Ndërlidhjet

KFOR: AKSH-JA DËMTON IMAZHIN E KOSOVËS


Albana Isufi

Autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë edhe pas shfaqjes së sërishme publike të personave të armatosur dhe të maskuar, që veten e quajnë pjesëtarë të Armatës Kombëtare Shqiptare, nuk kanë paraqitur ndonjë plan se si të veprohet ndaj këtij grupi, përveç se e quajnë atë si ilegal dhe se do ta trajtojnë si të tillë. Zëdhënësi i KFOR-it, Betrand Bonneau, vlerëson se paraqitja e AKSH-së nuk i jep imazh të mirë Kosovës, veçanërisht në këtë kohë të procesit të zgjedhjeve dhe të statusit. Ai thotë se nëse KFOR-i has në pjesëtarë të AKSH-së, do t’i trajtojë si pjesë të organizatës ilegale. “Nuk mund të thoni se nuk po e trajtojmë seriozisht çdo kërcënim ndaj një ambienti të sigurt dhe ndaj lirisë së lëvizjes në Kosovë. Ky është misioni ynë. Ne po monitorojmë për së afërmi situatën, po monitorojmë këto grupe që kërcënojnë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes. Ne kemi numër të mjaftueshëm, por nëse situata shkon rrugës së keqe, kemi plane për ta përforcuar numrin e ushtarëve nëse kërkohet, por aktualisht nuk kërkohet”, tha Bonneau. Në anën tjetër, zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se janë duke u zhvilluar hetime ndaj këtij grupi, pjesëtarët e të cilit, në paraqitjen e fundit, kanë bërë thirrje për bashkim kombëtar. Por, Elshani thotë se deri tani nuk ka ndonjë rezultat konkret për fushëveprimet e tyre, ndërkaq vetë paraqitjen e tyre, Elshani e sheh si rrjedhojë të paraqitjes së mëhershme të grupeve serbe të armatosura. “Në jemi të vetëdijshëm se ndodhemi në një periudhë ku është duke u diskutuar për statusin e Kosovës dhe kemi paraqitje të grupeve të ndryshme, si AKSH-ja, Car Llazari, që për qëllime përfitimi material, dalin në rrugë. Lidhur me AKSH-në, ajo konsiderohet si ilegale dhe si e tillë do të trajtohet. Ndërsa, përsërisim edhe njëherë, se SHPK-ja, UNMIK-u e KFOR-i, janë përgjegjës për rendin, qetësinë publike dhe situatën e sigurisë”, pohoi Elshani. Ngjashëm, edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Avni Arifi, thotë se paraqitja e AKSH-së është rrjedhojë e kërcënimeve të strukturave ilegale serbe, siç është Garda e Car Llazarit, e cila ka kërcënuar me luftë, në rast të shpalljes së pavarësisë. Megjithatë, Arifi konsideron se në Kosovë janë të ngritura mekanizmat e mbrojtjes dhe se nuk ka nevojë për struktura të tilla, siç është AKSH-ja. “Në Kosovë ekzistojnë mekanizma të duhur të sigurisë. Ne kemi këtu trupat e NATO-s, kemi SHPK-në, policinë e UNMIK-ut dhe nëse është e nevojshme, ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm për ta mbrojtur Kosovën”, tha Arifi. Ndryshe, ai thekson se aktualisht është i nevojshëm fokusimi në përfundimin e procesit të statusit, e jo tërheqja e vëmendjes së opinionit nga ky proces. “Është me rëndësi që populli i Kosovës, këtë periudhë ta kryejë në mënyrë sa më të suksesshme, pasi që dita e shpalljes së pavarësisë po afrohet. 10 dhjetori është para nesh”, theksoi Arifi. Në anën tjetër, ekspertët për çështje të sigurisë thonë se grupet ilegale të armatosura janë faktorë destabilizues për sigurinë në Kosovë. Eksperti ndërkombëtar për siguri, Anthony Welch, i cili ka përpiluar raportin mbi arkitekturën e ardhshme të sigurisë në kuadër të Sektorit për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme, thotë se personat që i janë bashkuar AKSH-së, kanë përjashtuar veten nga të qenit pjesë e një organizate legale në të ardhmen. “Nuk ka rëndësi se nga cila anë janë. Paraqesin rrezik për sigurinë. Ne, në raportin tonë të vitit të kaluar, kemi thënë se në rast të pavarësisë, duhet të ketë një forcë mbrojtëse të Kosovës dhe në të vërtetë Ahtisaari e ka përdorur të njëjtën gjë në pakon e tij. Unë ende besoj se ky është një qëllim për sigurinë e Kosovës, nëse pavarësia vjen vitin e ardhshëm. Ata që po krijojnë struktura të veta ilegale, po minojnë mundësitë që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë një rekomandim të tillë të Ahtisaarit dhe tonin, dhe hedh dyshimin madje edhe për dëshirën legjitime që të ketë një organizatë të duhur, siç e kemi rekomanduar”, tha Welch. Ai tha se paraqitja e AKSH-së, disa javë apo muaj para se të merret vendimi për statusin, është kundërproduktive për procesin. Ndryshe, administrata ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara në Kosovë e ka shpallur AKSH-në si organizatë terroriste. AKSH-ja është paraqitur për herë të parë në publik muajin e kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG