Ndërlidhjet

SHQIPTARËT E SERBËT ME REZERVA NDAJ PROPOZIMIT PËR “STATUS NEUTRAL”


Albana Isufi

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe të serbëve të Kosovës kanë shprehur rezerva ndaj propozimit të të dërguarit evropian në Treshen negociatore, Wolfgang Ischinger, për një zgjidhje neutrale. Ischinger ka thënë se Treshja ndërmjetësuese përgatitet t'ua paraqesë palëve propozimin e ri, të quajtur “status neutral”, që synon normalizimin e marrëdhënieve të Prishtinës dhe Beogradit, pavarësisht se çfarë mund të vendoset sot ose nesër për statusin e Kosovës. Këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se Kosovës i duhet qartësia dhe zgjidhja që do ta stabilizonte tërë rajonin. “Nuk dëshirojmë që të bëhen eksperimente me vendin tonë, ne duam të kemi qartësi. Opsionet tjera nuk i ofrojnë qartësi as popullit të Kosovës, as rajonit, e as BE-së. Është konstatim i përgjithshëm, se popullit të Kosovës i nevojitet qartësia. Dhe, natyrisht, vendimet tona do të shkojnë në atë drejtim, që të kemi qartësim të statusit”, tha Qirezi. Në anën tjetër, Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ky propozim nuk është analizuar sa duhet. Megjithatë, edhe Hoxhaj mendon se propozimi nuk e qartëson deri në fund statusin përfundimtar të Kosovës. “Mendoj se ka qenë një propozim, i cili nuk është pritur realisht në Prishtinë. Ajo për çka ka nevojë Prishtina, është fillimisht ta analizojë një propozim të tillë. Për mendimin tim, vetëm si ide krijon paqartësi rreth asaj se si do të dukej në detaje një koncept i tillë. Ne, si PDK, do të bëjmë përpjekje që të jemi maksimalisht të përkushtuar në proces edhe gjatë kësaj kohe; të shohim, edhe së bashku me partitë tjera politike, ta japim kontributin maksimal, që karshi bashkësisë ndërkombëtare të jemi partnerë dhe faktorë”, u shpreh Hoxhaj. Edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e kanë vlerësuar si të papranueshëm propozimin e Ischingerit për një zgjidhje neutrale të statusit. Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, ka deklaruar se propozimi i tillë del nga kornizat e mandatit që Kombet e Bashkuara i kanë dhënë Treshes ndërkombëtare dhe është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. "Rezoluta 1244 e ka qartësuar se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet si status i ardhshëm në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe se garanton integritetin territorial të Serbisë. Nëse dilet nga këto korniza, atëherë bëhet fjalë për diçka, për të cilën ka përpjekje të jetë si nënshkrim i një marrëveshjeve, sipas parimit të marrëveshjes së dy Gjermanive, në vitin 1972, në mënyrë që përmes kësaj forme, të ketë tërheqje nga Rezoluta 1244, Kosova të ndahet nga Serbia dhe në periudhën e ardhshme ta fitojë pavarësinë”, tha Veliq. Në anën tjetër, Arben Qirezi e sheh propozimin e ndërmjetësit evropian si një përpjekje për të ecur përpara në angazhimet shtesë. Ai edhe më tej mendon se pavarësisht ideve dhe propozimeve që vijnë, Treshja nuk ka hequr dorë nga plani i Ahtisaarit, i cili i ofron Kosovës pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht. “Ne nuk konsiderojmë se ka humbje të përkrahjes për planin e zotit Ahtisaari. Këto janë disa përpjekje të zotit Ischinger, që ai i bën në kuadër të angazhimit shtesë. Pra, mos të harrojmë se ky është një angazhim shtesë në kontekst të bisedimeve të udhëhequra më parë nga zoti Ahtisaari dhe këto angazhime nuk e kanë hedhur dhe nuk e hedhin poshtë planin e zotit Ahtisaari, i cili është pranuar edhe nga BE-ja si i tillë, nga SHBA-të, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe, më e rëndësishmja, edhe nga vetë populli i Kosovës”, theksoi Qirezi. Ndryshe, ai thotë se pala kosovare nuk është e interesuar që të qëndrojë edhe më tej në status quo-n e tashme dhe se pas 10 dhjetorit, nëse nuk ka zgjidhje përmes Këshillit të Sigurimit, pala kosovare do ta marrë vetë vendimin për statusin e Kosovës. Ndryshe, takimi i radhës mes Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Treshes, mbahet më 20 nëntor, tri ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme.
XS
SM
MD
LG