Ndërlidhjet

A KA SHPËRDORIM TË BUXHETIT?


Nadie Ahmeti

Në fund të vitit buxhetor dhe në fund të mandatit të Qeverisë aktuale, në masë të madhe po keqpërdoret buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe njëherësh është rritur abuzimi me detyrën zyrtare. Kështu bëjnë të ditur udhëheqës të Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, sipas të cilëve, ditëve të fundit, kjo agjenci ka pranuar nga qytetarët numër të madh të denoncimeve për keqpërdorime dhe abuzim me paranë publike në shuma të mëdha nga zyrtarë të institucioneve qendrore dhe lokale. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, thotë se, javëve të fundit, ka informacione që alarmojnë për shpërdorim të parasë publike. “Kohëve të fundit, është shtuar pa masë, në mënyrë enorme, numri i qytetarëve që po informojnë për keqmenaxhimin ose mosrespektimin e rregullave të prokurimit nëpër institucione”, tha Preteni. Ai ka apeluar te institucionet kosovare që të marrin masa për parandalimin e çdolloj keqpërdorimi dhe abuzimi me paranë publike. Ai pohon se nga buxheti i Kosovës është harxhuar vetëm 30 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2007, fakt ky, që, sipas Pretenit, lë hapësirë për dyshime për keqmenaxhim të buxhetit. “Apelin e kemi përdorur në aspektin preventivë, që të ndalohen këto veprime korruptuese. Ky apel nuk do të na ndalë assesi që ne këto informata t’i trajtojmë dhe t’i drejtojmë drejt Prokurorisë Publike të Kosovës”, tha Preteni. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se deri më tani nuk kanë asnjë dëshmi, se në ndonjë institucion ka raste korruptuese. Avni Arifi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se agjencia nuk ka nevojë të merret me apele, por nëse dyshon se po keqpërdoret buxheti, atëherë rastet duhet të dërgohen në organet e drejtësisë. “Ne nuk kemi asnjë dëshmi që do të tregonte se ka diku keqmenaxhim të buxhetit. Në rast se ka, Agjencia anti-Korrupsion duhet t’i evidentojë ato fakte dhe t’i dërgojë lëndët në prokurori dhe prokuroria të reagojë menjëherë. Qeveria e ka krijuar Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit, jo për të apeluar, por për të marrë veprime konkrete”, theksoi Arifi. Ai, ndërkaq thotë se shpenzimet e buxhetit që bëhen në fund të vitit, bëhen sipas Ligjit mbi Prokurimin Publik. “Ligji mbi Prokurimin Publik është i tillë që shumica e projekteve po bëhen në pjesën e tyre të vitit kalendarik. Po e shohim edhe në rrugët e Prishtinës, edhe pse jemi gati në dimër, shumica e projekteve janë duke u zhvilluar tash. Kjo ndodh në çdo vit, kështu që shpenzimet janë më të mëdha në pjesën e dytë të vitit, sesa në pjesën e parë të vitit”, pohoi Arifi. Ndërkaq, kreu i Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se shumë shpejt agjencia do t’i hetojë të gjitha rastet e raportuara, si të dyshuara për korrupsion. “Asnjë vepër nuk do të jetë anash, pa marrë parasysh strukturat, ndryshimet që do të pësojnë, edhe pse është fundi i vitit. Asnjë informatë nuk do të jetë pa u trajtuar, pa u hetuar dhe pa e marrë epilogun atje ku duhet”, tha Preteni. Sipas Ligjit kundër Korrupsionit, agjencia ka për detyrim t’ia përcjellë Prokurorisë Publike të Kosovës çdo informatë që ka të bëjë më shkeljet e mundshme korruptuese.
XS
SM
MD
LG