Ndërlidhjet

NË PRAG TË ZGJEDHJEVE, QYTETARËT TË PAINFORMUAR PËR MËNYRËN E VOTIMIT


Arton Konushevci

Autoritetet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të 17 nëntorit pohojnë se janë gati, në aspektin teknik, për ditën e votimeve. Sven Lindholm, zëdhënës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, thotë se në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha përgatitjet kanë përfunduar. “Qytetarët e Kosovës tashmë janë të informuar se si duhet të votojnë. Besoj se tash e kanë kuptuar se janë tri fleta të votimit dhe se votimi do të jetë me lista të hapura. Ka shumë fushata për vetëdijesim të qytetarëve dhe për mënyrën se si duhet të votohet. Por, javën e ardhshme, do të ketë edhe më shumë aktivitete në gjithë Kosovën, për t’i informuar qytetarët se si duhet votuar”, ka thënë Sven Lindholm. Megjithatë, zëdhënësi i OSBE-së ka shtuar se koha për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë ka qenë shumë e shkurtër dhe, sipas tij, partitë politike gjatë fushatës zgjedhore duhet ta ndihmojnë elektoratin, që ta kuptojë mënyrën e të votuarit. “Gjithashtu, është përgjegjësi e partive politike që t’i informojnë votuesit se si t’i përdorin fletët e votimit, pasi që ata garojnë në zgjedhje dhe duhet ta bëjnë këtë nëse duan që qytetarët të votojnë për ta. Partitë politike duhet t’i sigurojnë qytetarët se si të votojnë në mënyrën e duhur”, tha Lindholm. Edhe Arian Osmani, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se qytetarët janë të informuar mbi mënyrën e votimit, por jo sa duhet. “Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka organizuar një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve, respektivisht të votuesve, e implementuar nga IFES, organizatë kjo për sistemet zgjedhore, organizatë ndërkombëtare. Kjo fushatë ka filluar më herët dhe fillimisht ka qenë e fokusuar në njoftimin e qytetarëve në shërbimin e votuesve dhe operacionin e votimit me postë. Aktualisht, kjo fushatë fokusohet në njoftimin e qytetarëve me mënyrën e votimit”, tha Osmani. Megjithatë, qytetarët thonë se procedura e votimit për zgjedhjet duket e komplikuar. Musa Kaliqani thotë se nuk ka pasur fushatë të mjaftueshme vetëdijesimi. “Po, fushata është bërë, por nuk është e mjaftueshme ajo që ka bërë deri sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ose kush është kompetent për atë. Unë e di, por edhe mua më krijon problem, e lëre më shtresave të tjera”, thotë Kaliqani. Arta Ibrahimi, edhe pse mendon se është informuar mirë për procedurën e votimit, ajo megjithatë nuk është e sigurt për hollësitë. “Po, jam e informuar shumë mirë; me ngjyrë të kuqe do të jenë fletëvotimet për deputetët për Parlamentin e Kosovës, me ngjyrë të kaltër do të jenë për asamblenë komunale dhe me ngjyrë të verdhë, mos gabofsha, do të jenë ato për kryetarë të komunave. E kam perceptuar më mirë, por kjo e verdha edhe e kaltra po më përzihen”, thotë Ibrahimi. Edhe Ardita Pireva thotë se deri tash është dashur të bëhet më shumë për informimin e qytetarëve dhe për atë që ajo e quan formë e ndërlikuar e votimit. “Nuk e di, është çudi për të gjithë ne, sepse (fletëvotimet) janë shumë të komplikuara”, shprehet Pireva. Por, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shpresojnë që të gjitha paqartësitë t’i sqarojnë javën e ardhshme. ”Java që do të vijë, do të jetë plot e përplot me aktivitete të tilla të njoftimit dhe të informimit të qytetarëve me proceduarat e votimit dhe sjelljes në vendvotim; do të ketë reklama televizive, reklama në radio, do të ketë pano të shtypura dhe të distribuuar përmes shtypit ditor; do të ketë bilborde të ndryshme. Dhe, një element shumë i rëndësishëm në këtë mes, është ai që secila familje kosovare do ta marrë nga një pako, një broshurë me informacione me proceduarat e votimit”, sqaroi Osmani. Deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme ka mbetur edhe një javë. Votimet e këtij viti janë cilësuar si më të ndërlikuarat, meqë në të njëjtën ditë do të votohen përfaqësuesit e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, ata të kuvendeve komunale dhe, për herë të parë, do të votohen edhe kryetarët e këtyre kuvendeve komunale.
XS
SM
MD
LG