Ndërlidhjet

HAPEN VENDVOTIMET NË MBARË KOSOVËN


Albana Isufi

Në tërë Kosovën, mbi 620 qendra të votimit kanë filluar të hapen në orën 7 të mëngjesit, për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës të hedhin votën e tyre për të zgjedhur deputetët e Kuvendit, këshilltarët komunalë, si dhe kryetarët e komunave. Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, tha se disa probleme të vogla teknike kanë ndikuar që disa vendvotime të mos hapen me kohë. “Deri në këto momente, procesi po shkon mirë, me disa probleme të vogla teknike, që po manifestohen aty-këtu. Në esencë, procesi po shkon mirë”, tha Baraliu. Për shkak të sistemit me lista të hapura, qytetarët këtë herë kanë rast që të votojnë për subjektin politik dhe 10 kandidatët e tyre të preferuar. Ndërkaq, për herë të parë, kryetari i komunës do të votohet direkt nga qytetari. Meqë sot mbahen tri nivele të zgjedhjeve, procedura e votimit është konsideruar si e komplikuar dhe, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, një votuesi do t’i duhen mesatarisht 9 minuta për të hedhur votën. Megjithatë, zyrtarë nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë thënë se sot është parë që qytetarët kanë votuar në periudhë shumë më të shkurtër se kjo. “Pamë se kishte rast edhe 2 minuta të mjaftonin për të votuar qytetarët. Kishte rast edhe 5 minuta...”, tha Baraliu. Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se hapja e qendrave të votimit mund të jetë problematike në veriun e Kosovës, pasi që përfaqësuesit serbë nuk kanë lejuar që të hapen vendvotimet në shkolla, siç hapen zakonisht. “Ne jemi të gatshëm, ne kemi përgatitur procesin. Vendvotimet dhe qendrat e votimit janë në dispozicion. Aty ku ka interesim të qytetarëve dhe eventualisht nuk ka ndonjë gatishmëri ose ka ndonjë rrethanë që ndikon të mos funksionojë ashtu siç është planifikuar, ekziston mundësia rezervë; kemi ekipet mobile që do t’u ofrohen qytetarëve të cilitdo komunitet”, pohoi Baraliu. Në zgjedhjet e sotme, të drejtë votimi kanë rreth 1 milion e gjysmë qytetarë. Sipas KQZ-së, zgjedhjet e sivjetme do të vëzhgohen nga 25 mijë vëzhgues ndërkombëtarë dhe lokalë. 69 organizata janë akredituar për të vëzhguar procesin zgjedhor, ndërsa Këshilli i Evropës, si organizata më e madhe ndërkombëtare, do t’i ketë 150 vëzhgues. Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka 2500 vëzhgues në qendrat e votimit dhe pritet që rezultatet e para të votimit t’i prezantojë mesnatën e sotme. Ndërkaq, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se rezultatet preliminare do të dihen 2 deri në 3 ditë pas zgjedhjeve, ndërsa ato përfundimtare në fillim të dhjetorit. Në këto zgjedhje garojnë 96 grupime politike, nga to 20 janë subjekte politike serbe, 7 nga të cilat garojnë për ulëse në Kuvend. Beogradi zyrtar u ka bërë apel serbëve të Kosovës që t’i bojkotojnë zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG