Ndërlidhjet

SIGURIA GJATË VOTIMEVE NË DUAR TË SHPK-SË


Nadie Ahmeti

Organet e rendit për ditën e zgjedhjeve kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke bërë përpjekje për të garantuar siguri për zgjedhje të qeta dhe demokratike në tërë territorin e Kosovës. Kështu tha Veton Elshani, zëdhënës në Shërbimin Policor të Kosovës, duke shtuar se ky shërbim, në ditën e zgjedhjeve, ka angazhuar mbi 7000 pjesëtarë të SHPK-së. Sipas tij, angazhimi i policisë në ditën e zgjedhjeve është operacioni më i gjerë deri më tani, në të cilin është angazhuar SHPK-ja. “Shërbimi Policor i Kosovës ka angazhuar të gjithë pjesëtarët e tij në zbatim të ligjit dhe në ruajtje të rendit dhe qetësisë publike, gjatë ditës së nesërme. Do të jenë mbi 7000 policë, të cilët janë angazhuar në këtë operacion që quhet ‘Zgjedhjet 2007’, njëkohësisht edhe operacioni më i madh që SHPK- ja ka marrë ndonjëherë. Ne besojmë se çdo gjë do të kalojë shumë mirë, duke marrë parasysh edhe fushatën parazgjedhore që është mbajtur”, pohoi Elshani. Ai tha se pjesëtarët e SHPK-së, gjatë ditës së nesërme, do të jenë në afërsi të 621 vendvotimeve, ashtu siç ka kërkuar Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. “Ne jemi në të gjitha prej tyre; jo në vendvotime, por do të jemi në afërsi të tyre, ashtu siç ka kërkuar KQZ-ja dhe OSBE-ja. Ne kemi pasur një grup të posaçëm që është formuar në nivel të Komandës kryesore të policisë në Prishtinë, që ka pasur takime të rregullta, të përditshme me KQZ-në dhe OSBE-në dhe varësisht nga vendimet që janë marrë nga KQZ-ja dhe OSBE-ja, SHPK-ja ka mbetur që t’i zbatojë”, tha Elshani. Ndryshe, për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku kanë qenë të angazhuar edhe policët e administratës ndërkombëtare, më 17 nëntor i tërë operacioni do të zbatohet nga pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, tha Bajram Mjeku, nga Ministria e Punëve të Brendshme. “Policët ndërkombëtarë mund të angazhohen vetëm në rast nevoje, në rolin mbështetës të SHPK-së”, theksoi Mjeku. Ekspertë për çështje të sigurisë besojnë në kapacitetet e Shërbimit Policor të Kosovës, se në ditën e nesërme mund të garantojnë një mbarëvajtje të lirë të votimeve. Por, Agim Musliu thotë se është dashur të ndërmerren masa shtesë dhe të jashtëzakonshme, duke angazhuar edhe pjesëtarë të policisë ndërkombëtare. “Përveç masave të veçanta, duhet të ndërmerren edhe masat e jashtëzakonshme, për çdo situatë që mund të ndodhë gjatë këtyre ditëve, p.sh. sulmet terroriste apo ndonjë situatë tjetër, trazira etj. Do të thotë, SHPK-ja duhet t’i ndërmarrë këto tri lloje të sigurimit, në bashkëpunim me policinë e UNMIK-ut dhe KFOR-in”, tha Musliu. Ndryshe, Shërbimi Policor i Kosovës, në kuadër të këtij plani operativ ka përfshirë të gjitha hapësirat ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, tha Veton Elshani. “Në ato vende ndoshta do të ketë edhe njësi mobile të votimit, atëherë do t’i sigurojmë ato; detyra jonë është që të bëjmë sigurimin e tyre. Jemi prezentë në enklavat serbe dhe në tërë territorin e Kosovës”, pohoi Elshani. Segment tjetër me rëndësi, sipas Musliut, është që Shërbimi Policor i Kosovës, në bashkëpunim me pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, nesër të përforcojnë aktivitetin e tyre edhe në pikat kufitare me Kosovën. “...për të preventuar çdo aktivitet ilegal, apo çdo aktivitet që mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës apo rrjedhjen e votimeve. Segment tjetër kryesor, do të thosha edhe kyç, janë qytetarët e Kosovës, që me anë të vigjilencës së tyre do të kontribuojnë mjaft në segmentin e sigurisë, në aspektin që ta ruajnë rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e votimeve, si dhe për çdo aktivitet ilegal apo të jashtëligjshëm që e shohin apo që zhvillohet në afërsi të tyre, të raportojnë sa më shpejt në SHPK, KFOR”, tha Musliu. Ndryshe, pas përfundimit të votimit, edhe bartja e kutive të votimit nga vendvotimet deri në Komisionin Qendror Zgjedhor do të bëhet në mbështetje të Shërbimit Policor të Kosovës.
XS
SM
MD
LG