesi që ju e quani katarsis, apo ai i pajtimit dhe kërkesë-ndjesës për gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur është diçka e mrekullueshme, por shumë e vështirë për tu zbatuar në praktikë. Rasti i Turqisë dhe Armenisë është një nga këto shembuj. Nëse gjendet një formulë e pranueshme zgjidhje për Kosovën, e në mesin e tyre mund të jetë dhe propozimi im, i cili nuk është i vështirë për t'u pranuar nga Serbia, kjo do çonte drejt një procesi të thellë pajtimi, që do të ishte një gjë shumë e mirë

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG